EKSKLUZIVE/ Elbasani drejt shitjes, sot mbledhje vendimtare. Ja sa vlejnë aksionet
E sotmja pritet të jetë vendimtare për futbollin në Elbasan. Thuajse dy vite e gjysmë pasi bashkia krijoi skuadrën AF Elbasani, më 21 qershor 2021, ky institucion është gati të shesë një pjesë të aksioneve të saj.
“Panorama Sport” mëson se Bashkia e Elbasanit i ka bërë një propozim Këshillit Bashkiak për të marrë miratimin e shitjeve sipas procedurave ligjore të një pjese të aksioneve. Mbledhja e radhës e Këshillit do të bëhet ditën e sotme, ku edhe pritet që t’i hapet rruga shitjes së aksioneve, të cilat gjithsesi nuk do të shiten të gjitha, sepse bashkia do të mbajë një pjesë të tyre.
AKSIONET DHE ANKANDI
Gazeta arrin të zbardhë të plotë edhe propozimin që i është bërë Këshillit Bashkiak dhe që është miratuar nga komisionet përkatëse. Sipas shkresës, citohet ndër të tjera se arritja në Superiore dhe krijimi i një ekipi konkurrues nuk mund të bëhen pa një financim, sipas kushteve aktuale të tregut dhe oportuniteteve financiare që krijon menaxhimi i një shoqërie tregtare. Sa i përket shitjes, aksionet vlerësohen aktualisht në vlerën 19.279.000 lekë (të rinj).
Në bazë të projektvendimit të dorëzuar në Këshill, propozohet që të shiten vetëm 70% e këtyre aksioneve, me vlerë fillestare të ankandit 13.838.650 lekë (të rinj). Pra, me pak fjalë, mazhoranca t’i kalojë një sipërmarrësi privat, ndërsa institucioni vendor të mbajë për momentin vetëm 30% të aksioneve të këtij klubi futbolli. Nën drejtimin e bashkisë, AF Elbasani arriti që për dy sezone të korrte rezultate mbresëlënëse, sepse i ngjiti menjëherë shkallët për të shkuar deri në Kategorinë e Parë, ku edhe po pretendon ngjitjen në Superiore. Deri më tani, klubi është mbajtur nga buxheti i bashkisë dhe donacionet nga biznese apo individë të ndryshëm.
PALËT E INTERESUARA
Pas miratimit në Këshill Bashkiak për shitjen e 70% të aksioneve do të hapet gara për palët e interesuara. Aktualisht, të paktën publikisht ka qenë Kujtim Llupa, që ka shfaqur interesin për t’i blerë këto aksione dhe gjatë këtij sezoni ka qenë pranë skuadrës. Gjithsesi, deri në hapjen e procedurave për shitjen ndoshta në skenë dalin edhe palë të tjera të interesuara. Elbasani është një emër i madh në futbollin shqiptar që ngjall interesin e shumë biznesmenëve për të investuar në këtë klub.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"