“Ekipi të justifikojë taksapaguesit lushnjarë”. Ish-kapiteni Çela: Po gabohet çdo vit, Lushnja për mbijetesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2024 | 15:04

“Ekipi të justifikojë taksapaguesit lushnjarë”. Ish-kapiteni Çela: Po gabohet çdo vit, Lushnja për mbijetesë

Ish-kapiteni i Lushnjës, Gentian Çela, “skanon” verdhejeshilët. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-mesfushori pohoi se ekipi duhet të justifikojë investimet e taksapaguesve lushnjar në vazhdimësi. “Si çdo vit, nisemi me pretendime për ngjitjen në Superiore, sipas deklaratave të drejtuesve e buxhetit të miratuar, por përsëritet e njëjta situatë.

cela lushnja

Është fundi i nëntorit dhe që në këtë moment jemi jashtë pretendimeve të shpallura, por duhet të luftojmë për të qëndruar në kategori. Buxheti i miratuar për futbollin nga Bashkia Lushnjë është një shumë e rëndësishme. Çdo vit ka pasur rritje të shumës dhe rezultati ka qenë po i njëjtë. Në fund të sezonit duhet të bëjmë ndeshje shtesë për të qëndruar në këtë kategori. Ndoshta, vendimmarrësit e ekipit duhet të konsultohen me njerëz që e njohin fushën, që e duan fanellën. Deri në këtë moment, ekipi nuk ka dhënë atë që duhet në asnjë moment për rëndësinë e fanellës që përfaqëson. Kemi pasur edhe ndërrim të stafit drejtues.

Ekipi ndërtohet në bashkëpunim me një trajner, i cili ishte edhe vitin e kaluar. Në tetor ndërrohet stafi dhe merret një djalë lushnjar, me të parën eksperiencë me ekipin e të rriturve. Nga ndeshjet e zhvilluara, ekipet e renditura poshtë nesh kanë arritur të marrin pikë në Lushnjë. Erzeni mori një pikë, ndërsa Valbona mori tre. Pretendimet e Lushnjës duhet të fokusohen për të siguruar mbijetesën, mundësisht pa pasur nevojën e ndeshjes “play out” në fund të sezonit të rregullt.

Pretendentët për t’u ngjitur në Superiore e kanë treguar veten me rezultatet e tyre dhe vendin që mbajnë në klasifikim. Ekipi i Lushnjës duhet të justifikojë investimet e taksapaguesve në vijim. T’i sigurohet qetësia ekipit dhe stafit trajnues dhe të bëhen korrigjimet në merkaton e janarit. Megjithatë, kanë mbetur edhe 4 ndeshje deri në mbylljen e vitit. Shpresojmë në arritjen e rezultateve pozitive duke filluar nga ndeshja me Kastriotin”, u shpreh ish-kapiteni Çela.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"