EKSKLUZIVE/ 15 milionë lekë që lushnjarët të ndalnin kuqezinjtë. Rivalët premio për anti-Flamurtarin, “tërbohet” Idrizi
Lushnja do të merrte dhuratë 15 milionë lekë nëse do te ndalte Flamurtarin. Bonusi iu premtua nga një skuadër rivale e vlonjatëve, gjë e cila nuk është pritur aspak mirë nga Sinan Idrizi. Për “Panorama Sport”, Idrizi tregon se këtë fakt ia ka pohuar pas ndeshjes një lojtar i Lushnjës.
“Ne jemi një ekip pa aleanca. Dëgjova që Lushnja ishte motivuar nga një ekip tjetër që pretendon, kundër Flamurtarit. Unë i them një gjë miqësore: Nëse unë do të hyjë në terren dhe do të motivojë ekipe që luajnë me këtë ekip që ka motivuar Lushnjën kundër Flamurtarit, atëherë të jeni të sigurt se do të jetë dy apo trefish më shumë nga kjo që kanë bërë këta. Ju bëj thirrje këtyre kolegëve që merren me sportin dhe që luajnë nën tavolina: Luani si burrat në fushë, mos e detyroni Flamurtarin të bëj edhe ai të njëjtën gjë si ju, sepse po e bëmë edhe ne do të jetë shumë keq ky kampionat.
Nuk e di kush e motivoi Lushnjën, por më thanë që një ekip që do të luajë me ne. Lojtarët e Lushnjës më thanë pas ndeshjes. Nëse zgjedhin këta këtë histori të luajnë në këtë farë feje me Flamurtarin, në rregull. Unë nuk merrem me komente rreth arbitrit, as me këtë histori. Shëmtia është kur ekipe që luftojnë për vend të parë arrijnë të motivojnë ekipet e tjera duke i ndërsyer kundër Flamurtarit. Kjo është një histori më shumë se e shëmtuar”, thotë Idrizi.
MESAZHI – Administratori Idrizi pohon se nuk do të bëhet pjesë e këtyre lojërave. Sa i përket ndeshjes me Besën, ai thekson se skuadra e tij do të shkojë të luajë si burrat. “Unë nuk luaj me burracakët. Unë nuk e di kush ka folur me këta të Lushnjës, ka folur ky, ka folur ai, nuk e di, por më tha një lojtar i Lushnjës se na kanë ofruar kaq lekë. E përsëris, burracakët luajnë në këto sisteme. Flamurtari nuk luan kurrë me këta. Nuk luan kurrë Flamurtari në këtë sistem. Ne do të luajmë me këtë si burrat në fushë. Unë bie në fushë, nuk luaj nën tavolinë. Nuk kemi ne, tri ndeshje këtu, tre pikë aty dhe gjashtë pikë atje. Flamurtari është i vetmi ekip në këtë kategori që nuk ka një kalendar pikësh të marra. Ju e shikoni vetë, shikoni kalendarin dhe flisni vetë. Ky nuk është problemi ynë, ky është problemi i organizatorëve ta garave”, përfundon Idrizi.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"