EKSKLUZIVE/ Derbi për kreun, Luan Pinari: Pres ndeshje të hapur, Partizani-Dinamo është 50 me 50
Derbi e gjen Dinamon në momentin e saj më të mirë. Me fitoren e thellë 0-5 ndaj Elbasanit blutë kanë forcuar pozitat në tabelë, ku kanë përmirësuar edhe golaverazhin, por ajo që ngrohu më shumë në ndeshjen e fundit ishte loja.Skuadra e Dajës pati ritëm dhe saktësi në veprime, duke treguar progres në raport me javët e mëparshme. Tani shpresohet që ai 90-minutësh të mos mbetet i shkëputur, por të jetë një pikënisje për ecurinë e më tejshme të kampionatit. Dhe derbi është një provë e mirë për të vërtetuar ndryshimin e Dinamos, që me një fitore të mundshme nesër në Elbasan do ta parakalonte Partizanin rival në renditje. Shanset janë reale dhe blutë do të luajnë “kartat” e tyre, duke shfrytëzuar momentin e mirë që po kalojnë.
PINARI – Ish-kapiteni i Dinamos, Luan Pinari, aktualisht drejtor sportive i kësaj skuadre, së pari vlerëson pozitivisht faktin që të dyja skuadrat do ta zhvillojnë derbin në një moment, ku qëndrojnë në majat e renditjes. “Do të thosha që është diçka pozitive që Dinamo dhe Partizani, dy nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqiptar, dy nga skuadrat më të titulluara, të vijnë në një derbi mes tyre si kryesuese.
Kjo situatë besoj se do ta bëjë edhe më të bukur ndeshjen të shtunën, ku shpresoj që të ketë sa më shumë tifozë në stadium. Si Dinamo, ashtu edhe Partizani, vijnë në një moment të mirë dhe kam bindjen se do të shprehin vlerat më të mira në këtë 90-minutësh. E shoh një sfidës mes të barabartëve, 50 me 50. Faktori fushë ka ranë tashmë”, thotë fillimisht Pinari në një prononcim për “Panorama Sport”.
DINAMO – Më tej, duke kaluar në një vlerësim më të detajuar të secilës skuadër, ish-kapiteni blu veçon ngritjen e Dinamos: “Ka një përmirësim të dukshëm të skuadrës që me ardhjen e trajnerit Ilir Daja. Janë 10 ndeshje që Dinamo nuk humb dhe nuk është pak. Mendimi im është se Dinamo është një skuadër me cilësi, por besoj edhe e pjekur, që nuk mund të “preket” nga euforia pas fitores së thellë me Elbasanin.
Madje, them se është më mirë që pas asaj goleade vjen një derbi si ky me Partizanin, ku lojtarët e dinë mirë se duhet vlerësim maksimal. Jam optimist se Dinamo, me gjendjen që ka, do të vazhdojë me rezultate pozitive”, është shprehur drejtuesi blu në lidhje me skuadrën ku ka kaluar pjesë më të madhe të karrierës dhe ka fituar trofe.
PARTIZANI – Ishmbrojtësi ka veshur edhe fanellën e Partizanit, për të cilin thekson: “Edhe Partizani vjen nga një ecuri e mirë në kampionat. Së fundi barazoi me Teutën në një ndeshje që mund ta kishte fituar, sepse ishte në avantazh deri në fund, por kjo është pjesë e futbollit. Me trajnerin Veselinoviç nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe ky fakt tregon diçka. Në gjykimin tim, Partizani është një ekip që nuk çbilancohet lehtë dhe kjo e bën të vështirë ndeshjen për kundërshtarin, në këtë rast për Dinamon. Por sigurisht që si çdo ekip ka ato pikat e veta të dobëta”.
LOJË E HAPUR – Çfarë ndeshje do të shohim nesër në “Elbasan Arena”? Për këtë pjesë Pinari përgjigjet: “Parashikoj një derbi të hapur, sepse mendoj se të dyja skuadrat do të guxojnë dhe do të kërkojnë ta fitojnë ndeshjen. Sigurisht që do të kenë kujdes, por nuk do të mbyllen në mbrojtje, do të jenë të orientuara drejt lojës sulmuese për të shkuar te maksimumi i pikëve. Nuk e shoh si ndeshje shahu. E pres një 90-minutësh me emocione, sepse në atmosferën e tij, siç e thashë që në fillim, do të ndikojë fakti që Dinamo dhe Partizani luajnë për kreun”.
VENDIMTARË – Për Pinarin, edhe pse nuk përmend emra konkretë, lojtarët me më shumë kualitet të dy skuadrave do ta vendosin derbin. “Rëndësi ka çfarë do të bëjnë në fushë Dinamo dhe Partizani si skuadër, megjithatë kuptohet që lojtarët më cilësorë të tyre, me aftësitë e tyre individuale mund të jenë vendimtarë në fatin e këtij derbi. Dinamo ka na favorin e saj edhe faktin se është më e familjarizuar me stadiumin “Elbasan Arena”, ku luan si skuadër pritëse. E ritheksoj, është një ndeshje mjaft e ekuilibruar”, ka përfunduar drejtori sportiv i bluve, Luan Pinari.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"