EKSKLUZIVE/ Kërkohet anësor, të kuqtë kthehen te pista “Salami”
Partizani i kthehet një piste të vjetër në merkato. Të kuqtë janë përqendruar për të plotësuar sulmin në të gjitha pozicionet dhe i piketuari është Mustafa Gbolahan Salami.
Sulmuesi i Kukësit rezultoi një nga zbulimet më të pikasura vjet në Kategorinë Superiore, duke ngjallur edhe pëlqimin e ish-trajnerit Shehi, i cili e sugjeroi në klub që në muajin prill. Partizani në atë kohë hyri në bisedime me Kukësin, që kërkoi një shifër prej afro 200 mijë eurosh dhe i detyroi “demat” të tërhiqeshin.
“Panorama Sport” mëson se të kuqtë kanë parë situatën te Kukësi dhe kanë ndërhyrë sërish për të transferuar 22- vjeçarin. Këtë herë Partizani shpreson ta mbyllë operacionin për afro 100 mijë euro. Këto para pritet të gjenerohen nga shitja e Maget, i cili do të largohet në ditët në vijim.
Salami ka kontratë me klubin verilindor deri në verën e vitit 2025, por rënia e Kukësit në Kategorinë e Parë e shtyn të riun të ndërrojë ekip. Sulmuesi anësor nuk ka munguar asnjë ndeshje në Superiore (38), ku ka koleksionuar 5 gola dhe 8 asiste. P
ara se të firmoste me Kukësin, 22-vjeçari e kishte lënë futbollin profesionist për 2 vite e gjysmë, por tashmë duket sikur ka rilindur dhe ka shkëlqyer në anën e djathtë të sulmit. Partizani e ka tejet të nevojshme firmën me një apo dy sulmues anësor. Tregu është tepër i ngushtë dhe klubi duket se do të jetë i detyruar të shpenzojë. Nga Kukësi, Partizani mori Altin Bytyçin në fillim të sezonit të shkuar.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"