EKSKLUZIVE/ Elbasani blindon mbrojtjen, pranë akordit me futbollistin nga Mali i Zi
Elbasani nuk ka të “ngopur” me afrimet në merkato. Burime të besueshme të “Panorama Sport” tregojnë ekskluzivisht se verdheblutë janë pranë akordit me një qendërmbrojtës malazez, Emir Azemoviç.
Bëhet fjalë për një futbollist që vlerën në treg e ka 500 mijë euro dhe është në kulmin e karrierës. Parametrat fizikë flasin për një lojtar gjigant, 1.93 metra të gjatë. Mbrojtësi 27-vjeçar, me pasaportë serbe dhe malazeze, prej kohësh ka qenë në bisedime intensive me verdheblutë dhe gjasat janë që shumë shpejt që marrëveshja të mbyllet me sukses, ndonëse kanë mbetur ende disa detaje për t’u saktësuar.
Edhe në këtë rast drejtuesit elbasanas janë “kujdesur” për të marrë lojtarë, të cilët kanë milituar më herët në kombëtaren e vendit të vet, pasi edhe Azemoviç ka qenë pjesë e Malit të Zi U-21. Roli i tij natyral është ai i qendërmbrojtësit, por ka provuar të bëjë edhe mesfushorin difensiv.
Azemoviç aktualisht është një lojtar i lirë në treg. Më parë ai ka luajtur me Novi Pazarin në kampionatin serb, por ka dalë nga moshat e Partizanit të Beogradit. Ka kaluar më pas te gjigandët e Benfikës në Portugali, në ekipin e dytë. Vlen te theksohet se ka luajtur edhe në Slloveni me skuadrat e Domzhales dhe Aluminij, si dhe në Poloni me Rakov dhe në Serbi me Kolubara.
Nga të dhënat duket se bëhet fjalë për një lojtar që ka luajtur në nivele të mira dhe nëse kjo marrëveshje do të konkretizohej me sukses, atëherë mund të cilësohej si një goditje. Për qendrën e mbrojtjes Elbasani ka afruar edhe dy lojtarë të tjerë më parë, Bruno Lulajn, i graduar edhe kapiten tashmë, si dhe Harallamb Qaqin.
MERKATO – Me Azimoviç, numri i afrimeve tek Elbasani do të shkonte në 13, por asnjëherë nuk mund të thuhet se do të jetë i fundit. Edhe pse skuadra është praktikisht “e blinduar” në të gjitha rolet, nëse në skenë do të dalë ndonjë lojtar tjetër me cilësi, drejtuesit nuk do të kursehen. Vetëm për ndonjë sulmues ndoshta dera do të ishte e hapur, duke qenë se mungon një lojtar në qendër të këtij reparti që të garantojë golat.
Gjithsesi, deri në mbylljen e merkatos ka ende ditë përpara dhe trajneri Bordin mund t’i gëzohet ndonjë tjetër dhurate. Synimi i verdhebluve është “Final 4”, ndaj dhe drejtuesit nuk janë kursyer aspak deri tani.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"