“Edhe kur je në vend të parë ke presion”, Ahmataj para derbit me Partizanin: Hasani mund të luajë, por mungojnë…
Tirana do të ndeshet me Partizanin ditën e nesërme në “Air Albania”, në orën 19:00 e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Trajneri i bardhebluve, Julian Ahmataj është shprehur se ekipi do të futet në fushë për tre pikët dhe gjithashtu shpjegoi situatën me dëmtimet.
“Çdo ditë mundohemi për t’u përmirësuar dhe për të arritur formën maksimale të lojtarëve. Besoj se kemi arritur një pikë që forma e tyre ka ardhur atje ku duhet, sepse është kulmi i kampionatit dhe duhet të shprehim ato cilësi që kemi.
Hasani? Është një mungesë jo e konfirmuar, sepse kemi një mundësi që mund të jetë në lojë. Por Patrik e ka humbur ndeshjen, sepse ka pësuar një dëmtim dhe ai do të ekzaminohet në ditët në vijim.
Nuk kemi Qefalijan, nuk kemi Bruno Lulajn, Rimalin (Haxhiun) e kemi humbur dje në stërvitje. Pra bëhen shumë mungesa, por përsëri ne kemi shumë lojtarë që janë të aftë për të dhënë kontribute, janë shumë të mirë për t’i shërbyer skuadrës.
Reparti ofensiv? Gjithmonë ka pasur dëmtime në këto role dhe lojtarë të veçantë kanë qenë të dëmtuar. Për shkak të konsumit që ata japin në ndeshje janë gjithmonë të parët që zëvendësohen. Kjo i jep më shumë freski skuadrës për t’u shprehur më mirë.
Gjithmonë, edhe kur jemi në vend të parë ka presion. Të gjithë që kanë luajtur me Tiranën dhe që kanë drejtuar Tiranën e dinë këtë gjë. Klubi kërkon gjithmonë rezultate maksimale dhe kur kërkon rezultate maksimale presioni është prezent, je apo s’je në vendin e parë.
Nuk diskutohet që do të japim maksimumin për të arritur këto tre pikë, që i japin një bonus psikologjik skuadrës dhe një shtysë për të ecur përpara”, u shpreh Ahmataj.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"