EKSKLUZIVE/ Analiza e Neptun Bajkos: Fitorja e Shqipërisë ndaj Ukrainës ishte meritë e trajnerit, ky grup ka vrarë frikën e mungesave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 20:35

EKSKLUZIVE/ Analiza e Neptun Bajkos: Fitorja e Shqipërisë ndaj Ukrainës ishte meritë e trajnerit, ky grup ka vrarë frikën e mungesave

NGA NEPTUN BAJKO
Kundër një ekipi si Ukraina, përpara se të zhvillohej ndeshja, prisnim një takim shumë të vështirë dhe këtë më mirë se kushdo e kuptonte Silvinjo, stafi i tij dhe skuadra. Fillimisht do të përqendrohem te trajneri, i cili për mendimin tim, jo vetëm ka punuar mjaft mirë në përgatitjen e kësaj ndeshjeje, por më pëlqeu shumë cilësia e tij në drejtimin e ekipit, pjesëmarrja në çdo sekondë dhe minutë për të motivuar lojtarët dhe për të korrigjuar të metat që shfaqeshin.

shqiperi ukraine

Ai ishte në një tension, që edhe pse e tregonte, sërish ruante ato kriteret e një trajneri profesionist për të drejtuar aty ku ishin të metat që shfaqeshin gjatë lojës. Në këtë aspekt, vlerësimin më të lartë, unë e jap për Silvinjon, në të gjitha drejtimet. Ashtu si shkoi ndeshja, është meritë e jashtëzakonshme e tij. Pra, nuk ka sukses pa meritë dhe në këtë aspekt merita kryesore i takon trajnerit dhe ndihmësve të tij. Duhet që t’i japim meritat që i takojnë trajnerit, sepse shpesh kur fitohen ndeshjet, ka një tendencë që të vlerësohen vetëm futbollistët. Duke u marrë me lojtarët, harrojmë trajnerin, por duhet të kuptojmë që ai ka rolin më të rëndësishëm.

PRESIONI DHE ZGJUARSIA

Në këtë takim kishte disa aspekte pozitive që unë vura re. Shpesh herë kemi thënë, që sulmi më i mirë është kur di si të mbrohesh dhe në të njëjtën kohë të sulmosh duke shfrytëzuar hapësirat që krijohen dhe kapjen në befasi të kundërshtarit. Ekipi ynë e zbatoi mësë miri këtë rregull të futbollit modern, duke përjashtuar 10-15 minutat e para, që presioni ndjehej te të gjithë lojtarët dhe nuk kishin lirshmëri në lojën e ekipit.

Bajko

Taktikisht, një mënyrë loje e tillë i dha mundësi ekipit tonë të dilte me zgjuarsi dhe të rrezikonte në tre-katër raste në pjesën e parë dhe më tepër në të dytën. Ukrainasit zhvilluan një lojë me shumë stacione, të ngadaltë dhe pa befasi, duke u munduar që të mbanin sa më tepër në zotërim topin. Një veprim i tillë nuk e nxori nga detyrat lojtarët dhe ekipin tonë. Kjo ishte një vlerë e shtuar në këtë aspekt. Këtë e them, sepse në ndeshjet në Europian, skuadra doli me një përshtypje të mirë, me një lojë që u pëlqye, pavarësisht se rezultati nuk ishte aty ku e dëshironim ne. Por, e rëndësishme është që kundër Ukrainës ekipi ynë pasqyroi ato vlera pozitive të Europianit, duke i ruajtur dhe përmirësuar tani vazhdimisht për të arritur një kualitet akoma më të lartë në lojë.

Gjithnjë e kemi cilësuar lojën në bllok si lojë të shumë ekipeve sot në botë, që e aplikojnë. Kjo ka të mirat e saj, por duhet të kesh përgatitjen dhe lojtarët e duhur. Rëndësia e lojës në bllok në këtë takim ishte frutdhënës dhe kjo u pa nga ekuilibri që pasqyroi skuadra në dy aspektet e lojës, mbrojtje dhe sulm, si dhe në veçanti zbatimi mjaft i mirë i detyrave të çdo reparti dhe çdo lojtari, si në mbulimin e kundërshtarit në shumë aspekte si ekip, por edhe ato individuale.

NDESHJA MË E MIRË E MANAJT

Edhe pse luhet në bllok dhe merita është e kolektivit, gjithmonë ka lojtarë, të cilët janë shembull në vigjilencën që tregojnë dhe në përqendrimin maksimal në lojën që zhvillojnë. Këtu dua të vlerësoj në veçanti Manajn në sulm, Ismajlin dhe Kumbullën në qendër të mbrojtjes, si dhe Asllanin dhe Laçin në mesfushë. Këta të fundit, jo vetëm të ishin prita e parë e sulmit të ukrainasve, por u bënë dhe mbështetësit kryesorë në veprimet sulmuese, duke mos e lënë vetëm Manaj. Për mendimin tim, Manaj ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira, qoftë teknike, fizike apo taktike. Një lojtar me rendiment dhe diapazon të jashtëzakonshëm.

Një lojtar që sakrifikoi për ekipin në çdo aspekt, nga sulmi deri në mbrojtje. Ekipi luajti thjesht dhe kjo ishte një gjë shumë pozitive. U luajt pa teprime të lojës individuale, të përqendruar në zbatimin e detyrave, duke vënë theksin te shpirti i sakrificës dhe dëshirës së madhe për të marrë një rezultat pozitiv. Kjo është një vlerë që duhet pasuruar më tej, si bazë e lojës kolektive duke nxjerrë në pah edhe vlerat individuale.

Dhe këto vlera më mirë u mëshiruan te loja e Manajt dhe Ismajlit, që vinte nga një periudhë jo e këndshme me ekipin Kombëtar, po ashtu dhe Asllani bashkë me lojtarët e tjerë si Bajrami, Laçi, Ramadani, që luajtën si asnjëherë tjetër, thjesht, qartë dhe shumë shpejt kalonin nga veprimet mbrojtëse në ato sulmuese. Kjo gjë krijoi edhe ato raste, që nuk u shfrytëzuan, por ishin raste të pastra për arritjen e rezultatit.

MUNGESAT DHE MBROJTJA

Fituam një ndeshje me kundërshtar të fortë si Ukraina pa pasur dy qendrëmbrojtësit që luajtën në Europian si kapiteni Gjimshiti dhe Ajeti, por nuk ishte as Broja. Sigurisht, kur mungojnë dy qendërmbrojtës që janë preferuar si titullar, është shumë e vështirë për ekipin dhe trajnerin. Megjithatë, unë mendoj, që nga pikëpamja qoftë fizike, orientuese dhe të kuptimit të detyrave, Ismajli me Kumbullën dhe deri diku edhe Mitaj me Hysajn. Dy qendërmbrojtësit kanë vepruar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Kanë pasur marrëdhënie me dhe pa top të shkëlqyera, kanë qenë të vëmendshëm dhe kanë luajtur shumë thjesht, gjë që i ndihmoi të nxirrnin një lojë të mirë. Ukrainasit nuk tentuan të çanin nga qendra. Gjithë loja e tyre me pasime ishte e përqendruar nga krahët, por sidomos në krahun e majtë. Mirëpo, duke u ndihmuar nga Ramadani, Laçi e Bajrami, mbrojtja i kreu shkëlqyeshëm detyrat. Nuk lejoi që kundërshtari të vepronte me pasime vertikale për t’u futur në zonë dhe për të rrezikuar. Kjo tregon dhe një gjë tjetër, duke iu referuar këtij takimi, që po krijohet një frymë grupi.

Pra, që kushdo të hyjë në formacion apo të luaj, të japë 100 për qind rendimentin e tij dhe të bashkëveprojë me shokët e skuadrës. Të bëjë lojë kolektive dhe të thjeshtë, në bazë të së cilës ndikoi shumë dhe shpirti luftarak, dhënia në maksimum e energjive, deri në shterim të plotë. Kështu ishte rasti i Asanit, Manajt dhe të tjerëve. Kjo të mobilizon ty dhe dobëson psikologjikisht dhe moralisht kundërshtarin.

GJEORGJIA DHE VAZHDIMËSIA

Ndeshja me Gjeorgjinë i ka të dyja aspektet. Ata vijnë me entuziazëm pas fitores së bujshme kundër Çekisë. Edhe ne vijmë me një fitore me përmbysje dhe një lojë të mirë me Ukrainën. Diferencat mes ekipeve janë ngushtuar dhe në këtë aspekt vendosin kualitetet e lojtarëve, që Gjeorgjia edhe i ka. Mendimi im është që duke u formuar një grup prej 20-23 lojtarësh të ekipit tonë, edhe diferencat ngushtohen. Fakti tregoi që mungesa e Gjimshitit, Brojës apo ndonjë lojtari tjetër, krijojnë një ndërlidhje mes trajnerit dhe lojtarëve që të japin në fushë maksimumin dhe të mos kenë frikë se mungon Gjimshiti, Broja apo ndonjë tjetër. Këtu është puna e kolektivit.

Pra, është krijuar një skuadër kolektive, që gjithkush që futet në fushë duhet të kryej detyrën e vet më së miri dhe të japë edhe ndihmesë për të tjerët. Ecuri pa probleme nuk ka, por duhet të jenë të tilla që ndikojnë për rritjen e skuadrës, jo për të kaluar në mungesë besimi ose mungesë të ruajtjes së ekuilibrave morale dhe psikologjike të lojtarëve.

Situata e tanishme ka të bëjë me rritjen dhe përsosmërinë e ekipit. Por, sa më lart të ngrihesh aq më të vështira bëhen ndeshjet dhe ecuria. Prandaj, në këtë aspekt duhet të jetë kujdesi, sipas mendimit tim. Kësisoj, dua ta mbyll me këtë shprehje: kohët e vështira vijnë pa paralajmëruar.

* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë, do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"