EKSKLUZIVE/ Egbo rrëfen Bylisin: Ballshi, dashuri me shikim të parë
Emanuel Egbo, trajneri kampion me Tiranën, pas eksperiencave me Prishtinën në Kosovë, apo dhe në Arabinë Saudite, rikthehet aty ku e nisi, te Bylisi. Nigeriani e ka bërë debutimin si trajner pikërisht në Ballsh, një dekadë më parë, ndërsa sot rikthehet në shtëpi, në një klub ku ka kontribuuar edhe në futbollin e luajtur.
Egbo ka besimin dhe adhurimin e publikut vendas, që çdo ditë e ndjek në stërvitje. Pas disa ditësh stërvitjeje në drejtim të Bylisit, Egbo tregon në një intervistë për “Panorama Sport” synimet e tij me ballshiotët. Trajneri flet gjithashtu për gjendjen e skuadrës, për merkaton e natyrisht edhe miqësoret që janë në plan nga ai dhe stafi i tij për t’u zhvilluar në këtë periudhë përgatitore…
Egbo, nga Ballshi… te Bylisi, por 10-vite më vonë dhe me shumë eksperiencë tashmë mbi supe nga ju. Si e gjeni ekipin dhe çfarë ju bindi?
Bylisi dhe Ballshi janë për mua “dashuri me shikim të parë”. Kishim biseduar me presidentin dhe ramë dakord që të bashkëpunojmë sërish, pasi siç dihet ai është padyshim miku im më i mirë në futbollin shqiptar. Pastaj me ngacmoi dhe nostalgji për Ballshin dhe për ato 10-vite të mrekullueshme që unë kam kaluar në këtë qytet dhe në këtë klub. Jemi këtu për ndërtimin e një ekipi simpatik.
Sa e njihni këtë grup lojtarësh, duke qenë se keni vetëm pak ditë që i stërvitni?
Kam pak ditë që punoj, por i kam parë një pjesë të lojtarëve të këtij grupi që kanë luajtur shumë në Kategorinë e parë, por edhe në Superiore një pjesë e tyre, të cilët edhe ata i kam ndjekur. Por duhet shumë punë dhe që të garojmë duhet që të jemi shumë të konsoliduar në momentin kur të startojnë ndeshjet zyrtare.
Duke qenë se jemi në periudhë merkatoje, çfarë i duhet këtij ekipi, në mënyrë që Egbo të jetë i qetë?
Po nga sa kam parë deri më tani, e shoh se e kemi të nevojshme dhe do të na duhen disa lojtarë me eksperiencë, sepse ne e dimë se si është Superiorja. Lojtarët me eksperiencë që do të vijnë, jam i bindur se do e forcojnë grupin dhe konkurrencën. Do të bëjnë maksimumin për synimet që ne kemi.
A keni planifikuar miqësore dhe kush do të jetë kundërshtari i parë i Bylisit?
Patjetër që ne do të luajmë edhe ndeshje miqësore, në kuadër të programit që kemi gjatë kësaj faze. Por kur grupi të jetë edhe më gati ne do të luajmë ndeshje kontrolli. Testin e parë mund ta luajmë me shumë mundësi javën e ardhshme.
Cilat do të jenë objektivat e Bylisit këtë sezon?
Pasi të kem grupin e plotë, atëherë do të flasim për objektivat tona konkrete në sezonin e ri. Por ajo që më duhet të them është se objektivi minimal është Superiorja, duke marrë ndeshjet një e nga një. Por do të kemi kohë, tani jemi të fokusuar në disa drejtime që starti të na gjejë “top”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"