EKSKLUZIVE/ “Garë interesante me Egnatian dhe ekipet tradicionale”, rrëfehet Dejvi Bregu: Pse zgjodha Dinamon dhe e vërteta me Flamurtarin
Pas tre sezonesh Superiores i rikthehet një nga lojtarët e saj më të mirë, Dejvi Bregu. Vlonjati ka nënshkruar për 3 vjet me Dinamon dhe nga dje ka nisur aventura e tij blu ka nisur edhe në terren.Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi anësor tregon pse vendosi të luajë për “Nëndetësen”, sqaron zërat që e lidhën me Flamurtarin dhe jep gjykimin e tij në lidhje me kampionatin që starton ditën e diel. Bregu nuk bën premtime, gjithçka ia la fushës si treguesi më i mirë, por beson se do të arrijë diçka të bukur me Dinamon, ku rigjen disa ish-shokë skuadre. Blutë nisën dje në Arbanë përgatitjet për ndeshjen me Egnatian.
Bregu, riktheheni në Superiore pas 3 sezonesh. Pse vendosët që të firmosni për Dinamon?
Ishte presidenti Adrian Bardhi arsyeja kryesore që firmosa për Dinamon. Kemi marrëdhënie shumë të mira që nga koha kur isha pjesë e Teutës pak vite më parë. Ai jo vetëm tani para se të vija te Dinamo, por edhe gjatë kohës që kam luajtur jashtë Shqipërisë është interesuar vazhdimisht për mua. Tani erdhi momenti që të bashkëpunojmë sërish.
Pati edhe zëra për një kalim të mundshëm tuajin te Flamurtari. Si qëndron e vërteta?
E vërteta është që unë jam takuar me Pollozhanin, jemi shokë që nga koha kur kemi luajtur bashkë te Skënderbeu. Jam takuar për mirësjellje dhe i kam thënë se po shikoja një ofertë nga Turqia dhe se kisha edhe oferta të tjera. Por nuk kam bërë asnjë premtim se do të luaj për Flamurtarin. Nëse do ta kisha bërë, sot do të isha në Vlorë. E vlerësoj interesimin e tyre dhe qëndrimin e administratorit Idrizi, i cili ka thënë se e kam derën të hapur. Edhe dera ime është dhe mbetet e hapur për Flamurtarin, është ekipi i qytetit tim. Kjo është e gjithë historia, tani jam lojtar i Dinamos.
Ju bindi vetëm presidenti Bardhi, apo edhe fakti që Dinamo është emër i madh dhe luan në Superiore?
Janë të dyja bashkë. Tashë se ishte këmbëngulja e presidentit Bardhi, më bindi projekti që ai ka për Dinamon, por edhe fakti që vij në një klub me emër, një klub me histori në futbollin shqiptar. Tani shpresoj që çdo gjë të shkojë mbarë për mua dhe skuadrën.
Si e gjen Dinamon në këtë moment, kur pjesë e saj janë edhe disa lojtarë, me të cilët keni luajtur?
Dinamon e gjej shumë mirë, presidenti më ka folur për organizimin dhe atë çfarë do të synojmë të arrijmë. Po, gjej disa ish-shokë skuadre, duke nisur nga kapiteni Dita, me të cilin kemi qenë bashkë te Skënderbeu, ashtu si dhe me Meksin. Po ashtu janë edhe Rustem Hoxha dhe Lorenco Vila, me të cilët kemi luajtur te Teuta dhe kemi fituar titullin. Sigurisht, janë edhe lojtarët e tjerë, që do t’i njoh tashmë dhe të gjithë bashkë besoj se do të bëjmë diçka të mirë për Dinamon. Aty ku punohet, mendoj se edhe rezultatet do të vijnë.
Skuadra juaj e re vjen në fakt nga një tranzicion i gjatë dhe këto 2-3 vitet e fundit synon të shkojë në majat e futbollit shqiptar si dikur. A mendon se mund t’ia dalë sezonin e ri, bashkë me ju?
Patjetër që besoj. Jo se do të jem unë, pasi një lojtar nuk mund të bëjë asgjë, por se mendoj se do të kemi një skuadër të fortë, që mund të konkurrojë denjësisht në Superiore. Unë nuk jam nga ata që bëjnë premtime, gjithçka ia lë fushës, që për mua është treguesi më i mirë në futboll.
Nuk keni qenë me skuadrën për fazën përgatitore. A jeni gati për të luajtur që në fillim?
Gjatë kësaj kohe jam stërvitur me një trajner personal, me Arlind Rustemin, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Normalisht, nuk jam në ritmin e lojtarëve që kanë bërë fazën përgatitore me skuadrën, por besoj se nuk do të më duhet shumë kohë për të kapur edhe unë ritmin e tyre.
A e keni ndjekur Superioren gjatë kohës që keni qenë në Turqi dhe Poloni. Si ju është dukur dhe çfarë prisni këtë sezon?
E kam ndjekur, por jo shumë, të them të drejtën. Kam qenë i angazhuar me skuadrën time, kam luajtur ndeshjet shpesh në të njëjtën kohë, megjithatë ndeshjet kryesore i kam parë. Mendoj se ka pasur garë interesante. Egnatia dy sezonet e fundit ka bërë mirë, është kampione në fuqi dhe kundërshtari ynë i parë në kampionat. Por edhe skuadrat tradicionale të futbollit shqiptar janë gjithmonë aty, duke luftuar për trofe. Për sezonin e ri mendoj se do të ketë konkurrencë dhe kjo është pozitive për garën. Ne do të përpiqemi të japim gjithçka për të Dinamon, duke punuar me të gjitha forcat tona së bashku. Pastaj, siç e thashë, gjithçka e tregon fusha. Mund të flasim shumë tani, por vlerë ka vetëm ajo që do të bëjmë në fushën e lojës.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"