E ka piketuar klubi i madh spanjoll, Ivan Balliu zbulon të ardhmen: Synimi im është që…
Ivan Balliu ka humbur vendin e tij si titullar në radhët e Rajo Vajekanos dhe kjo situatë, e kombinuar me faktin se ai është në vitin e fundit të kontratës, bëri që për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare të kishte shumë interes nga klube të tjera. Mediat spanjolle kanë zbuluar se ai ka pasur bisedime me klubin e Valencias, i cili po kërkon një mbrojtës të djathtë dhe po mendonte të afronte pikërisht shqiptarin.
Por në një intervistë të dhënë së fundmi në Spanjë, Balliu ka zbuluar se ai dhe Rajo Vajekano, tashmë po planifikojnë të nisin bisedimet për rinovimin e marrëveshjes.
“Po flasim. Këtë javë do të takohemi me presidentin, Synimi i tij është që të qëndroj dhe i imi është që të vazhdoj këtu, ndaj do të jetë e lehtë”, tha Balliu, i cili insistoi se do të bëjë maksimumin që të kthehet titullar. “Gjëja më e keqe që vuaj është kjo e minutave, por unë jam një tip konkurrues. Më kushton, por do të përpiqem të përfitoj sa më shumë”, tha ai.
Arsyeja pse po qëndron te Rajo, ka të bëjë me faktin se është ambientuar mirë në këtë klub ku tashmë është një prej kapitenëve. “Në këtë ekip po ia kaloj mirë, jam i ambientuar si unë dhe familja dhe ku kam krijuar miq për gjithë jetën. Ky është ekipi ku jam ndjerë më mirë se kudo. Nuk e mendova kurrë kur erdha, nuk e kisha imagjinuar. Ka një grup spektakolar dhe shpresoj të vazhdojë kështu për më shumë kohë”, tha Balliu.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"