EKSKLUZIVE/ “Babai qau pas ndeshjes”, rrëfimi unik i Asanit: Kombëtarja është jetë, ju tregoj sekretin e golit me Poloninë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2023 | 0:00

EKSKLUZIVE/ “Babai qau pas ndeshjes”, rrëfimi unik i Asanit: Kombëtarja është jetë, ju tregoj sekretin e golit me Poloninë (E PLOTË)

Pasim i Hysajt, Asani bën 10 hapa të vegjël “studiues” dhe më pas një gjuajtje madhështore duke tundur rrjetën e Polonisë. Të asaj Polonie që kishim 70 vite pa e mundur. Collage Maker-19-Sep-2023-08-44-AM-4007

“Është goli më i bukur në karrierë, por nuk është rastësi, sepse stërvitem 30 minuta çdo ditë pas stërvitjes”, thotë Jasir Asani ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Shqiptarin nga Shkupi prej vitesh stafi i Kombëtares e ka pasur para syve, por u desh Silvinjo që t’i jepej një shans. “Nuk dua të bëj polemika – thotë ai. – Thjesht e falënderoj shumë trajnerin që ma dha mundësinë”. Në rrëfimin për gazetën, ai tregon anën tjetër të Jasirit dhe thotë se një trajner rus ka ndikuar më shumë në karrierën e tij.

Sa mesazhe keni marrë pas ndeshjes me Poloninë?

Shumë, jashtëzakonisht shumë. I falënderoj të gjithë, sepse më kanë shkuar njerëz nga anembanë botës. U jam mirënjohës dhe shpresoj t’ua shpërblej me paraqitje të mira.

Sa e keni numrin e këmbës?

Numrin e këmbës e kam 40, por takat sportive i marr zakonisht një numër më të vogël, sepse shumicën e kohës më rrinë të mëdha.

Sa herë e keni provuar atë gjuajtje më parë?

Shpeshherë. Këtu te skuadra ime e provoj shpesh. Rri zakonisht 20 ose 30 minuta pas stërvitjes dhe bëj prova me njërin prej portierëve që ka durim të qëndrojë me mua…(qesh).

asani

Cili është trajneri që ka ndikuar më shumë te ju?

Ish-trajneri i Vardarit, Sergeji Andrejev. Ai më dha mundësinë që në moshën 16- vjeçare të luaj te Vardari. Nuk ishte pak. Por më ka ndihmuar shumë edhe Skënder Gega te Partizani. Ishte një trajner me të cilin flisja shpesh edhe pas stërvitjeve ose ndeshjeve dhe më jepte këshilla se si duhet të përmirësohesha.

Sa fëmijë jeni në familjen tuaj?

Jemi tre fëmijë. Kam një vëlla më të madh dhe një motër më të vogël. Motrën e kam pikë të dobët, ndërsa vëllai është shoku im më i mirë. Flas me të për çdo gjë.

Cili është ushqimi i preferuar?

Ha pothuajse çdo gjë, por si në Tiranë nuk gjej askund. Aty për mua gatuhet më mirë se kudo.

Pse kaq vonë në Kombëtare?

Këtë nuk di ta them. Secili trajner ka filozofinë e tij dhe bën zgjedhjet që mendon. Unë e kam ëndërruar gjithnjë Kombëtaren shqiptare dhe jam i lumtur që m’u dha rasti.

Çfarë është Kombëtarja shqiptare për ju?

Është jetë.

Çfarë është Silvinjo për ju?

Trajneri që më dha mundësinë në Kombëtare dhe i jam mirënjohës pafund. Ndihem mirë me të dhe më ka ndihmuar shumë. Realisht i them një FALEMINDERIT të madhe.

Çfarë është Partizani për ju?

Familja ime e dytë.

Nëse nuk do të ishit futbollist, çfarë mund të kishit bërë tjetër në jetë?

Nuk e di, të them të drejtën. Nuk e kisha menduar asnjëherë një pyetje si kjo…(qesh). Me sport do të isha marrë gjithsesi, por nuk e di saktësisht se çfarë do të isha bërë pa futboll.

Kur keni qeshur me shpirt për herë të fundit?

Pas ndeshjes me Poloninë. Ishin emocione të papërshkrueshme dhe e qeshura më ka dalë nga shpirti.

Kur keni qarë për herë të fundit?

Kur u largova nga AIK-u në Suedi. Ai ishte një klub i madh që më priti në mënyrë të shkëlqyer dhe u ndjeva i vlerësuar. Por ndodhi pandemia dhe shumë gjëra të tjera e m’u desh të largohesha. U preka shumë atëherë.

Çfarë ka një gjë speciale Kombëtarja jonë?

Fanellën. Oh, sa shumë peshon ajo fanellë! Më besoni, ajo fanellë të bën me krahë, të transformon.

Pse festuat me gishtat në vesh?

Ishte një moment shumë emocional. E dija që kishim 70 vite që nuk e mundnim Poloninë dhe doja në atë moment që ata 22 mijë tifozë që ishin në stadium t’i përqafoja të gjithë me radhë.

Cili është goli më i bukur në karrierë?

Goli me Poloninë, sepse ishte edhe shumë i rëndësishëm. Kam shënuar edhe gola të tjerë të bukur, por ai është unik.

Cila është vështirësia më e madhe në karrierë?

Kam hasur shumë vështirësi. Është e kotë t’i numëroj tani. Jeta e një sportisti është e ndërlikuar dhe ndonjëherë jo gjithçka shkon sipas planit.

E keni nisur futbollin si sulmues krahu apo në ndonjë rol tjetër?

Në fillim e kam nisur si mbrojtës i majtë, pastaj kam luajtur edhe si mesfushor, sulmues i dytë, edhe si numër 10.

Si është jeta në Kore?

Fantastike. Jam i lumtur këtu.

Vërtetë?

Po, vërtetë. Këtu ka një thjeshtësi dhe një mënyrë të jetuari ndryshe.

Çfarë për shembull?

E gëzojnë jetën. Nuk mërziten për gjëra kalimtare.

Që do të thotë?

Shikoni, po ju jap një shembull: para disa kohësh humbëm një ndeshje vetëm me një gjuajtje në portë të kundërshtarëve. Unë si shqiptar u mërzita jashtë mase dhe e përjetova keq. Por pastaj pashë shokët e mi të skuadrës dhe trajnerin që ishin të qetë, qeshnin dhe shikonin përpara.

Erdhi pas pak trajneri edhe më tha: “Asani, mos u mërzit për një ndeshje. Futboll është, sport është. Dhe ne duhet të jemi sportivë në çdo gjë. Duhet të shikojmë përpara, nuk e kthejmë dot më kohën pas”… Është e lehtë ta thuash, por pak “e komplikuar” ta jetosh në këtë mënyrë. Mirëpo kjo ta bën jetën më të mirë mendoj.

Çfarë ju bën më shumë përshtypje aty?

Janë njerëz shumë të dashur, të respektojnë shumë dhe respektojnë rregullat dhe normat e jetës në mënyrë strikte. Janë të veçantë.

Çfarë ju thanë shokët e skuadrës në Kore?

Më thanë: si ka mundësi që nuk ke shënuar asnjëherë me skuadrën tonë kështu?!… Pse nuk e provon edhe këtu…(qesh).

Po trajneri çfarë ju tha?

Trajneri është ai që ka këmbëngulur muajt e fundit që unë të stërvitem enkas edhe me gjuajtje nga larg nga kënde të ndryshme. Ai më thotë se kam shumë potencial. Më tha se e kishte ndjekur ndeshjen, ishte lumturuar shumë dhe më kërkoi që të këmbëngul në këto goditje.

Cila është kafsha e preferuar?

Luani. Jo më kot është mbreti i xhunglës…(qesh).

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të kualifikohet në “Euro 2024”?

Duhet të vërë zemrën në fushë. Vetëm kështu ia dalim. Por kujdes, janë edhe 3 finale për t’u luajtur. Nuk ka mbaruar.

Çfarë muzike dëgjoni zakonisht?

Dëgjoj shumë muzikë dhe nga më të ndryshmet, por më të preferuarit janë Noizi dhe Ilir Shaqiri. Zakonisht këngët e Ilir Shaqirit i dëgjoj para ndeshjeve. Më frymëzojnë

Çfarë ju thanë familjarët tuaj pas ndeshjes me Poloninë?

Nuk munda t’i takoj, por fola në telefon. Babai kishte qarë shumë. Ishte emocionuar pa masë dhe kishte qarë edhe në stadium shumë. Jam i lumtur për ata, për vete dhe për Shqipërinë. Kemi tifozë të jashtëzakonshëm dhe shpresoj që t’ua shpërblej gjithnjë me paraqitje sa më të mira. Unë do të jap gjithçka në fushë.

JETMIR HALILAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"