EKSKLUZIVE/ Ardit Toli: Derbi fillimi, diçka e bukur po vjen për Dinamon! Si më bindën presidenti dhe trajneri Daja (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2024 | 23:24

EKSKLUZIVE/ Ardit Toli: Derbi fillimi, diçka e bukur po vjen për Dinamon! Si më bindën presidenti dhe trajneri Daja (E PLOTË)

Dinamo barazoi 2-2 në derbin me Partizanin, në një ndeshje mjaft pozitive. Blutë nuk ishin fragmentarë në lojë, por u shfaqen si një skuadër solide, me shumë dëshirë në fushë dhe me ritëm më të lartë.

Toli feston me Vilën golin e barazimit ndaj Partizanit

Toli feston me Vilën golin e barazimit ndaj Partizanit

Barazimi është vlerësuar në kampion dinamovit, edhe pse idealja do të ishte fitorja. Të gjithë e konsiderojnë ndeshjen në shtëpinë e Partizanit si një pikënisje për ngjitjen e Dinamos në renditje dhe rritjen e lojës së saj. Trajneri Ilir Daja ua dha meritat lojtarëve, por dora e tij, edhe pse ka vetëm një javë që e stërvit këtë skuadër, ka nisur të ndihet. Ardit Toli debutoi me fanellën blu vetëm pas dy ditësh stërvitje. U aktivizua në pjesën e dytë të derbit, që e ai e konsideron vetëm fillimin. Në një intervistë për “Panorama Sport” mesfushori që për dy sezone ka luajtur me Tiranën, shpreh bindjen se diçka e bukur po vjen për Dinamon.

Ardit, vetëm dy ditë në stërvitje dhe menjëherë në fushë për Dinamon dhe në një ndeshje si derbi me Partizanin…

Së pari dua të them se ishte një ndeshje vërtet e bukur derbi që luajtëm me Partizanin. Ndeshje me ritëm, me raste dhe 4 gola. Po, kisha bërë dy ditë stërvitje me ekipin dhe luajta në pjesën e dytë. Barazimi mendoj se duhet vlerësuar, edhe pse ne mendojmë se pse të mos fitonim, sepse rastet i kishim. Por duhet të kënaqemi me barazimin ndaj një kundërshtari si Partizani, në fushën e tij. Mendimi im është se ai barazim kundër Partizanit, por edhe niveli i lojës, është vetëm fillimi për Dinamon.

Çfarë menduat kur ju propozuan Dinamon dhe pse vendosët të bashkoheni me këtë skuadër?

Më pëlqeu si ide menjëherë. Një arsye që vendosa të bashkohem me Dinamon është profesori Ilir Daja. Pastaj më bindën edhe fjalët e presidentit Bardhi, i cili më foli për planet dhe projektet që ka për këtë skuadër. Kam parë që ai i qëndron shumë afër skuadrës dhe na motivon në çdo moment. Ndihem vërtet i lumtur që jam bërë pjesë e këtij klubi të rëndësishëm. Kur erdha u befasova edhe më shumë, sepse pashë ambientet e klubit, kompleksin stërvitor dhe gjithë ambientet e tjera. Është vërtet një investim serioz dhe një ambient shumë i bukur në Arbanë. E thashë se është vetëm fillimi, kam bindjen se diçka e bukur po vjen për Dinamon.

Aventura juaj në Ukrainë nuk shkoi ashtu siç e prisnit. Ishte çështje përshtatjeje, apo pati ndonjë problem tjetër?

Në fillim gjërat shkuan shumë mirë në Ukrainë, u përshtata shpejt dhe luajta disa ndeshje me ekipin tim. Më pas klubi im u transferua nga vendi ku ishte për shkak të luftës.

Patëm vështirësi në këtë drejtim. Mbeta edhe pak prapa me aktivizimin dhe kjo ndikon, sepse kampionati ishte shumë i fortë. Doja të luaja rregullisht, prandaj dhe vendosa që të kthehem në Superiore. E ka ndjekur vazhdimisht kampionatin gjatë kohës që isha në Ukrainë. Profesor Iliri më njeh si lojtar, e di se sa mund t’i shërbej dhe tani dua të jap maksimumin për Dinamon në çdo ndeshje.

Si ju duket grupi i lojtarëve që keni gjetur te skuadra e re?

Është një grup shumë i mirë lojtarësh, që më ka pritur shumë mirë që në momentin që shkela në klub. E them me shumë kënaqësi që kam gjetur një grup lojtarësh me cilësi, por edhe djem shumë të mirë. Në përgjithësi në klub ka një klimë shumë pozitive dhe kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar. Është diçka që zakonisht nuk e gjen në klube të tjera. Për mua është fat që kemi këtë atmosferë, që besoj se do të na ndihmojë gjatë sezonit.

Pas atij titulli me Tiranën në Superiore, a është koha edhe për një titull me Dinamon?

Mendoj se është shumë shpejt, nuk mund të flasim që tani për titullin. Ne do të shohim ndeshje pas ndeshjeje, duke u munduar të rritim nivelin tonë të lojës dhe rezultatet. Në fund pastaj do të bëhet bilanci. Tani mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës.

Që është ajo me Skënderbeun të hënën. Një mundësi për rikthimin te fitorja?

Besoj se është një ndeshje që duhet ta fitojmë, por duhet ta përgatisim si duhet, sepse nuk është aspak e lehtë. Skuadra është e motivuar për të dhënë më të mirën. Do të luajmë në Elbasan, në një fushë të mirë, ndaj shpresoj që të marrim maksimumin, por gjithçka e tregon më mirë fusha.

A e keni menduar derbin me Tiranën, ish-skuadrën tuaj?

Jo, të them të drejtën nuk e kam menduar për asnjë moment atë ndeshje. Thjesht jam i përqendruar tek ajo që vjen përpara. Besoj shumë se do të bëjmë një sezon dhe Dinamon do ta shohim lart, siç e meriton ky klub me emër.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"