“Ekip pa ide dhe objektiva, askush nuk e vret mendjen”, Demiraj: Rehat në të Parën, Apolonia ka kapitulluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 14:30

“Ekip pa ide dhe objektiva, askush nuk e vret mendjen”, Demiraj: Rehat në të Parën, Apolonia ka kapitulluar

Për Elidon Demirajn, ish-mbrojtësin dhe ish-trajnerin e Apolonisë, starti nuk ka nevojë për shumë koment, pasi janë grumbulluar vetëm 4 pikë nga 12 të mundshme dhe loja e skuadrës fierake nuk ka bindur në katër javët e para të kampionatit. 

elidon demiraj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai pohon se largimet e lojtarëve titullarë në sezonin e kaluar kanë pasur ndikimin e tyre dhe tek Apolonia kanë qenë shumë.

Si e vlerësoni startin e kampionatit për Apoloninë?

Starti nuk është aspak i mirë, s’ka nevojë për shumë koment. Nga 12 pikë të mundshme kemi marrë vetëm 4, pra janë shumë pak. Pastaj ne po gjykojmë mbi atë që dëshirojmë, ose pretendojmë si dashamirës të Apolonisë. Sepse në fakt, ne nuk dimë çfarë do dhe çfarë synon klubi, dhe cilat janë objektivat e tij për këtë vit. Asnjë s’ka deklaruar çfarë do të synojë ekipi, ndoshta s’kanë fare synim edhe objektiv për t’u ngjitur në elitë dhe rrjedhimisht me këto pikë janë në rregull.

Çfarë mendoni se nuk ka shkuar si duhet për ekipin fierak në këto katër takimet e para?

Ka ceduar loja e skuadrës. Nuk më ka pëlqyer dhe nuk ka bindur asnjëherë në katër javët e para të kampionatit. Si pasojë e lojës së dobët kanë ardhur edhe këto rezultate zhgënjyese, për më tepër që dy prej tyre kanë qenë në Fier. Për mendimin tim, nuk kanë për të shkuar larg me këtë përbërje të cunguar dhe këtë merkato të vakët.

Pak ditë më parë, Lushnja mori tri pikë me shumë vlerë në Fier. Çfarë do të thotë humbja në derbi?

Jemi të vetëdijshëm se pikët e fazës së parë janë shumë të rëndësishme. Kjo, pasi ekipet fillojnë dhe krijojnë profilin e tyre, por edhe fitojnë besimin për vazhdimësinë. Pa harruar që ngjisin edhe shkallë në renditje. Me Lushnjën është vërtet derbi, por as e ka më ndjenjën, as atmosferën, aq më pak dhe natyrisht më keq nivelin dhe objektivat, siç kanë luftuar këto dy ekipe. Lushnja ka marrë një trepikësh që do ta ndihmojë shumë në të ardhmen, ndërsa humbja krijon shumë probleme për Apoloninë.

Çfarë duhet të rregullojë trajneri që ekipi të kthehet te fitorja në ndeshjen e radhës me Flamurtarin, një nga rivalët më të fortë?

Trajneri e di vetë dhe më mirë çfarë duhet të bëjë, pasi ka eksperiencën e duhur dhe sigurisht punon përditë me ekipin. Kështu që, më mirë se ai nuk e di njeri. Por, kur organika është shumë e cunguar dhe ekipi ka probleme me kualitetin dhe cilësinë, atëherë edhe trajneri është i kufizuar në zgjedhjet ose zgjidhjet që mund të bëjë. Mendoj se ekipi është ky që është dhe do besim te të gjithë për t’i marrë më të mirën e mundshme dhe maksimumin këtij grupi.

Si e shikoni këtë ndeshje në Vlorë dhe sa besoni te rezultati pozitiv?

Personalisht mendoj se Apolonia e ka më të lehtë kur luan në transfertë se sa në shtëpi, sepse kur bën sfidantin e ka më të lehtë se sa kur kërkon t’i imponohet kundërshtarit për t’i marrë fitoren. Prandaj, besoj se ekipi do të dijë të reagojë ose më saktë, dëshiroj që të rikthehen te rezultati pozitiv.

Tre titullarë të sezonit të kaluar janë larguar si: Harizaj, Shanaj dhe Omeri. Ndikon fakti që nuk janë zëvendësuar me të njëjtën cilësi?

Pikërisht kjo është ajo që të vjen keq më shumë. Megjithatë, është një situatë për të qarë dhe qeshur njëkohësisht. Ekipet e tjera mezi mbahen dhe kërkojnë të arrijnë rezultate të larta, ndërsa ne kemi dy aksionarë, president dhe bashkinë, dhe kemi hedhur rrënjë në këtë kategori, por asnjëri nuk e vret mendjen fare. S’ka projekt, s’ka ide, s’ka objektiv dhe s’ka plan. Një ekip serioz, jo që s’do t’i linte ata të largoheshin, por do të merrte edhe 5-6 lojtarë të tjerë elite dhe do të luftonte ashtu siç i takon. Jo t’i mbash lojtarët me zor, por të jenë të gëzuar që do të luajnë për Apoloninë. Sikur po na pëlqen kjo rehatia e inferioritet të kësaj kategorie.

Sa larg mund të shkojë kjo Apoloni? A mund të mjaftohet sërish me “play off”-in, sepse Besa, Flamurtari dhe Vora duken një hap përpara?

Nuk do të shkojë larg kjo Apoloni. Do të jetë një film i parë i këtyre viteve të fundit. Për mendimin tim, ky sezon do të jetë thjesht seria tjetër. Në qoftë se do të kishte ndonjë objektiv, atëherë do të kishte filluar puna që në maj, me merkaton, me organizimin dhe me stërvitjen. Ato që i kanë bërë këto janë Besa, Flamurtari dhe Vora, ndaj janë një hap përpara. Edhe kjo është për të ardhur keq dhe sjellë rrjedhimisht zhvlerësimin e ekipit, fanellës dhe historisë. Kthehesh në një ekip të dorës së dytë dhe arrin fundin pastaj, ku një lojtar kalon gjithë periudhën e rritjes 10-18 vjeç në klub, dhe kur vjen momenti për të shkuar tek ekipi i parë, nuk pranon por zgjedhë të shkojë diku tjetër. Ky është kapitullim i një klubi dhe çorganizim i organizuar i tij. Thjesht uroj që Zoti e bëftë më mirë, sepse ata që e kanë marrë përsipër po e bëjnë keq dhe do e bëjnë më keq.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"