EKSKLUZIVE/ Flamurtari në kërkim të trajnerit të ri, planifikohet një rikthim i bujshëm pas 12 vitesh
Flamurtari po punon intensivisht për ndërtimin e skuadrës dhe stafit teknik për sezonin e ri, ndërsa në ambientet e klubit vlonjat po qarkullon gjithnjë e më shumë emri i një trajneri që ka lënë gjurmë në historinë e kuqezinjve.

Bëhet fjalë për Ernest Gjokën, i cili mund të rikthehet në stolin e Flamurtarit pas plot 12 vitesh. Burime pranë klubit bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se emri i teknikut kryeqytetas është një nga alternativat serioze që po shqyrtohen nga drejtuesit për drejtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Përvoja e gjatë e Gjokës në futbollin shqiptar, si dhe njohja e mirë e kësaj kategorie, konsiderohen avantazhe të rëndësishme për një klub që synon rikthimin sa më të shpejtë në Superiore.
NJË FIGURË E DASHUR NË VLORË
Ernest Gjoka nuk është një emër i panjohur për tifozët vlonjatë. Ai drejtoi Flamurtarin në periudhën 2012-2014, në një nga momentet më të rëndësishme të historisë së viteve të fundit të klubit. I emëruar fillimisht nga presidenti i atëhershëm Shpëtim Gjika, Gjoka vijoi punën edhe gjatë periudhës së tranzicionit kur drejtimin e klubit e mori Sinan Idrizi. Gjatë aventurës së tij në Vlorë, tekniku ndërtoi një skuadër konkurruese dhe solli një nga sukseset më të rëndësishme të klubit, fitimin e Kupës së Shqipërisë. Një trofe që ende kujtohet me krenari nga tifozët kuqezi dhe që e mban emrin e Gjokës të lidhur fort me historinë e Flamurtarit.
KARRIERË E PASUR
Pas eksperiencës me Apoloninë dhe Flamurtarin, Gjoka ndërtoi një karrierë të rëndësishme në futbollin shqiptar, duke drejtuar skuadra si Kukësi, Vllaznia, Kamza dhe Skënderbeu. Ai ka punuar gjithashtu edhe jashtë Shqipërisë, me klube si Shkëndija e Tetovës, Shkupi në Maqedoninë e Veriut, si dhe Ohod në Arabinë Saudite. Përvoja e grumbulluar ndër vite e ka shndërruar atë në një nga trajnerët më të vlerësuar në vend. Një tjetër element që forcon kandidaturën e tij është njohja e shkëlqyer e Kategorisë së Parë. Vetëm pak kohë më parë, Gjoka udhëhoqi Skënderbeun drejt rikthimit në Superiore, duke konfirmuar aftësinë për të menaxhuar presionin dhe për të ndërtuar skuadra fituese.

TELEFONATA QË NDEZI ZËRAT
Burime pranë klubit konfirmojnë se së fundmi ka pasur kontakte mes presidentit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, dhe Ernest Gjokës. Sipas informacioneve të siguruara nga “Panorama Sport”, palët kanë zhvilluar një bisedë telefonike, fakt që ka shtuar ndjeshëm zërat për një rikthim të mundshëm të teknikut në Vlorë. Deri tani nuk ka detaje konkrete mbi përmbajtjen e bisedës dhe asnjëra palë nuk ka bërë deklarata publike. Megjithatë, komunikimi mes tyre shihet si një sinjal se mund të ketë zhvillime të rëndësishme në ditët në vijim.
PRITET VENDIMI PËRFUNDIMTAR
Flamurtari synon të ndërtojë një projekt ambicioz për sezonin e ri, me objektivin e vetëm, rikthimin direkt në Superiore. Për këtë arsye, zgjedhja e trajnerit konsiderohet një nga vendimet më të rëndësishme të verës. Ernest Gjoka mbetet një nga kandidatët kryesorë falë eksperiencës, rezultateve të arritura dhe lidhjes së fortë që ka me historinë e klubit vlonjat. Tashmë mbetet të shihet nëse kontaktet e para do të konkretizohen në një marrëveshje zyrtare. Një gjë është e sigurt: rikthimi i Gjokës në stolin kuqezi do të ishte një nga lajmet më të bujshme të kësaj vere për Flamurtarin.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













