EKSKLUZIVE/ “Dy peshëngritës në ‘Paris 2024’”, Gjoza s’ka dyshime: Në Botëror sigurojmë edhe Lojërat Olimpike (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2023 | 19:56

EKSKLUZIVE/ “Dy peshëngritës në ‘Paris 2024’”, Gjoza s’ka dyshime: Në Botëror sigurojmë edhe Lojërat Olimpike (E PLOTË)

Nga data 4 deri më 17 shtator, në Riad të Arabisë Saudite do të mbahet Kampionati Botërori i Peshëngritjes. Në këtë eveniment madhor të shtangës do të jetë edhe Shqipëria, e cila do të përfaqësohet me dy “big”- ët e saj, Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn.

ELEZ GJOZA 1

Në prag të Botërorit, presidenti i FSHP-së, Elez Gjoza, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për pritshmëritë dhe objektivat e kuqezinjve në Riad. Gjoza thekson se Calja dhe Qerimaj janë në formë të shkëlqyer dhe se do të kualifikohen edhe për në Lojërat Olimpike. Kreu i shtangës shqiptare komenton gjithashtu edhe aktualitetin e peshëngritjes, duke folur për të rinjtë, si dhe për trajnerët.

Gjoza, si vjen Shqipëria e shtangës në Kampionatin Botëror?
Dua të theksoj se ky kampionat është i një rëndësie të veçantë, pasi është kualifikues për Lojërat Olimpike. Në këtë kuadër është gara më e rëndësishme e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për vitin 2023. FSHP do të përfaqësohet në këtë aktivitet me dy sportistë pretendentë për të marrë pjesë në olimpiadën “Paris 2024”, të cilët janë Erkand Qerimaj dhe Briken Calja. Federata, sportistët dhe trajnerët, jemi të gjithë të përkushtuar, pasi kemi 4 muaj që përgatitemi për Botërorin.

Si është gjendja e sportistëve?
Të dy peshëngritësit kanë bërë një përgatitje jashtëzakonisht serioze dhe me shumë sakrifica, duke mos bërë asnjë ditë pushim në një valë të nxehti që të gjithë jemi dëshmitarë. Si Erkand Qerimaj, gjithashtu edhe Briken Calja, gëzojnë një formë të jashtëzakonshme sportive.

Cilat janë pritshmëritë apo objektivat e Shqipërisë në Botëror?
Duke iu referuar garës së kontrollit, stërvitjeve në të cilat kam qenë vetë i pranishëm së bashku me kryesinë, me këto rezultate të arritura në prova si dhe në Kupën e Shqipërisë, ne pretendojmë që të jemi absolutisht nga vendi i gjashtë deri në zonën e medaljeve. Dua të theksoj që si asnjëherë tjetër, në këtë Botëror do të garojnë 5 bateri. Ne do të konkurrojmë me Qerimajn në Baterinë A dhe me Caljën në Baterinë B.

Pse e keni bërë këtë zgjedhje?

Është një vendim i marrë për arsye teknike, në mënyrë që ne të dalim nga ky kompeticion me rezultatin në të mirë të mundshëm. Do të jetë një arritje shumë e madhe që këta dy sportistë të FSHP-së në një garë me konkurrencë të jashtëzakonshme, të klasifikohen nga vendi i gjashtë dhe deri në zonën e medaljeve. Të dy do të marrin pikët e nevojshme për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Olimpike.

Peshëngritja aktualisht nuk ka asnjë sportist brenda normës olimpike. Cili është komenti juaj?

Ne kemi sportistë kampionë bote si Calja, apo kampionë Europe dhe Mesdheu si Qerimaj. Ata që nuk njohin peshëngritjen dhe ligjet e Federatës Botërore, shprehen në mënyra nga më të ndryshmet, por unë dua të sqaroj publikun se sportistët tanë duhet të marrin pjesë në 5 aktivitete ndërkombëtare kualifikuese brenda 2 vitesh, në Botëror, Europian, apo në “Grand Prix”, që janë tre, në të cilët tanët do të garojnë. Në këto kompeticione duhet të prodhojnë një dygarësh dhe të radhiten në një Botëror në nivelet nga vendi i parë në të gjashtin dhe kjo është gara jonë më e rëndësishme. Më pas kemi në muajin shkurt Kampionatin Europian, ku jemi të sigurt që do të futemi në zonën e medaljeve. Askush nuk mund të thotë që federata nuk përfaqësohet në Olimpiadë, pasi ky është një lapsus dhe dezinformim. Ne do të jemi pjesëmarrës në Olimpiadë me 2 sportistë. Po punojmë fort prej kohësh në temperatura shumë të larta, i kemi furnizuar sportistët me vitamina dhe i kemi mbështetur për gjithçka, pasi kemi objektiva të qartë.

Ndërkohë, Shqipëria ka 2 talente shumë premtuese, si Enkileda Carja dhe Ertjan Kofsha. Por a është i mjaftueshëm ky numër për të bërë zëvendësimin e brezave?

Strategjia e federatës prej 2 vitesh ka qenë që zëvendësimi i brezave të bëhet i pakuptueshëm. Ne fituam 9 medalje europiane me moshat. Tani pretendojmë dhe jemi të bindur se në Meksikë, në nëntor, ne do të shpallemi kampionë bote me Ertjan Kofshën, pasi po përgatitemi për këtë aktivitet. Ka shumë ekipe në botë që u duhet një periudhë 10-15-vjeçare për të zëvendësuar brezat. Më konkretisht kemi ekipin Greqinë, që prej 17 vitesh akoma nuk po gëzon një medalje, që pas kapjes së 11 sportistëve pozitivë me doping. Strategjia e FSHP-së është shumë e qartë dhe ne për 2-3 vite do t’i zëvendësojmë këta emra të mëdhenj si Calja, Qerimaj, Shoraj apo Godelli, të cilët do të kenë në krah talentet si Kofsha, Carja, Lagja, Rrasa apo edhe Ramadani që është ende i ri.

Një temë shumë e diskutuar në komunitetin e shtangës është edhe çështja e kualifikimit të trajnerëve…

Ne kemi trajnerë shumë të apasionuar e të jashtëzakonshëm dhe nuk mund të hedhim baltë ndaj tyre, duke mohuar djersën dhe kualifikimin e tyre. Këta janë trajnerët tanë, Leonard Toska, Artur Lagja, Besnik Spatha, Eglantina Çuni, që po nxjerrin kampionë Europe dhe bote. Është djersa dhe përkushtimi i tyre në kushte të vështira financiare, por po ia dalin. Janë njerëz që punojnë pa fund për peshëngritjen.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"