EKSKLUZIVE/ Ertjan Kofsha shkëlqen në Europianin e shtangës, trajneri Toska: E mbajtëm fjalën, por nuk ndalemi këtu
Ertjan Kofsha ka bërë një paraqitje fantastike në Kampionatin Europian U-20 që po mbahet në Raszyn të Polonisë.19- vjeçari shtërmenas i ka justifikuar të gjitha pritshmëritë, duke u shpallur kampion i Europës në stilin e shkëputjes si dhe nënkampion në shtyje dhe dygarësh. Një paraqitje e jashtëzakonshme e Kofshës, që tregon edhe një herë se mbetet e ardhmja e madhe e peshëngritjes shqiptare, e cila për hir të së vërtetës po kalon momente shumë të vështira me të rriturit.
GARA – Ertjan Kofsha konkurroi mesditën e djeshme në Baterinë A të kategorisë së peshave 96 kg. Shtangisti i talentuar kuqezi u tregua menjëherë protagonist absolut, teksa me rezultatin 162 kg, u shpall kampion i Europës, duke varur në qafë medaljen e parë të artë në këtë kompeticion. Por rezultatet e shkëlqyera të tij do të vijonin edhe stilin e shtytjes, aty ku Kofsha realizoi me sukses peshën 192 kg, duke fituar titullin nën-kampion të Europës. Me 354 kg në total, peshëngritësi kuqezi regjistroi titullin nën-kampion dhe në dygarësh, për ta mbyllur eksperiencën e tij në Poloni me tri medalje, një ari dhe dy argjendi. Momente krenarie në fund, me flamurin e Shqipërisë që u shfaq në podiumin e evenimentit më të rëndësishëm kontinental të moshave.
FLET TRAJNERI – Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Kombëtares dhe i Shtërmenit, Leonard Toska, ka komentuar garën e sportistit të tij në Poloni.
“Jam shumë i lumtur për këtë rezultat fantastik. Kishim premtuar medalje të artë dhe ja arritëm qëllimit. Një bravo e madhe për Ertjan Kofshën që shkëlqeu edhe në këtë garë shumë të fortë. Ai mbetet e ardhmja e madhe e peshëngritjes shqiptare. Ishim përgatitur intensivisht për këtë garë dhe e dinim që na raste një betejë e fortë, por ia dolëm me sukses”, shprehet fillimisht Toska, i cili njihet si një prej njerëzve më punëtor në komunitetin e shtangës.
Më tej trajneri shtërmenas analizoi garën: “Vendin e parë në shkëputje e prisnim, pasi Kofsha bëri një garë shumë të bukur dhe u shpërblye. Në shtytje për fat të keq nuk arritëm do të zinim vendin e parë, pasi dogjëm provën e dytë. Gjithsesi jemi të kënaqur me medaljen e argjendit, rezultat që e arritëm edhe në dygarësh. Nuk duhet të harrojmë që kishim përballë talentet më të mirë të Europës, po ne ia dolëm. Kofsha është një peshëngritës që po trondit Europën dhe Botën dhe suksese të tjera të mëdha na presin. Do vazhdojmë me këtë ritëm dhe në garat e tjera, për të ngritur sa më lartë flamurin kuqezi. Gjithashtu dua të falënderoj edhe të gjithë ata që na kanë mbështetur, federatën dhe Bashkinë Cërrik”, përfundoi Toska.
MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"