EKSKLUZIVE/ “Ika pas takimit me Shkëmbin”, Najdovski zbulon arsyen e largimit: Ja e vërteta me Tiranën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2024 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Ika pas takimit me Shkëmbin”, Najdovski zbulon arsyen e largimit: Ja e vërteta me Tiranën (E PLOTË)

Filip Najdovski rrëfen të vërtetën me Ti ranën dhe prapaskenat e verës që bënë që mbrojtësi të ndante rrugët me bardheblutë. Ish-kapiteni, për “Panorama Sport” në një intervistë ka sqaruar çdo detaj të ngjarjes, si dhe tha që vendimin e mori pasi foli me trajnerin Bledi Shkëmbi.

FILIP-NAJDOVSKI

Ai foli për çështjen e janarit si dhe u uroi bardhebluve gjithë të mirat, duke deklaruar se do të mbetet gjithmonë një tifoz i tyre. Historia me ish-kapitenin Filip Najdovski u kthye në një “telenovelë” verore te bardheblutë. Mbrojtësi kishte përfunduar kontratën me klubin dhe fillimisht mendohej se do të largohej nga kjo skuadër për të vazhduar karrierën në vendlindje. Palët nisën edhe një herë bisedimet pas mbylljes së sezonit dhe pas disa javësh negociata, Najdovski mesa duket pranoi të bëhet përsëri pjesë e skuadrës, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

Mbrojtësi sipas burimeve te Tirana kërkoi me ngulm që të ishte kapiteni i skuadrës edhe pse shiriti ishte i Përgjonit. Drejtuesit ia plotësuan dëshirën ose të paktën kështu deklaruan. Çuditërisht lojtari në momentin e fundit, edhe pse ishte kënaqur edhe nga ana financiare nuk pranoi të luante me Tiranën, duke çuditur të gjithë te bardheblutë. E vërteta është vetëm një dhe që zbulohet nga vetë Filip Najdovski.

Filip, pas katër vitesh vendosët të ndani rrugët me Tiranën. Përse ndodhi kjo ndarje pikërisht në vitin që u bëtë kapiten?

Çdo fillim e ka një fund… Pra, pas 4 vitesh të bukura aventura ime në Tiranë mori fund. Do të thosha se shkaku është vetëm një. Zinxhiri i rrethanave dhe ngjarjeve të ndodhura në periudhën e shkuar. Kjo është arsyeja e përfundimit të kësaj aventure.

Ju kemi parë të vini në Tiranë dhe të visheni për stërvitje, të deklarohet se palët firmosën kontratën dhe më pas të largoheni të nesërmen. Mund të na e sqaroni më shumë këtë situatë?

Saktësisht është kështu siç thoni ju. Pas negociatave të gjata me presidentin, ai më bindi të zgjasim marrëveshjen me Tiranën. Dhe firmosa një kontratë, por pas bisedës me trajnerin e ri, konkludova se është mirë të mos qëndroj në klub dhe të kërkoj një klub të ri. Kjo për hir të Tiranës.

Kjo mosmarrëveshje kishte lidhje me sezonin e fundit, flas për ngjarjet nga janari 2024 e në vazhdim?

Kur erdha për të nënshkruar një kontratë të re, do të thotë se i lashë pas vetes gjithçka që ndodhi në janar dhe doja që gjithçka të ishte si më parë mes meje dhe Tiranës.

Ju keni qenë një lider i bardhebluve në katër kampionate. Si do t’i vlerësoni këto katër vite te Tirana dhe çfarë keni marrë me vete nga kjo aventurë?

Katër vite të shkëlqyera, me momente të mira, normale dhe të këqija, por të këqijat ishin të rralla. Në përgjithësi jam i plotësuar. Ishte një nder të luaja për klubin më të madh dhe të vetëm për mua në Shqipëri.

Cili është pengu i Najdovskit dhe maja më e lartë te Tirana për Filipin në aventurën shqiptare?

Tituj, fitore dhe kualifikimet në kompeticionet europiane… sigurisht që janë momentet më të mira për mua. Më e keqja është ajo që ndodhi dy vjet më parë kur na hoqën titullin kampion.

Thonë që kush vesh fanellën bardheblu, mbetet gjithmonë bardheblu. Çfarë prisni nga Tirana?

Mbetem një tifoz i Tiranës. Kështu që po e them. Si të gjithë tifozët, pres një titull. Dihet që te Tirana ambiciet janë gjithmonë të larta.

Pas Shqipërisë, jeni kthyer tek ekipi i mëparshëm, Vardari. Si e shihni këtë sezon në Maqedoni?

U ktheva në shtëpi, dhe jam i lumtur për këtë. Mbi të gjitha, unë dhe të gjithë në klub dëshirojmë që Vardari të kthehet atje ku e ka vendin, që është maja e futbollit maqedonas.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"