EKSKLUZIVE/ Goditje për Dinamon, Dejvi Bregu mbyll vitin. Ja kur mund të rikthehet vlonjati në fushë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2024 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Goditje për Dinamon, Dejvi Bregu mbyll vitin. Ja kur mund të rikthehet vlonjati në fushë (E PLOTË)

Dinamo dhe trajneri Ilir Daja kanë marrë një lajm të keq: skuadra duhet të bëjë pa Dejvi Bregun në ndeshjet e mbetura të 2024-ës.BREGUNjë nga lojtarët më të mirë të bluve është dëmtuar në derbin me Partizanin dhe me shumë mundësi i ka humbur ndeshjen e mbetura të këtij viti kalendarik. Vërtet për të ardhur keq, pasi Bregu po kalonte një moment shumë të mirë, me 5 gola të shënuar me fanellën e kryeqytetasve deri tani. Trajneri Ilir Daja, i cili e kishte kristalizuar formacionin, duhet të bëjë sërish ndërhyrje.

DËMTIMI – Çfarë ndodhi në derbin me Partizanin, ku Bregu u dëmtua? Lojtari i Dinamos u shkel nga Zeka i të kuqve dhe nuk arriti ta mbyllte ndeshjen. Pas vizitave që ka kryer më pas, ka rezultuar se vlonjati ka thyer një nga gishtat e këmbës së majtë dhe duhet të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale sipas mjekëve. Operacioni pritet të bëhet këto ditë, në mënyrë që lojtari të ketë mundësinë për të filluar sa më parë fazën e riaftësimit. Në një rast të tillë, kërkohen katër deri në gjashtë javë kohë për ta kaluar këtë dëmtim.

Ndërhyrja është e pashmangshme dhe ky fakt e ka pezmatuar sulmuesin 29- vjeçar, pasi kishte arritur formën optimale dhe po e ndihmonte skuadrën kryeqytetase me lojën dhe golat e tij. Duket se blutë po i përndjek fati i keq, pasi disa javë më parë ishte mbrojtësi Rustem Hoxha ai që theu gishtin e madh të këmbës gjatë ndeshjes me Vllazninë dhe ende nuk është rikuperuar.

ALTERNATIVAT – Mungesa e Dejvi Bregut pa dyshim që do të ndihet te Dinamo për ndeshjet në vazhdim, duke nisur nga ajo me Skënderbeun në Korçë. Megjithatë, në organikën blu nuk mungojnë alternativat. Lorenco Vila është i pari që mund të marrë vendin e Bregut në të majtë të sulmit. Sulmuesi durrsak është aktivizuar herë si titullar dhe herë nga stoli javët e fundit, ndërsa tani ka rastin të tregojë se mund t’i shërbejë Dinamos me kualitetin që disponon.

Vila ka shënuar një gol këtë kampionat, atë në derbin e fazës së parë me Partizanin. Të tjerë lojtarë që mund të “përfitojnë” nga dëmtimi i Bregut janë Karamba, Nani, Zhordi e ndonjë tjetër. Deri në sfidën e Korçës në fund të javës së ardhshme trajneri Daja ka në dispozicion kohën e nevojshme për të provuar të gjitha alternativat dhe për të zgjedhur lojtarin më adapt për ta hedhur në fushë nga minuta e parë.

SITUATA – Përveç Bregut, blutë kanë ende të dëmtuar edhe Hoxhën e Rufatin, ndërsa Muzek duket se e ka mbyllur sezonin, pasi duhet të kryejë ndërhyrje kirurgjikale pas dëmtimit në gju. Pas modifikimeve të bëra në prapavijë, tani trajneri Daja duhet të ndryshojë edhe repartin e sulmit, që po funksiononte mirë kohët e fundit, duke shënuar sistematikisht.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"