EKSKLUZIVE/ Emiljano Musta rrëfen rikthimin te Elbasani: Sukses po kapëm Europën
Emiljano Musta la Anglinë për t’iu bashkuar ekipit të vendlindjes së tij gjatë merkatos së kësaj vere. Mbrojtësi ka marrë menjëherë një rol protagonisti në ekipin e drejtuar nga Roberto Bordin dhe shihet si një ndër lojtarët më me eksperiencë të verdhebluve këtë edicion.Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, 32-vjeçari e nis me një falënderim për besimin që i dhanë drejtuesit, duke ditur se për disa muaj ishte larguar jashtë për çështje familjare. “Fillimisht u jam mirënjohës drejtuesve që më dhanë besimin për t’u rikthyer dhe të jap kontributin për skuadrën e qytetit tim, duke ditur se pak muaj isha jashtë vendit për çështje familjare. Personalisht kam një detyrim përtej një futbollisti që të jap maksimumin tim dhe të përligj besimin që më dhanë”, u shpreh fillimisht Emiljano Musta.
TEUTA – Në vijim, mbrojtësi flet rreth ndeshjes së radhës me Teutën, të cilën e sheh si delikate, por ka besim se skuadra do t’ia dalë të marrë tri pikët. Ai pret edhe një mbështetje të madhe nga tifozët.
“Vijmë pas një barazimi në Korçë javën e kaluar dhe tani duam që të sigurojmë edhe tri pikët e para në kampionat. Përballë kemi një skuadër si Teuta që ka mjaft eksperiencë dhe traditë në futbollin shqiptar, por ne do të japim maksimumin para tifozëve tanë që të dalim me fitore. Besoj se edhe ata do të jenë të shumtë ditën e hënë. Nuk do ta kemi të lehtë, por jemi të mobilizuar për të dalë me fitore”, u shpreh më tej mbrojtësi i Elbasanit.
DETYRAT NË MBROJTJE – Musta i ka provuar të gjitha pozicionet në krahun e majtë të fushës, nga mbrojtja në sulm, por tani tek Elbasani, për shkak të nevojave të skuadrës ka luajtur edhe në qendër të mbrojtjes. Ai zbulon se nuk e ka problem një fakt të tillë, mjafton që t’i shërbejë ekipit.
“Më është kërkuar nga trajneri që të shoh në atë pozicion, sepse më thotë se kam eksperiencën e duhur. Por, normalisht unë jam i gatshëm që të luaj në çdo pozicion që më kërkohet dhe të jap maksimumin për ekipin e qytetit tim”, sqaroi 32-vjeçari rreth rolit të ri që ka provuar te verdheblutë.
TITULLI – Musta është një lojtar i shumë shëtitur në disa skuadra elitare të vendit tonë, ku së fundmi deri në muajin janar ishte pjesë e rrogozhinasve që në fund u shpallën kampion, me mbrojtësin që gjatë dy fazave të para dha ndihmën e tij për të realizuar këtë objektiv. Mirëpo, për shkak të largimit të tij, nuk u premjua dot, gjë që shpreson ta bëjë me Elbasanin në një të ardhme.
“Ne jemi të vetëdijshëm që jemi një ekip i ri dhe kemi nevojë për kohë. Çdo gjë e mirë do kohën e saj, ku mendoj se do të ishte sukses nëse do të merrnim pjesë në garat Europiane. Por, patjetër që unë si të gjithë e dua një titull me Elbasanin, por në situatën ku jemi kemi për detyrë të rritemi dhe të marrim sa më shumë pikë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Emiljano Musta.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"