EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk e ka më në plane, futbollisti brazilian drejt largimit nga kryeqytasit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2023 | 8:26

EKSKLUZIVE/ Dinamo nuk e ka më në plane, futbollisti brazilian drejt largimit nga kryeqytasit

Diogo Armando Lopes da Silva pritet të largohet nga Dinamo para se të mbyllet merkatoja e dimrit. “Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit, por edhe nga menaxheri i futbollistit, se braziliani është jashtë planeve të stafit teknik.

dinbamop

Fantazisti e ka të qartë situatën, por në mes është kontrata që ai ka, kështu që duhet gjetur gjuha e përbashkët për ndarjen mes palëve. Për momentin duket se janë disa skuadra shqiptare të interesuara për 28- vjeçarin, por ende nuk ka një vendim të tij për të tërhequr dokumentet nga kryeqytetasit. Ai ka luajtur 512 minuta në total në kampionat me blutë dhe duket se nuk ka bindur me paraqitjen e bërë. Trajneri Nevil Dede e ka aktivizuar në 8 ndeshje, 4 nga të cilat si titullar. Në këto kushte, klubi po ndjek të njëjtën rrugë si me Rexhinaldon, pra të arrijë një marrëveshje për ndërprerjen me mirëkuptim të bashkëpunimit. Tani mbetet të shihet çfarë do të ndodhë konkretisht.

ECURIA NË DY VITE E GJYSMË Diogo ka luajtur vetëm me fanellën e Dinamos deri tani në Shqipëri. Ai erdhi në skuadër në sezonin 2020- 2021, kur blutë ishin në Kategorinë e Parë. Menjëherë u bë idhull për tifozët e “nëndetëses” dhe faktor në rikthimin e kësaj skuadre në elitë pas shumë vitesh. Braziliani shënoi 9 gola në gjysmën e atij sezoni. Më pas, kur ekipi ishte pjesë e Superiores sezonin që shkoi, ai nuk mundi të luante për shkak të një dëmtimi, që e detyroi të kryente një ndërhyrje kirurgjikale. U rikthye në fund të sezonit të shkuar dhe pritej që tani, sërish në Kategorinë e Parë, ai të kthehej përsëri protagonist, por nuk ka ndodhur kështu.

Braziliani nuk ka mundur të shënojë asnjë gol për aq sa ka luajtur, por edhe niveli i lojës nuk ka qenë ai që drejtuesit prisnin, ndaj dhe në këtë moment është menduar për t’i ndarë rrugët. Në vazhdim të këtij edicioni, te 18 herë kampionët e vendit do të mbetet vetëm një brazilian dhe ai është sulmuesi Hoze Denison Silva dos Santos. Merkatoja në hyrje e bluve mbetet e hapur. Drejtuesit vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur së pari çështjen e portierit. Me skuadrën, ndërkohë, po stërvitet trekuartisti Ergi Ajazi, siç gazeta ka bërë me dije pak ditë më parë. Ndoshta ardhja e këtij të fundit ka bërë që të mbyllen përfundimisht hapësirat edhe për Diogon.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"