EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka marrë maksimumin nga ajo çfarë ka shfaqur”, ish-drejtuesi Shaba: Brdariç të lihet i qetë, Vllaznia më bind (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2024 | 19:21

EKSKLUZIVE/ “Ekipi ka marrë maksimumin nga ajo çfarë ka shfaqur”, ish-drejtuesi Shaba: Brdariç të lihet i qetë, Vllaznia më bind (E PLOTË)

Kujtim Shaba mendon se Vllaznia do të luajë deri në fund për titullin kampion.shabaNë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, figura shkodrane foli për kuqeblutë, si edhe pranoi se Brdariç po e çon skuadrën në rrugën e duhur. Sipas tij, vetëm me Elbasanin dhe Dinamon, skuadra mund të kishte marrë më shumë, ndërsa në fushë ka treguar futboll të bukur.

Shaba, një Vllazni kompakte në këtë fund faze të parë apo jo?

Mund të them një Vllazni në rritje nga java në javë. Kampionati u nis me një ritëm të ulët, dhe kjo e kuptueshme për çdo skuadër në një sezon të ri. Skuadra më ka pëlqyer, sepse ka ditur ta ringrejë veten dhe të japë futboll cilësor, që e kërkojnë të gjithë në Shkodër. Mendoj se Vllaznia i ka mundësitë akoma për më shumë.

Çfarë doni të thoni me pjesën “akoma për më shumë”? Për lojëra, për futboll cilësor dhe dominues. Unë shoh te Vllaznia një ekip me kualitete. Ekipi ka një sulmues si Balaj, i cili është më i miri i kampionatit. Një mesfushor si Krymi që e kanë zili gjithë Superiorja. Një Mala që është rikthyer në formë si më parë. Apo edhe Qato, i cili më ka surprizuar për mirë. Duke mos harruar edhe djemtë e rinj që po tregojnë se nuk kemi folur kot ndër vite.

Një qasje tjetër e drejtuesve, por edhe stafit teknik ndaj të rinjve këtë edicion? E kam thënë prej vitesh, Vllaznia nuk ka nevojë të importojë pa fund. Patjetër lojtarët e huaj apo nga qytetet e tjera duhen, por kur bëjnë diferencë me ata që ke aty. Djemtë e rinj po tregojnë se sa herë janë në fushë kthehen në protagonistë. Jo më kot edhe Dodaj së fundmi ishte njeriu i ndeshjes kundër Elbasanit. Pra, Vllaznia duhet të menaxhojë dhe të japë shansin ndaj këtyre elementëve në kohën e duhur

Mund të kishte bërë më mirë skuadra në këtë periudhë?

Besoj se ka marrë thuajse maksimumin nga ajo çfarë ka shfaqur. Kanë ardhur dy humbje, por të dyja në transfertë dhe kur skuadra ishte me një lojtar më pak. Që tregon forcën e kuqebluve kur në fushë janë 11 lojtarë. Ndoshta si pasojë e fatit jo të mirë, mund të kishin merituar diçka më shumë në ndeshjet kundër Dinamos dhe Elbasanit. Në futboll nuk ka kurrë laps e letër të saktë dhe këto rezultate janë të pranueshme në fund.

Po e kthen Brdariç skuadrën aty ku duhet? Trajneri duhet të lihet të punojë. Është ky trajner me të cilin jemi kënaqur kur erdhi herën e parë tek skuadra. Besoj se po i jep “shkëndijat” e kthimit të stilit të tij sulmues. Edhe kundërshtarët tashmë e njohin Brdariç, por dhe futbollin që ai aplikon. Prandaj gjithçka është më e vështirë se herën e parë. Skuadra duket në rrugën e mbarë me gjermanin.

Ndeshja e radhës fundjavën tjetër kundër Laçit, Vllaznia vetëm për fitore? Laçi është gjithmonë një ekip i vështirë sidomos në fushën e tij. Pavarësisht se nuk po kalon një moment pozitiv, ata janë “të uritur” e me patjetër do kërkojnë pikë. E them, se Vllaznia me zgjuarsi dhe kualitet mund të marrë një rezultat pozitiv dhe të vijojë me formën e mirë.

Në fund një mendim për Superioren e këtij sezoni, kush janë kundërshtarët direktë të Vllaznisë? Shoh një kampionat shumë të balancuar dhe që në syrin tim i ka rënë cilësia. Prandaj asnjë ekip nuk bën diferencën momentalisht siç bënte Egnatia sezonin e shkuar. Kundërshtarë të Vllaznisë besoj se do jenë sërish Partizani dhe Egnatia. Ndërkohë nuk shoh aq pas as Elbasanin, Dinamon dhe Tiranën. E ndërsa nuk përjashtoj ndonjë surprizë si Teuta. Siç po e shikon thuajse përmenda gjithë ekipet e Superiores dhe kjo tregon barazinë e këtij sezoni, ku çdo rezultat është i pritshëm.

ENDRI ÇINARI -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"