EKSKLUZIVE/ Idhull i dy tifozerive, rrëfimi special i Dorian Bylykbashit në prag të duelit Elbasani-Partizani: Ja kush do të fitojë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2024 | 21:40

EKSKLUZIVE/ Idhull i dy tifozerive, rrëfimi special i Dorian Bylykbashit në prag të duelit Elbasani-Partizani: Ja kush do të fitojë (E PLOTË)

Elbasani-Partizani është kryendeshja e kësaj javë në Kategorinë Superiore, me duelin që rikthehet pas nëntë vitesh në elitën në futbollit shqiptar.

Dorian Bylykbashi kur ishte pjesë e Partizanit

Dorian Bylykbashi kur ishte pjesë e Partizanit

Një përballje që i lidh këto dy ekipe me një emër: Dorian Bylykbashi. Ish-fantazisti, idhulli i dy tifozërive dhe mbi të gjitha kapiten tek të dyja skuadrat, flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” në prag të këtij takimi, duke rrëfyer emocionet e tij.

Fantazisti pret një ndeshje të bukur në fushë dhe gjithashtu tribuna mes spektaklit të tifozërive. Ai shpreson që të jetë Elbasani ai që do të fitojë, por për këtë gjë duhet të japë zemrën në fushë. Nga ana tjetër, Bylykbashi e sheh Partizanin si një ekip të konsoliduar prej vitesh dhe kandidatin kryesor për të fituar titullin këtë sezon.

Bylykbashi, rikthehet dueli Elbasani-Partizani pas plot 9 vitesh, madje kur ju keni qenë për herë të fundit në fushë dhe i keni shënuar skuadrës së vendlindjes si pjesë e të kuqve në vitin 2015…

Gjëja e parë pozitive është rikthimi i Elbasanit në Superiore pas shumë vitesh, ku patjetër edhe ky duel i kishte munguar elitës së futbollit tonë. Janë dy ekipe tradite, me tifozeri të zjarrtë, që i kanë dhënë tonin ndër vite futbollit shqiptar. Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet në fushë.

Dy skuadra të veçanta për karrierën tuaj, na trego pak për emocionet e kësaj prag ndeshjeje, si e prisni tashmë si një ish-futbollist?

Patjetër që kam emocione, sepse bëhet fjalë për dy ekipet me të cilat kam kaluar pjesën më të madhe të karrierës sime. Elbasani është qyteti im i lindjes, ku kam hedhur hapat e para në futboll dhe normalisht ka një vend të veçantë në zemrën time. E njëjta gjë edhe për Partizanin, ku kam kaluar kohë të mrekullueshme, duke fituar Kupa apo Superkupa. Tifozëritë më kanë mbështetur dhe do t’i falënderoj për suportin që më kanë dhënë dhe besoj se do të jenë të shumtë edhe në stadium.

Ju për cilin nga ekipet bëni tifo në këtë ndeshje?

Dua t’i ndaj me përqindje: 51 % Elbasani dhe 49 % Partizani (qesh). E thashë, i kam të dyja në zemrën time, por meqë më duhet të zgjedh jam pak më shumë me Elbasanin. Shpresoj mbi të gjitha të jetë një ndeshje e bukur dhe me raste për shënim, pavarësisht se nga ana tjetër mendoj se do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Mendoj se ekipi që do të shfrytëzojë më shumë gabimet e kundërshtarit, do të arrijë ta fitojë edhe këtë takim.

Të dyja ekipet drejtohen nga trajnerë të huaj dhe me shkolla të ndryshme futbolli, kush mendon se do të fitojë sfidën e pankinave?

Nuk besoj se mund të ketë ndonjë ndikim në ndeshje. Shkolla italiane dihet që mbahet shumë për taktikën dhe duke e ndjekur Elbasanin në stërvitje thuajse çdo ditë, mund të them se Bordin po bën një punë të mirë. Për ta fituar këtë ndeshje, Elbasani duhet të japë shpirtin dhe vërë zemrën në fushë, sepse Partizani është më i kompletuar në aspektin që në përbërje ka lojtarë që kanë vite që luajnë bashkë dhe e kanë krijuar një fizionomi të lojës.

Çfarë mendoni se do ta bëjë diferencën në këtë ndeshje?

Partizani mund të konsiderohet tanimë një ekip i konsoliduar, sepse ka vite në nivele të larta dhe ka një grup lojtarësh që luajnë bashkë prej disa kohësh. Nga ana tjetër, Elbasani është një ekip i ri, me staf të ri dhe normalisht do kohën e vet për t’u përshtatur ashtu siç duhet. Diferencën e thashë, kush gabon më pak do të fitojë.

Partizani ndërkohë bind në transferta, a është tregues ky në kampionatin shqiptar apo është ende herët?

Në fakt, në kohët e sotme nuk është se transfertat bëjnë ndonjë diferencë të madhe. E them këtë, edhe për faktin se nuk është më ai presioni i fushës si dikur, sepse përjashto ekipe si Elbasani, Partizani apo Vllaznia që kanë tifozë, në pjesën më të madhe stadiumet janë bosh. Dihet që Partizani çdo vit hyn për t’u shpallur kampion dhe normalisht kështu është edhe këtë sezon.

Sa e vështirë është për një ekip të sapongjitur të rivalizojë në Superiore dhe a mund t’ia dalë Elbasani këtë sezon?

Unë besoj se Elbasani në fund të këtij sezoni do të sigurojë “Final 4”. Normalisht do të jetë e vështirë, sepse me një staf të ri dhe lojtarë të rinj nuk është asnjëherë e lehtë në vitin e parë.

Por, fakti që në këtë fazë janë aty në rangun e ekipeve që pretendojnë, tregon se e ka potencialin për t’ia dalë deri në fund, ku në vazhdim logjika e do që edhe mund të ketë rritje, sepse çdo javë që kalon ekipi bëhet më kompakt dhe e njeh më mirë njëri-tjetrin.

Pastaj, me një penallti të humbur me Tiranën, nëse do të shënohej, do të ishin në vend të parë. Është një ekip që ka investuar shumë dhe pret që këto investime një ditë t’i kthehen mbrapsht.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"