EKSKLUZIVE/ “Daja do t’ia gjejë vendin e duhur çdo lojtari”, ish-kapiteni Poçi: Ndryshimi po duket, derbi shkon për Dinamon (E PLOTË)
Dinamo ka hyrë në javën e derbit, ky synon rezultatin e 7-të pozitiv radhazi. Nuk është e lehtë, sepse derbet janë gjithmonë të paparashikueshëm, pavarësisht se kush mund të jetë favorit në letër, në këtë rast blutë. Trajneri Daja ka mungesa, megjithatë shpreson që skuadra të jetë më mirë se në javët e fundit të kampionatit.
Artion Poçi, ish-kapiteni i Dinamos, në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se ndryshimi në skuadër është i dukshëm, por sipas tij ende skuadra nuk ka arritur aty ku duhet. Derbin e së shtunës ish-futbollisti fierak e sheh blu, ndërsa trajnerin Daja e vlerëson si një ekspert që gradualisht do t’ia gjejë vendin e përshtatshëm çdo lojtari që ka në skuadër.
Artion, a e keni ndjekur Dinamon gjatë këtyre javëve, si ju është dukur?
Po, e kam ndjekur në disa ndeshje, e fundit ajo me Vllazninë, ku fitoi me përmbysje në fund. Mendimi im është se ka ndryshim kjo skuadër, kjo duket, por ende nuk ka kapur atë nivelin që duhet. Janë në rrugë të mbarë dhe besoj se do të vijnë në rritje me kalimin e kohës, sepse duhet pak kohë që të arrihet forma optimale. Prej 6 ndeshjesh Dinamo ka marrë rezultate pozitive dhe pikët janë të rëndësishme në këtë moment, sepse i japin besim grupit të lojtarëve. Shpresojmë që të mos ndodhë si para pak sezonesh.
Çfarë ju ka bërë përshtypje deri tani, si në aspektin pozitiv, ashtu edhe negativ?
Pozitive është, siç e thashë që skuadra po merr rezultatin, që është parësor në futboll. Ka një tjetër mentalitet, ngulmon deri në minutën e fundit dhe arrin të gjejë golin. Nuk më ka pëlqyer mesfusha, të them të drejtën, duhet rregulluar diçka në këtë repart.
Lojtari afrikan që luan në qendër (Gudiabi) nuk më ka lënë një shije të mirë. Për mua duhet të luajë Dita në mesfushë, pasi kam parë që është aktivizuar edhe në mbrojtje. Trajneri Ilir Daja është një ekspert dhe kam bindjen se me kalimin e ndeshjeve ai do t’ia gjejë çdo lojtari pozicionin më të mirë, aty ku ai mund të japë më shumë.
Dinamo ka një grup të mirë lojtarësh dhe po ashtu një trajner fitues si Daja. Çfarë mund të bëjë të sezon, sipas jush?
Grupi i lojtarëve është vërtet i mirë, edhe trajneri nuk diskutohet, nuk ka nevojë të flasim shumë. Gjithçka do të duket javë pas javë, sepse edhe kjo skema e kampionatit është pak e çuditshme. Mund të bësh mirë gjithë kampionatin dhe pastaj në fund, në një ndeshje teke, humb gjithçka.
Nuk më duket formula e duhur. Megjithatë, rezultatet pozitive radhazi që Dinamo ka marrë nuk janë aspak rastësi. E ritheksoj, skuadra është në rrugë të mbarë, por akoma nuk ka arritur gjendjen e saj më të mirë, që të fitojë dhe të zhvillojë një lojë më të mirë, duke iu imponuar kundërshtarit.
Përpara kemi derbin me Tiranën. Si e shikoni këtë sfidë, cila është skuadra favorite?
Nuk e them me bindje, sepse në futboll nuk i dihet asnjëherë, por besoj shumë se do të fitojë Dinamo.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"