EKSKLUZIVE/ Flamurtari, me borxh 2.5 miliardë lekë në Tatime. Klubi gjen zgjidhjen alternative për kalimin e pagave të lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2024 | 16:20

EKSKLUZIVE/ Flamurtari, me borxh 2.5 miliardë lekë në Tatime. Klubi gjen zgjidhjen alternative për kalimin e pagave të lojtarëve

Flamurtari i Sinan Idrizit, prej kohësh nuk ka probleme me pagesat e futbollistëve dhe stafit, madje ka bërë shpenzime deri diku të çmendura, duke afruar lojtarë që kërkojnë rroga shumë të larta për nivelin e kampionatit të Kategorisë e Parë.flamurtariPor, Flamurtari sot si klub apo si institucion, ka një çështje të hapur me organet shtetërore. Klubi ka arritur të akumulojë një borxh të frikshëm në Tatime. “Panorama Sport” zbulon nga burime pranë Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Vlorë, se detyrimi ka arritur rreth 2.5 miliardë lekë. Në nëntorin e vitit 2019, borxhi ndaj Tatimeve kishte kapur shifrën e 1.4 miliardë lekëve, ndërsa janari i vitit 2020 e gjeti klubin vlonjat me një detyrim plus 56 milionë lekë.

Detyrimi vazhdon të rritet prej kamat vonesave. Për çdo muaj që klubi nuk shlyen detyrimet në Tatime, borxhi rritet me 20%. Pagesa minimale e një lojtari në muaj për sigurimet shoqërore shkon në rreth 220 mijë lekë të vjetër. Veç sigurimeve shoqërore, klubit i shtohet edhe një shumë e konsiderueshme edhe për taksat personale të futbollistëve, pasi tatimi mbi të ardhurat personale është i lartë.

Mësohet se vetëm për sigurimet shoqërore të lojtarëve, Flamurtari duhet të paguajë rreth 28 milionë lekë të vjetër në muaj. Shuma është rritur për shkak se Flamurtari nuk ka paguar prej vitesh, por edhe për faktin tjetër që klubi e ka të lartë shumën që duhet të paguajë, pasi sipas Tatimeve, deklaron pagat reale që kanë kontratat e lojtarëve. Kësisoj, borxhi është rritur së tepërmi, duke shkuar në gati 2.5 miliardë lekë, por që prej 7 vitesh llogaritë zyrtare bankare të klubit janë të bllokuara, për shkak të këtij detyrimi ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve.

REFUZIMI Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Vlorë i ka ofruar Flamurtarit si lehtësi pagesën me këste të këtyre detyrimeve, por nga klubi nuk u hodh asnjë hap për të realizuar pagesat. Gazeta zbulon se kjo mënyrë e likuidimit të borxhit iu ofrua klubit në kuadër të ndryshimeve të reja ligjore, ku për subjektet që kanë ortak shtetin, si në rastin konkret, klubi ka bashkinë, pagesat e detyrimeve tatimore të mund të bëhen me këste. Por, administratori Sinan Idrizi nuk ndërmori asnjë veprim për të pranuar këtë marrëveshje. Edhe sot e kësaj dite, borxhi në Tatime është i hapur, madje rritet ende për shkak të kamatëvonesave.

PAGAT Flamurtari i ka të bllokuara llogaritë bankare të klubit. Por kjo situatë nuk ndikon aspak në mbarëvajtjen e aktivitetit financiar dhe sportiv të klubit. Gazeta mëson se klubit ka gjetur një tjetër mundësi për kalimin e pagave të futbollistëve dhe stafit. Gjithçka realizohet nga llogaritë e disa kompanive të tjera me të cilat Sinan Idrizi bashkëpunon. Këto kompani të huaja realizojnë pagesat përmes llogarive të tyre bankare. Nuk dihet se sa do të zgjas kjo mënyrë pagese, por gjasat janë për shumë kohë, deri sa nuk ka asnjë tentativë për të paguar detyrimet tatimore të prapambetura.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"