EKSKLUZIVE/ “Duket sikur na kanë mallkuar”, mbrojtësi Doka: Derbi për tifozët, ja si ia del Tirana (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2023 | 19:50

EKSKLUZIVE/ “Duket sikur na kanë mallkuar”, mbrojtësi Doka: Derbi për tifozët, ja si ia del Tirana (E PLOTË)

Albi Doka ka besim se Tirana mund ta fitojë derbin, por sipas tij skuadra ka nevojë që të ketë besim te vetja dhe të korrigjojë disa gabime që ka bërë së fundmi.

doka

“Derbi mbetet gjithnjë i paparashikueshëm dhe i ka brenda të tria rezultatet, por ne do të hyjmë në fushë për ta fituar. Nuk do të jetë e lehtë, por objektivi i Tiranës është gjithmonë fitorja”, thotë Doka me diplomaci për “Panorama Sport”. Më pas ai e pranon se duhet më shumë punë nga skuadra që në pjesën e dytë, të mos përsëriten situatat e vazhdueshme të këtij sezoni.

Doka, si po e përjetoni këtë derbi?

Si një ndeshje normale. Duhet të jemi të qetë, por duhet të japim gjithçka për ta fituar.

Pse mund ta fitojë Tirana derbin?

Sepse kemi një skuadër cilësore, që vërtetë ka pasur ndonjë luhatje deri tani, por cilësitë dhe personaliteti nuk mungojnë. Nëse luftojmë të bashkuar, jam i bindur që mund t’ia dalim. Por arsyeja më e madhe për ta fituar janë tifozët.

Pse tifozët?

Sepse nuk ka më të mirë se tifozët e Tiranës. Ata meritojnë shumë më tepër se kaq dhe ne e dimë, por kam bindjen se do të rikthehemi shpejt aty ku na takon.

E keni fjalën për këtë sezon, apo jo?

Po, jam i bindur që Tirana do ta bëjë shumë shpejt kthesën dhe në fund do t’ia dalim

A e prisnit rikthimin te Tirana me kaq shumë luhatje, ose më saktë me këto rezultate jo edhe aq bindëse?

Të them të drejtën jo. Isha i entuziazmuar nga emrat dhe kisha bindjen se do të bënim shumë më mirë se kaq, por nuk është për t’u hedhur poshtë puna që është bërë deri tani. Futbolli i tillë është, ka edhe situata të vështira, por jam i bindur që do ta kalojmë.

Presidenti Halili, pas fitores dramatike me Kukësin, kritikoi lojtarët me emër, ku nuk bëni përjashtim as ju, se nuk po japin atë që pritet te Tirana… Keni një koment?

Presidenti ka të drejtë. Është normale që lojtarët më me eksperiencë kritikohen dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Ndoshta edhe ne duhet të kishim bërë më shumë, por jemi ende në kohë dhe unë kam bindjen se të bashkuar ia dalim në fund. Tirana ka shumë cilësi dhe jam i bindur që mund t’ia dalin.

Nëse do të kishte mundësi t’i hiqje Partizanit një lojtar në këtë derbi, cilin do të zgjidhje?

Shiko, ne jemi rivalë në fushë, por jemi të gjithë sportistë që luajmë për ngjyrat e një skuadre. Mendoj që duhet të ketë respekt reciprok, sepse kështu është sporti në fund të fundit. Por sa i përket një emri të veçantë, unë nuk mund të zgjedh asgjë. Di vetëm t’ju them se sa më shumë lojtarë të fortë të ketë Partizani, aq më shumë na motivon ne të Tiranës.

Cili është favorit për ta fituar derbin sipas jush?

Nuk ka favoritë kjo ndeshje. Nuk mendoj se ka pasur edhe në ta kaluarën dhe nuk ka as tani. Të dyja skuadrat duan ta fitojnë me çdo kusht. Di vetëm të them që unë dhe Tirana do të japim gjithçka, pastaj pjesën tjetër ia lëmë fushës.

Pse Tirana vuan kaq shumë në pjesën e dytë, madje edhe derbin e parë të këtij sezoni me Partizanin e humbët në minutën e 92-të…

E çuditshme, por e vërtetë. Nuk na kishte ndodhur më parë kjo gjë. Natyrisht, unë jam lojtar dhe nuk më takon të jap këshilla taktike apo të hyj në detaje, por ndoshta duhet të bëjmë më shumë si skuadër. Ndonjëherë me batutë aty mes nesh themi: “Dikush na ka mallkuar për pjesën e dytë…”.

Cili ka qenë momenti më i lumtur në karrierë për ju?

Kur debutova me Kombëtaren. Nuk e harroj kurrë. Tani i ndjek çunat (lojtarët e Kombëtares) dhe jam i lumtur me atë që arritën. Por edhe vetë jam krenar që kam luajtur 9 ndeshje.

A shpreson të rikthehesh një ditë?

Padyshim që po. Do të bëj gjithçka që të kthehem kuq e zi. Shpresoj ta mbyll me trofe me Tiranën dhe pse jo, të provoj më pas një tjetër aventurë jashtë, por Kombëtarja është gjithnjë synim.

Po, por keni shumë konkurrencë në atë rol…

E di dhe ata janë vërtet lojtarë të zotë, por mua nuk më tremb askush. Do ta provoj deri në fund, pastaj të shohim.

Cila është pjesa më e vështirë e të qenit futbollist?

Llafet e njerëzve ndoshta…(qesh).

Pse?

Sepse një lojtar mund të ketë bërë 10 ndeshje të mira radhazi, por bën një gabim diku, apo nuk është në ditën më të mirë në një ndeshje të caktuar, të hedhin poshtë menjëherë. Kjo më bezdis shumë, por tani jam mësuar. Nuk më bën më përshtypje.

Si përballohet presioni në të tilla raste?

Në fillim është e vështirë, por pastaj mësohesh. Mua tani nuk më bën përshtypje më kjo pjesë, përkundrazi, presioni më motivon.

Cili është trajneri që ka ndikuar më shumë në karrierën tënde?

Saimir Malko. Ai më gjeti pozicionin dhe më tha që këtu mund të japësh më të mirën. Dhe kishte të drejtë.

Cili është trajneri që ju ka zbuluar?

Fatjon Fagu. Nuk do ta harroj kurrë. Kam qenë afro 13 vjeç dhe ai pasi disa stërvitjeve, telefonoi babanë për t’i thënë: “Shiko, djali yt është goxha mirë. Për mua shkon larg”. I jam mirënjohës.

Çfarë bëtë me rrogën e parë, ua çuat prindërve, apo e mbajtët për vete?

U çova gjysmën…(qesh). Pjesën tjetër e mbajta vet.

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"