EKSKLUZIVE/ Batuta për ngjitjen në Superiore, Idrizi “skanon” ekipin: Flamurtar burrash, por mesi çan anët
Pavarësisht se Flamurtari barazoi në Pogradec, Sinan Idrizi është i kënaqur pasi në fushë pa një ndeshje burrash. Gjatë një prononcimi të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, presidenti i vlonjatëve tha se skuadrat luftuan në fushë dhe dhuruan një lojë të bukur.
Idrizi vlerëson edhe gjykimin si dhe mikpritjen e vendësve.
“Unë shkova në Pogradec me shumë dëshirë. Ishte shumë ftohtë. Ishte një tmerr i vërtetë. Një fushë që ishte pastruar nga bora dhe që kishte lagështinë e saj. Nuk ecje dot, lëri pastaj të tjerat. Por shkova me dëshirën e madhe pasi këta janë një ekip që luajnë si burrat në fushë. Kisha dëshirë për të parë një ndeshje burrash. Luajtën si burrat. Një ndeshje që nuk kishte se çfarë thoshe për asnjë gjë. As për mikpritjen e tyre që ishte shumë e mirë dhe as për arbitrimin që ishte super korrekt.
Një ndeshje që ashtu si vajti ishte e luftuar si burrat. Ne duam gjithmonë që të fitojmë. Të komentosh para kompjuterit në shtëpi, ngrohtë, është shumë e thjeshtë. Por të zbresësh në fushën e betejës pastaj dhe të shikosh se çfarë luhet atje është histori komplet tjetër. Ekipi ka bërë ndeshje të mrekullueshme. Ashtu sikundër shkoi loja, barazimi ishte i drejtë. Ne patëm disa raste të mira edhe ata patën rastet e tyre. Ekipet luajtën një futboll luftarak.
Dy ekipe të pozicionuara qartë në atë që kërkonin. Ata u favorizuan nga ajo që ne luajtëm me 10 lojtarë. Por kjo nuk do të thotë se ishte një favor që ju bë atyre, pasi ishte një karton i kuq i drejtë. Ishte një gjë normale, pjesë e lojës. Të mos harrojmë se kishim edhe lojtarë me virozë. E përgjithshmja është pozitive. Unë po shikoj një grup që reagon pozitivisht dhe kaq. Ne të gjithë duam fitoren, por hanë edhe të tjerët bukë nuk hamë vetëm ne”, shprehet fillimisht Idrizi.
SUPERIORJA- I pyetur për objektivin madhor që këtë vit ka skuadra, Sinan Idrizi përgjigjet me batutë. “Shiko, ki parasysh një gjë, se kampionati nuk ka mbaruar akoma. Por, vlonjatët e vjetër që luanin pak kumar, te lulishtja mbrapa te sheshi i Flamurit kur hapnin letrat thoshin: “Mesi çan anët”. Te kjo treshja e parë që jemi ne tani, katër pikë larg vendit të parë dhe katër pikë mbi vendin e tretë, ne jemi mesi. Domethënë mesi çan anët ore… Ki kujdes nga mesi”. (qesh)
MERKATO – Kreu i klubit ndalet edhe te merkato. Sipas Idrizit, është duke u pritur edhe një sulmues. “Merkato është pothuajse e hapur. Kemi një kontakt me një sulmues që ndoshta mund të bëjë gjëra të ndryshme. Ndoshta… Por pjesa tjetër është e kompletuar. Pres më shumë nga blerjet patjetër”, thotë presidenti i klubit.
PËR AHMETAJN- Sinan Idrizi u përgjigjet edhe kritikëve që shkruajnë në rrjetet sociale për futbollistin Alesandro Ahmetaj, që iu bashkua pak ditë më parë skuadrës. Sipas administratorit duhet durim ndërsa ka bindjen se mesfushori do të tregojë veten dhe është një afrim i shkëlqyer. “Është ndeshja e dytë që ka luajtur Ahmetaj që ka ardhur te ne sa të ambientohet… Por lexova komentet e njerëzve me këto historitë si e kemi zakon ne, që të hedhin poshtë me ndeshjen e parë. Por prisni o të uruar! Duroni ta shikojmë njëherë djalin. Ka kohën e tij që të tregohet. Është një afrim i shkëlqyer dhe me shumë vlerë. Do kohën që të ambientohet. Mos prisni menjëherë”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"