EKSKLUZIVE/ “Kam lojtarë më të pjekur se koha e Partizanit”, Agostineli: Nuk fshihem, duam vetëm Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2024 | 18:45

EKSKLUZIVE/ “Kam lojtarë më të pjekur se koha e Partizanit”, Agostineli: Nuk fshihem, duam vetëm Superioren

Andrea Agostineli ka ardhur në Vlorë me misionin e qartë, për të ngjitur Flamurtarin në Superiore. Italiani i pankinës vlonjate, i cili më parë ka drejtuar Partizanin dhe Skënderbeun nuk i fshihet aspak objektivit që kanë vlonjatët.

agostineli idrizi

Gjatë një interviste ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet për gjithçka nga merkatoja e deri te faza përgatitore në Pogradec. Tekniku italian falënderon presidentin Sinan Idrizin, i cili i plotësoi çdo kërkesë në merkato. Thotë, se kjo skuadër po e bind dhe se pret një kampionat të shkëlqyer nga të gjithë. Ka jetuar në Tiranë dhe Korçë, por Agostinelit po i pëlqen më shumë qyteti i Vlorës, pasi diferencën e bën deti.

Mister, jeni në kulmin e fazës përgatitore. Cilat janë emocionet tuaja për këtë aventurë të re në Shqipëri, tashmë me Flamurtarin?

Jam i mbushur me shumë pozitivitet. Me Flamurtarin po përjetoj emocione shumë të mira.

Jeni duke u stërvitur intensivisht dhe keni zhvilluar edhe teste miqësore. Po ju bind kjo skuadër?

Të them të drejtën, kjo skuadër po më bind. Futbollistët janë duke punuar me seriozitet dhe përkushtim, ndërsa po më ndjekim dhe po më përgjigjen në kërkesat e mia. Duke punuar me ta po ndiej entuziazmin e tyre.

Grupin duket se e keni të plotë, ju kënaq ky fakt?

Jam shumë i kënaqur. Presidenti Sinan Idrizi ka bërë gjithçka që i kam kërkuar. Ai është treguar i gatshëm për të më plotësuar çdo kërkesë. E falënderoj shumë presidentin për këtë. Është një bashkëpunëtor shumë i mirë.

Mund të themi se merkatoja tashmë është drejt mbylljes?

Ndoshta mund të na mungojë vetëm një lojtar. Pra, mund të kemi dhe ndonjë afrim të fundit dhe pastaj themi se merkaton e kemi të mbyllur.

Flamurtarin e këtij sezoni mund ta quajmë edhe një Partizan të vogël. Ka lojtarë që i keni stërvitur te të kuqtë. Si ndiheni?

Po, është shumë e vërtetë. Tani po i shoh pak më të rritur dhe më të pjekur. Mendoj se janë shumë të vlefshëm për Flamurtarin. Pres një kampionat të madh nga ata dhe nga të gjithë futbollistët e tjerë që kam në skuadër.

Objektivi është madhor, ngjitja në Superiore. Mendoni se ky do të jetë viti i Flamurtarit?

Patjetër që po. Mua nuk më pëlqen të fshihem. U ktheva në Shqipëri dhe e pranova me kënaqësi ofertën e presidentit Idrizi për ta rikthyer këtë ekip historik në Superiore.

Keni jetuar në Tiranë, Korçë dhe tashmë do të jetoni në Vlorë. Cili qytet ju pëlqen më shumë?

Tirana dhe Korça janë dy qytete të bukura, por shumë të ndryshme. Vlora? Për mua deti bën gjithmonë diferencën dhe Vlora është e bukur.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"