EKSKLUZIVE/ As 24 orë pa punë, Alert Alcani emërohet drejtor te klubi i Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2023 | 15:48

EKSKLUZIVE/ As 24 orë pa punë, Alert Alcani emërohet drejtor te klubi i Kategorisë së Parë

As 24 orë nuk ka qëndruar pa punë Alert Alcani. Të hënën u largua nga Tërbuni, ndërsa dje i është bashkuar Besëlidhjes.

alert alcani

Këtë herë jo si trajner, pasi ka marrë tjetër detyrë. Ai është emëruar zyrtarisht drejtor teknik. Ai është kontaktuar nga drejtuesit lezhjanë dhe akordi nuk ka vonuar.

Ka qenë presidenti Xhulio Noka që e ka bërë të ditur këtë lëvizje për “Panorama Sport”: “Duke parë rezultatet, vendosëm që në postin e drejtorit teknik të merrnim Alert Alcanin. Kam besim të plotë se plotësimi i stafit teknik bëhet me këtë emër të mirënjohur. Pozicioni që mbajmë aktualisht në tabelën e klasifikimit është aksidental dhe jam i bindur se shumë shpejt do të dalim përfundimisht nga aty. Mbështetja për ekipin dhe stafin teknik nga ana ime do të jetë maksimale. Nga ata kërkoj që të punojnë me përgjegjësi profesionale, gjë , e cila nuk u mungon për ta rikthyer Besëlidhjen në normalitet”.

Sakaq, nuk kishte si të mos fliste edhe vetë drejtori i ri teknik.

Alert Alcani deklaron: “Të punosh me Besëlidhjen është privilegj dhe për më tepër për një njeri që rininë e ka kaluar si pjesëtar i këtij ekipi. Unë pranova që të jem drejtor teknik i Besëlidhjes pasi e njoh kapacitetin aktual të ekipit dhe të shumë futbollistëve. Detyrën e kam pranuar në një kohë kur Besëlidhja ndodhet në një pozicion delikat mbijetese. Jam i bindur se do t’ia dalim me sukses të gjithë bashkë. Që nga vendi i gjashtë e poshtë, asnjë ekip nuk e ka siguruar mbijetesën pasi rreshtimin e të gjitha këtyre ekipeve e përmbys ndoshta edhe një ndeshje e vetme. Tani më shumë se kurrë, Besëlidhja ka nevojë për mbështetje dhe kjo nuk do t’i mungojë nga ana ime. Të gjitha kapacitetet e mia do t’i vë në dispozicion të ekipit, duke punuar me përkushtim e profesionalizëm. Falënderoj presidentin Xhulio Noka për besimin që ka ndaj meje. Unë do të punoj fort që të mos e zhgënjej”, e ka mbyllur drejtori teknik Alcani.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"