“Egnatia si trampolinë e mirë”, mbrojtësi Rama: Europa na dha eksperiencë
Mbrojtësi Rezart Rama nuk mori atë që priste sezonin e fundit në aspektin individual. Megjithatë, ai beson se do ta tregojë veten këtë sezon me Egnatian, duke luajtur më shumë për të treguar vlerat dhe për të kaluar më pas në një kampionat të huaj.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari ka theksuar se është gati për çdo sfidë.
Rama, si do ta vlerësonit paraqitjen e Egnatias në Kupat e Europës?
E dimë që ky është futbolli. Diku fati dhe diku faji ynë bënë të jemi jashtë Europës. Arsye ka plot, diferencën a bëjnë gjëra shumë të vogla në këto ndeshje. Ne duhet ta shikojmë realitetin në sy dhe të marrim gjërat pozitive, të fitojmë eksperiencë si grup dhe individë për të qenë një nivel më lart vitin tjetër.
Keni pasur disa shqetësime fizike, si ndiheni aktualisht?
Për fat të keq, u dëmtova ditët e para të fazës përgatitore dhe humba të gjithë fazën. Kjo ndikoi keq dhe për të mos qenë gati për të ndihmuar ekipin për këto ndeshje të rëndësishme që kishim. Megjithatë, shpresoj ta kap veten së shpejti për të qenë gati për ekipin.
E keni pasur të vështirë të luani titullar. Si e prisni këtë sezon?
E vërteta është se nuk arrita të luaja si titullar aq ndeshje sa do të doja për të treguar veten, sepse erdha nga një ndalesë prej 3 muajsh dhe u vonova të kap maksimumin tim për të marrë besimin që më duhej. Shpresoj të tregoj aftësitë e mia në këtë kampionat, sepse duke njohur veten, e di që kam shumë për të dhënë.
Keni luajtur në Angli dhe Kanada, e shikoni Egnatian si trampolinë?
Po, kam qenë te Notingam Forest sezonin e fundit qe hipi në Premier Ligë dhe atje jam pjekur shumë si lojtar. Isha në ekip me lojtarë me eksperiencë që janë në elitën e futbollit sot. Edhe në Kanada kam qenë dy sezone dhe jam shpallur kampion të dy vitet. Po Egnatian e shikoj si një trampolinë, duke ditur që prej saj kanë ikur shumë lojtarë në Europë.
Kjo tregon se mundësia është për të gjithë, ai që tregon veten, e realizon këtë gjë. Cili është objektivi që keni për sezonin e ardhshëm? Objektivi personal është, siç e thashë, të kap maksimumin nga vetja, të jem në 100%, më i përgatitur se sezonin e kaluar për të marrë minutat që dua për të ndihmuar ekipin. Duke treguar nivelin tim, mund të lëviz në një kampionat më të madh të Europës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"