EKSKLUZIVE/ “Dy skuadra kanë më shumë stabilitet në Superiore”, analiza e ish-trajnerit Lika: Partizani më i fortë se Tirana, prisni derbi me gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 22:37

EKSKLUZIVE/ “Dy skuadra kanë më shumë stabilitet në Superiore”, analiza e ish-trajnerit Lika: Partizani më i fortë se Tirana, prisni derbi me gola

Hasan Lika është trajneri që “mbolli” farat e para të kësaj epoke të re që Partizani ka arritur të ndërtojë që nga viti 2013, kur në krye të klubit u vendos presidenti Demi.

Hasan Lika kur drejtonte Partizanin

Hasan Lika kur drejtonte Partizanin

Ish-trajneri i të kuqve prej disa vitesh është transferuar në SHBA bashkë me familjen, por nga atje nuk ka ndërprerë kontaktin me futbollin shqiptar, ndeshjet e të cilit i ndjek rregullisht. Lika analizon ekskluzivisht për “Panorama Sport” këtë derbi të radhës, ku më të avantazhuar sheh Partizanin dhe Tiranën e konsideron si sfidanten e kësaj sfide.

Profesor, si ju duket ky kampionat? Ka garë dhe rivalitet që e bën tërheqëse garën?
Rivalitet ka, sepse janë 6- 7 skuadra që po luajnë mirë, po marrin rezultate, edhe pse kanë shfaqur oshilacione të vogla. Përmend këtu Partizanin, Vllazninë, Dinamon, Elbasanin. Janë disa skuadra, edhe Laçi është ngritur, Teuta ka stabilitet, pavarësisht humbjes së fundit. Bën lojëra të forta. Tirana po ashtu ka njëfarë ngritjeje në rezultate, por më së shumti në lojë. Gjithsesi, është herët akoma dhe diferencat nuk janë të mëdha.

Cili është ekipi që ju ka bërë mësë shumti përshtypje për mirë? Që e shihni me kënaqësi?
Unë mesa kam ndjekur, shoh që Partizani dhe Vllaznia janë skuadra që kanë më shumë stabilitet. Jo se unë kam qenë pjesë e atij klubi, por Partizani ka më shumë stabilitet në lojë. Duket një skuadër më e kompletuar sa i përket organikës. Edhe pse ka pasur mungesa, sërish loja dhe rezultatet nuk i kanë munguar. Kjo është gjëja më pozitive. Duhet thënë se kjo ka të bëjë me një stabilitet prej disa vitesh te Partizani, jo vetëm për momentin. Është një cikël i ndërtuar prej vitesh, duke qenë pretendent çdo vit dhe kjo është merita më e madhe që ka klubi, flas këtu për drejtuesit, trajnerët dhe futbollistët që janë dhe kanë qenë pjesë. Ka qenë skuadër gjithnjë fituese ose një hap larg suksesit.

Në fillim të sezonit emëruan Veselinoviç në krye të ekipit. Si ju duket ai, çfarë përshtypjeje ju lë?
Kam parë derbin e parë në stadium dhe mund të them se ishte një ndeshje që nuk la shumë gjurmë. Sigurisht, ishte fillimi i tij te Partizani dhe i uroj suksese. Ai e ka vazhduar atë stabilitet dhe kërkon ta çojë akoma më përpara. Rezultatet flasin për ecuri pozitive dhe për këtë ka meritë gjithnjë edhe trajneri. Ashtu siç ndodh edhe në rastin e ecurisë negative. Ai merr përsipër atë çka ka bërë.

Si e shihni duelin e mes dy trajnerëve? E favorizon eksperienca në Shqipëri, Maganin?
Nuk mendoj, por dy sfidat e fundit të Tiranës me Bylisin dhe Elbasanin kanë treguar njëfarë rritjeje. E ndoqa ndeshjen me Elbasanin, ishte ky i fundit disi më aktiv, i motivuar edhe nga fakti që luante në fushën e vet, por edhe Tirana mund ta kishte fituar ndeshjen. Gaboi, sidomos në momentet e fundit, nuk e di përse.

Si e shihni raportin e cilësisë mes dy skuadrave?
Unë mendoj se ndryshimi mes Partizanit dhe Tiranës në këtë moment është pikërisht te vija e sulmit. Partizani ka më shumë kualitet në këtë drejtim sesa Tirana. Kjo e fundit është në rritje. Rezultatet që kishte arritur më parë, kishin treguar për një skuadër të re. Unë mendoj se në këtë derbi Tirana vjen si sfiduese përballë Partizanit. Nuk i shoh në gjendje të barabartë, pavarësisht se ndeshja luhet me Tiranën si pritëse. Partizani është më i avantazhuar, sepse ka skuadër më të mirë, me rezultate më pozitive. Gjithsesi, derbi mbetet derbi. Unë uroj që të dalë me sukses Partizani!

Meqenëse u ndalët te sulmuesit, cilin prej tyre nuk do ta hiqnit asnjëherë nga formacioni?
Me mënyrën sesi luan Partizani unë mendoj se Mba është gjithmonë i domosdoshëm, sepse është lojtar që punon më shumë se këto qendërsulmuesit tipikë, që janë siç i themi ne, si torrë. Por që duhet të mbështetet akoma më mirë nga mesfushorët e qendrës. Është lojtar i fortë, e kontrollon mirë topin, shërben mirë. Pastaj kur ka hapësira duhet një futbollist më i zhdërvjellët dhe më vertikal.

Sa i rëndësishëm është lajmi që derbi do të luhet me tifozë, ndryshe nga çfarë qe vendosur në fillim?
Për të dyja skuadrat është shumë mirë dhe për vetë futbollin është shumë mirë. Futbolli për tifozët luhet, janë ata që i japin akoma më shumë forcë dhe kënaqësi atyre që luajnë në fushë.

I druheni ndopak këtij “rehatit” që Partizani ka në renditje pas rezultateve të ndeshjeve të fundit?
Nuk mendoj se do të jetë një derbi, ku skuadrat do të hyjnë për të bërë llogari. Ky është mendimi im, sepse është herët dhe ka shumë kohë për të parë renditjen. Në derbi bëhen llogari, por guximi vlen më shumë dhe duhet të shpërblehet. Unë mendoj se përveç kujdesit që skuadrat do të kenë, të dyja do të guxojnë për të bërë përpara. Nuk mendoj se do të jetë ndeshje e ngjashme me derbin e fazës së parë, ku të dyja ishin larg pritshmërive. Ai derbi ishte i vakët, por mendoj se ky derbi do të jetë më ndryshe, mendoj se do të shohim edhe gola. Shpresoj të paktën!

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"