Egbo i pavendosur, ka dilema për titullarët e Bylisit në ndeshjen e parë
Katër ditë nga sfida me Teutën, në Ballsh tashmë përgatiten për formacionin titullar që do të zbresë në fushën e blertë, të dielën në mbrëmje në “Niko Dovana”. Mallakastriotët kanë pasur shumë lëvizje këtë verë, dalje, por edhe hyrje duke e bazuar merkaton në tregun e huaj, aty ku kanë afruar disa elementë cilësore nga Brazili.
Nga skuadra e sezonit të shkuar kanë mbetur vetëm 8 titullarë, por vetëm gjysma e tyre pritet që të ketë një vend në formacionin bazë këtë sezon, nga sa është konstatuar edhe në duelet miqësore. Ndërkohë, ashtu siç edhe gjatë fazës përgatitore presidenca dhe stafi teknik kanë vendosur që skuadra të jetë e grumbulluar, madje do të vazhdojë që të jetë në të tilla kushte gjithë gushtin.
Ballshiotët e kanë marrë më shumë seriozitet startin e sezonit të ri futbollistik, ndërsa janë në pritje edhe të së paku 2-3 futbollistëve. “Grepat” janë hedhur në Nigeri dhe Brazil për të plotësuar grupin. Një mbrojtës qendre dhe një sulmues do të bënin që Bylisi ta niste garën i kompletuar, por skuadra do të jetë në merkato deri në limitin e afateve.
Ndërsa klubi kërkon ta nisë denjësisht, Egbo dhe stafi i tij duket se janë ende në dilemë për titullarët që do të hedhin në fushë në Durrës, sepse edhe konkurrenca brenda skuadrës është rritur ndjeshëm. Diçka e veçantë që bie në sy është prania e shumë tifozëve në seancat stërvitore të ekipit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"