EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Kepa: Vllazni e “fjetur”, ja çfarë nuk shkon në ekip (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2024 | 22:54

EKSKLUZIVE/ Ish-mesfushori Kepa: Vllazni e “fjetur”, ja çfarë nuk shkon në ekip (E PLOTË)

Ilir Kepa, një nga mes fushorët e shquar të Vllaznisë në vitet 80-90 ka folur së fundmi në një intervistë për “Panorama Sport”.KepaIsh-fantazisti u ndal te humbja e fundit me Dinamon, ku thekson se nuk e priste këtë rezultat. Megjithatë ai vlerëson blutë për fitoren në Shkodër. E ndërsa për shkodranët thotë se duhet të gjejnë reagimin dhe nuk e cilëson si krizë këtë moment “jo” të kuqebluve.

Kepa, një humbje e papritur kjo e Vllaznisë ndaj Dinamos?

Realisht mund të them se prisja një reagim nga Vllaznia pas humbjes me Bylis. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe si shkodran e ish-futbollist i kuqebluve më la një shije të hidhur. Ekipi nuk u shpreh në asnjë moment ndaj Dinamos duke u treguar i brishtë në çdo aspekt.

Çfarë nuk shkoi me ekipin në këtë duel?

Loja gjatë 90 minutave ka 2 faza, lojën me top dhe atë pa top. Në lojën me top përfshihen 2-3 lojtarë që marrin iniciativa personale dhe kanë fantazi për ta nxjerrë ekipin para. Ndërsa për lojën pa top merr pjesë gjithë ekipi dhe kjo është pjesa më e rëndësishme, pasi duhet bllokuar çdo manovër e kundërshtarit. Që në asnjë moment nuk u zbatua në ndeshjen ndaj Dinamos, ku ekipi i Vllaznisë u gjet i zbuluar shumë herë.

Ishte Dinamo shumë lart apo Vllaznia në një ditë “jo”?

Dinamo më pëlqeu në këtë ndeshje dhe e meritoi fitoren. Dominuan nga fillimi në fund duke marrë 3 pikët në fund. Më pëlqeu shumë treshja e sulmit, KarrambaZabërgja-Nani. Lojtarë teknikë dhe të shpejtë që dinin të godisnin. Ndërsa Vllaznia mu duk shumë e “fjetur”. Nuk ishte asnjëherë në ritëm dhe në ndeshjet e radhës duhet të gjejë medoemos reagimin.

Duhet ta ndryshojë stilin e tij Brdariç?

Brdariç na ka ofruar një stil tjetër kur ka qenë në periudhën e parë te Vllaznia. Nuk po e kuptoj këtë që po ofron tani. Më para kishte optimizëm për stilin e tij të lojës ndërsa tani më duket sikur nuk ekziston. Ndoshta edhe mungesat e shumta kanë ndikuar, por Brdariç është i pari që duhet të gjejë “kurën” për të ringritur ekipin.

U duk sikur Vllaznia reagoi me ato dy gola të shpejtë apo jo?

Dy golat ishin si pasojë e rrëmujave në fund të lojës. Mund të jenë pozitivë për aspektin personal të futbollistëve që shënuan, por nuk ishin si pasojë e lojës që zhvilloi Vllaznia. Ishin gola sporadikë që nuk garantojnë për të ardhmen. Për mua sfida u mbyll në shifrat 0-3, pavarësisht dy rrjetave të Vllaznisë.

Janë në krizë shkodranët pas këtyre dy humbjeve radhazi?

Krizë është fjalë e madhe për ekipet shqiptare. Kriza kanë ekipi si: Bajern, Juventus, Mançester Siti, Real Madrid e të tjerë. Skuadra të superinvestuara dhe me projekte 10-vjeçare. Për Vllazninë është një moment “jo”. Duhet të dalin nga negativiteti dhe të gjejnë veten. Duhet gjetur reagimi i duhur. Të tregojnë se humbjet në Ballsh dhe Shkodër së fundmi ishin thjesht një “ngërç” momental.

Çfarë mund të presim në duelin e së dielës ku skuadra pret Elbasanin në shtëpi?

Duhet fitore dhe ringritje nga ana morale dhe psikologjike. Ndeshja është sërish në Shkodër dhe kësaj radhe nuk falen gabimet. Skuadra ka objektiva madhorë dhe duhet të luftojë shumë për t’i arritur.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"