EKSKLUZIVE/ Goditje finale në merkaton e verës, Elbasani merr portierin e Ganës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2024 | 22:19

EKSKLUZIVE/ Goditje finale në merkaton e verës, Elbasani merr portierin e Ganës

Elbasani bën edhe goditjen e fundit në merkato. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se verdheblutë kanë arritur marrëveshjen me portierin e kombëtares së Ganës, Razak Abalora.

Razak-Abalorah

Një goditje që ka ardhur orët e fundit para mbylljes së merkatos, duke plotësuar kështu edhe dëshirën e fundit të trajnerit Roberto Bordin, i cili kërkonte një portier pas largimit të italianit Xhuzepe Agostino për shkak dëmtimi. Ganezi pritet të zbarkojë sot në Elbasan dhe të hedhë firmën nën kontratë, duke iu bashkuar kështu “kolonisë” së shumtë të lojtarëve të afruar në merkaton e verës.

KARRIERA – Të dhënat e portierit të ri të Elbasanit janë vërtet mbresëlënëse, pasi ka një karrierë të pasur dhe me trofe. Sezonin e fundit ai ka mbrojtur portën e Petrokub në kampionatin moldav, ndërsa tri sezone më herët ka qenë pjesë e Sherif Tiraspolit.

Me këtë skuadër ka fituar gjithçka, tre tituj kampion dhe po kaq Kupa. Dy trofe, kampionatin dhe Kupën në sezonin 2022-2023 i ka fituar së bashku me trajnerin Bordin, që drejtonte Sherifin në Moldavi. Me sa duket, bëhet fjalë për një njohje të vjetër të trajnerit italian, i cili ka kërkuar shërbimet e tij edhe në radhët e Elbasanit.

Abalora është 27 vjeç dhe 194 cm i gjatë, numëron edhe 4 takime me përfaqësuesen e Ganës dhe vlera e tij aktuale në treg është 275 mijë euro. Karrierën e ka nisur në vendlindje dhe pastaj ka kaluar në Moldavi me Sherif Tiraspolin. Tani do të kërkojë të fitojë trofe edhe me Elbasanin, duke u bashkuar edhe me ish-trajnerin e tij.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"