EKSKLUZIVE/ “Balluku mungoi se i arrestuan babanë para nisjes”, Starova: Pse protestuam për dhuratat, ju tregoj ndeshjen që rrezikoi prishjen e miqësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 23:02

EKSKLUZIVE/ “Balluku mungoi se i arrestuan babanë para nisjes”, Starova: Pse protestuam për dhuratat, ju tregoj ndeshjen që rrezikoi prishjen e miqësisë

Nga UVIL ZAJMI

Kapiteni e Shqipërisë së të rinvje në turneun e zhvilluar në Kinë gjatë vitit 1974 ishte një emër i shquar i futbollit shqiptar si Sulejman Starova.

starova

Pesë dekada më pas ish-mbrojtësi tregon për “Panorama Sport” detaje unike nga ai turne, ndërsa ishte pjesë e kuqezinjve i ardhur nga skuadra e Shkëndijës. “Dilnim për herë të parë jashtë shtetit. Seit Hyseni ishte caktuar të mbante flamurin dhe ne pas tij me duart lart, bashkë me lojtarët kinezë, futeshim në fushë”, thotë ndër të tjera “Bobi”, për të vijuar rrëfimin e tij.

Starova, bëhet fjalë për vitin 1974. Çfarë atmosferë politike ka pasur në atë kohë dhe natyrisht në raportet e Shqipërisë me Kinën?

Pas vajtjes së Niksonit dhe takimit me Mao Ce Dunin në vitet 70-të, marrëdhëniet kishin filluar të ndryshonin. Ne nuk kishim asnjë orientim, por dihej, duhet të ishim korrekt gjatë qëndrimit tonë në Kinë.

Dimë që jeni nisur me një lojtar më pak…?

Javën e fundit nuk erdhi në hotel dhe stërvitje Agron Balluku, titullar i ekipit të të rinjve të Partizanit. E takuam në boulevard dhe na tha se nuk do vinte për motive familjare. Para se të niseshim për në Rinas, na njoftuan se Agroni nuk do të vinte se i kishin arrestuar babanë Beqir Balluku, me grupin e ushtarakëve.

U prish atmosfera, u mërzitëm dhe mbetëm 20 lojtarë. Ishim të një moshe, shokë thuajse të gjithë, pavarësisht se luanim me skuadra të ndryshme.

U vendosët në vendlindjen e Mao Ce Dun?

Po, në Canshan, aty ku zhvilluam edhe dy ndeshje. E para, që ishte edhe në program, e fituam 3-0. Për takimin e dytë na detyruan. Si vendlindja e Maos na dhanë urdhër të luanim për hir të miqësisë dhe ndihmës që Kina i jepte Shqipërisë, në të kundërtën rrezikon të prishej miqësia.

Të paktën kështu na thonin. Pra, duhet të bënim një kompromis. Por, trajneri Refik Resmja, në analizë ose nga stoli na bërtiste, na nxiste. Ai thoshte se nuk i interesonte politika dhe ndeshjen duhet ta fitonim. Në këtë atmosferë aty u luajt ajo ndeshje. Nga presioni i Resmjes që të mos toleronim, fituam 2-0.

Cila ishte atmosfera në qytetet dhe stadiumet ku luajtët?

Kemi bërë mjaft vizita në kopshte, shkolla, ku u kishin mësuar këngët “Qingji i vogël” dhe ato i këndonin në shqip. Kemi parë qëndra pune, madje në një uzinë ku prodhoheshin kamionë për në Shqipëri, na thanë:

“Populli kinez tërheq karrocat me kuaj në rrugë, ndërsa ne çojmë kampionë në Tiranë”. Pastaj këngët italiane që këndonim në autobuz, kur lëviznim brenda qytetit. Mjeku kinez i  pëlqente, janë ritmike melodioze, na thoshte: “Singapore, Singapore, Jezahel, Donna felicita”, që në tufë këndoheshin bukur, por ai e kishte të vështirë t’i këndonte. Kur na pyeste, i thoshnim janë këngë popullore tonat.

Po darkat zyrtare si i kujtoni?

Kujtoj që para se të largoheshim, në darkën zyrtare ata kishin përgatitur për të na dhuruar secilit nga një çantë me materiale sportive si tuta, këpucë, atlete etj., duke na marrë numrat më parë. Por, ndërhyri përgjegjësi i delegacionit dhe refuzoi që t’i merrnin.

MixCollage-06-Sep-2024-11-10-PM-8778

“Çfarë janë këto peshqeshe?! Nuk kemi nevojë, i keni në Tiranë. Është udhëzim nga Tirana”, na tha ai. U mërzitëm shumë dhe kemi bërë protestë, duke thirrur: “Duam tutat, duam tutat”. Mjeku, përkthyesi na u bashkuan si të ishin vëllezërit tanë, që me shumë dashamirësi “mos, mos” se mund të keni pasoja, mund t’ju arrestojnë na thonin, duke tentuar ta na ndalonin dhe qetësonin.

Po historia e kartonit të verdhë si është?

Gjatë turnout, arbitri Konnçi thoshte në bisedat me Resmjen dhe Mërhorin, se si diçka e re e botërorit, si kartoni i verdhë, jo i kuqi, është mire që të nxirret edhe këtu. Nuk e kishte nxjerrë në asnjë takim më parë.

Një natë para ndeshjes në Pekin, arbitri Konçi i tha stafit se të nesërmen do të nxirrte një karton të verdhë, për t’ja treguar kinezëve, pasi duke mos qenë anëtarë në FIFA, nuk merrnin pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Pra, nuk e njihnin. Duhej gjetur momenti, shkaku, pra, duhej improvizuar diçka, për ta demonstruar publikisht. Me kinezët nuk ishte e mundur, duhej provokuar me ndonjërin nga ne.

Cili ishte reagimi i shtabit?

Shtabi me trajnerët dhe përgjegjësin e kundërshtuan. Nga frika, jo i thanë mos e nxirr se do na krijosh probleme, mund të konsiderohej si një provokim. “Do ja nxjerr një futbollisti tonë, jo një kinezi”, i sqaronte Konçi. Debatet vazhduan gjatë, ndërsa të nesërmen ishte ndeshja.

Po ju lojtarët kishit informacion për atë që po ndodhte?

Jo, vetëm përkthyesi Li, atë e kishte informuar se qëllimi nuk ishte për të ndëshkuar askënd, por për ta bërë të njohur edhe në Kinë kartonin e verdhë. Një stadium i tejmbushur gjatë lojës, ai na thoshte mua, Hysenit si mbrojtës, të shkaktonim faull të qëllimshëm, për t’i dhënë mundësinë të nxirrte kartonin e verdhë. Por, ne e refuzonim, duke i thënë: “Pse unë, nuk i bëj faull kinezëve, do na dënojnë”. Kishte ndienjë frike.

Në një moment, Dion Kushe bëri një ndërhyrje, e ndërsa po i jepte dorë për ta ngritur, Konçi në mënyrë demonstrative i nxorri kartonin e verdhë, duke habitur 100 mijë spektatorët. Nga altoparlanti ata njoftuan, duke e shoqëruar me duatrokitje, ndërsa Konçi me dorën te zemra i falënderonte publikisht. Fama që mori arriti deri në Shqipëri, si e para “xhaketë e zezë”, që shtangu një stadium gjigand si ai që quhesh “Punëtori”. Për kinezët ishte një ngjarje e madhe, sepse nuk e njihnin.

Dhuratat nga Kina si përfundim i morët me vete?

Më shumë pëlqeheshin filxhanat që ishin me famë. Në Canshan ishte një fabrikë e prodhimit të tyre. Aty blame dhe me arka i kemi marrë. Po kështu edhe letrat e bixhozit, ndonëse nuk lejohej të blinim, se në Shqipëri ishte lojë e ndaluar. Në një çast, trajneri Resmja e kapi punonjësin e sigurimit duke blerë letra. Edhe këto merreshin më shumë për dhurata.

PANORAMASPORT.AL

Shqipëria U-18 dhe historitë e pathëna të turneut në Kinë/ 9 ndeshje të zhvilluara dhe Gëzdari si aktor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"