EKSKLUZIVE/ Dëmtime me masë te Vllaznia, tani rrezikon edhe blerja e bujshme e janarit
Alarm dëmtimesh te Vllaznia në prag të ndeshjes me Kastriotin, që do të luhet të shtunën në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 14:00. Me Esat Malën dhe Geralb Smajlin që kanë mbyllur sezonin (mesfushori kosovar ka nisur stërvitjen individuale, ndërsa mbrojtësi shkodran ka operuar meniskun e gjurit), trajneri Goce Sedloski mund të bëjë llogaritë për transfertën e radhës edhe pa tre titullarë të tjerë.
“Panorama Sport” mëson se përveç kapitenit Erdenis Gurishta dhe mbrojtësit Darko Bulatoviç, rrezikon të humbasë ndeshjen me Kastriotin edhe sulmuesi kryesor i ekipit, Bekim Balaj.
Ky i fundit ka pasur probleme muskulore dhe mësohet se ka munguar në stërvitjet e fundit, për të mos e ngarkuar edhe më shumë këmbën. Nuk bëhet fjalë për një tërheqje, por një kontraktim që nuk e lë shkodranin të stërvitet normalisht me skuadrën. Edhe pse stafi ka në dispozicion edhe dy ditë të tjera për të përgatitur ekipin, prania e Balajt është në dyshim.
Natyrisht, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbrojtësit Gurishta dhe Bulatoviç, të cilët bëjnë me dhimbje koke stafin, pasi alternativat në mbrojtje nuk janë të shumta dhe mungesa e mundshme të dy titullarëve, do të hapnin një “gropë” në prapavijë.
Në ndeshjet e fundit Sedloski ka preferuar dyshen Shehi-Juriç në qendër, të cilët bënë një performancë të mirë ndaj Kukësit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në dy takimet e zhvilluara në Shkodër kundër Egnatias.
SITUATA – Me Balajn që është në luftë me kohën dhe stafin do të presë deri në momentet e fundit për gjendjen e tij, Sedloski duket se më tepër shqetësohet për ndërtimin e formacionit në fazën defensive para Kastriotit.
Në majën e sulmit, në rast se Balaj nuk ia del, e sigurt është që do të luajë Kaina, i mbështetur nga dyshja Latifi-Hoxhaj. Një kandidat potencial për formacionin është pa diskutim edhe Çoba.
Sa i përket prapavijës, krahu i djathtë i mbrojtjes këtë herë mund të ketë Krujën si titullar.
Gjasat janë që Sedloski të kthehet te skema 4-3-3, me një mesfushë ku Boshnjaku, Jonuzi dhe një mes Markut dhe Heriçit do të mbajnë peshën kryesore.
Trajneri ka qenë në qendër të kritikave për ndeshjen e fundit, ku hodhi në fushë një skuadër superofensive, me vetëm dy mesfushorë qendre të deklaruar, e cila u shpërfytyrua ndaj Egnatias në “Loro Boriçi”, duke pësuar plot katër gola.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"