EKSKLUZIVE/ Ish-portier i Elbasanit dhe Dinamos, Kotorri: Duel nostalgjik, Abalora më i miri ndonjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2024 | 11:17

EKSKLUZIVE/ Ish-portier i Elbasanit dhe Dinamos, Kotorri: Duel nostalgjik, Abalora më i miri ndonjëherë

Lidhjet mes Elbasanit dhe Dinamos janë të ngushta, për vetë faktin se shumë lojtarë elbasanas kanë bërë historinë me ekipin dinamovit. Elvis Kotorri është nga ata që ka bërë historinë me të dyja ekipet, kampion me verdheblutë dhe dy herë kampion me kryeqytetasit, duke bërë që përballja e sotme të jetë disi më e veçantë për të.

elvis kotorri

Tanimë në rolin e trajnerit të portierëve në kampin elbasanas, ish-gardiani analizon për “Panorama Sport” këtë duel, ku i lë mënjanë emocionet dhe shpreson që në fund të fitojë skuadra e tij.

Sot flitet shumë për Elbasanin që armën më të fortë ka portierin dhe për Kotorrin, Abalora është më i miri nga portierët e huaj që ka ardhur në vendin tonë. Në fund, ai ka një thirrje edhe për tifozët, ku premton se nuk do të zhgënjehen më nga skuadra.

Kotorri, si e prisni ndeshjen me Dinamon? E pres me nostalgji, sepse te Dinamo kam kaluar një pjesë të karrierës sime, ku kam fituar dy kampionate dhe një Superkupë. Megjithatë, kur bëhet fjalë që luan kundër nesh, nuk ka më nostalgji, por synimi është që të fitojë Elbasani.

Katër barazime radhazi për Elbasanin, kur do rikthehet te fitorja? Në fakt duhet të kishim edhe ndonjë fitore më shumë midis këtyre barazimeve. Në shumicën e rasteve nuk kemi pasur edhe fatin me vete, pasi kemi humbur raste flagrante për gol. Ndoshta në Durrës duhet të kishin bërë edhe më mirë.

Deri më tani duket se portieri është arma më e fortë e Elbasanit, si e komentoni? Po, është e vërtetë që ka bërë shumë mirë deri më tani dhe po ashtu mendoj se do të bëjë edhe në vazhdim. Është shumë profesionist, ka dëshirë të punojë e të përmirësohet akoma më shumë. Pa e ekzagjeruar, mendoj se është portieri më i mirë që ka ardhur në Shqipëri. Bashkë me Totoshin dhe Gegën janë një garanci e madhe për portën e Elbasanit.

Përballje ndaj një ish skuadre tuajën që jeni shpallur kampionë, ndonjë emocion më i veçantë? Në fakt ashtu është, e veçantë. Kam kaluar vite të bukura tek Dinamo, por për mua Elbasani është gjithçka. Ekipi ku nisa karrierën dhe që e kisha ëndërr të luaja për të.

Si i kujtoni vitet kur Elbasani dhe Dinamo rivalizonin për titull? Kanë qenë përballje shumë të forta. Dy ekipe me mjaft kualitet që dhuronin emocione kur përballeshin me njëra-tjetrën.

Shihni ndonjë ngjashmëri këtë sezon? Mendoj që jemi dy ekipe të përafërta me cilësi lojtarësh. Këtë e tregon edhe renditja, ku jeni afër me pikë.

Këtë sezon shohim një kampionat pa një skuadër që shkëputet në krye, mos ndoshta nuk ka më diferenca? Është e vërtetë, ekipet nuk kanë shumë diferenca, ku mund të fitosh dhe humbasësh me këdo. Diferencën e bën dëshira që ke për të fituar.

Në ndeshjet e fundit janë zhgënjyer paksa edhe tifozët. Keni një thirrje për ta? Sigurisht, kam një thirrje që të na mbështesin, sepse me ta në tribuna jemi më të fortë. Besoj dhe jam i bindur që edhe ekipi do ua shpërblejë duke dhënë zemrën në fushë në ndeshjet e ardhshme, për t’ju kënaqur dhe fituar ndeshjet.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"