Dy liderët në ndeshjet e fundit, ndryshim në mesfushë/ Ja si pritet të rreshtohet Partizanit ndaj Egnatias
Partizani vijon stërvitjet për ndeshjen me Egnatian, që vjen vetëm katër ditë pas derbit, bashkë me misionin për tu shpallur kampion dimri. Rrogozhinasit janë vetëm dy pikë larg dhe Partizani kurrsesi nuk ka ndërmend ta lëshojë kreun.
Trajneri Veselinoviç ka mbyllur dy ditë më parë analizën e derbit dhe këshillat për skuadrën dhe ka nisur menjëherë me përgatitjen taktike të duelit kundër Egnatias. Në fazën e parë të kuqtë fituan në transfertë me mjaft lehtësi me shifrat 0-2, por këtë herë e gjejnë Egnatian në formë më të mirë. Sa i përket ekipit, trajneri Veselinoviç duhet të ndjekë vetëm gjendjen e Mehmetit dhe Kotes, që kanë probleme fizike.
Kote ka një problem në një prej gishtave të këmbës dhe shanset që të luajë janë minimale, ndërsa Mehmeti është kthyer nga një tërheqje muskulore dhe pritet të jetë gati për të luajtur në mesfushë, ku Rrapaj dhe Ismaili priten titullarë gjithashtu. Të gjithë të tjerët janë të gatshëm, me formacionin, që nuk ndryshon shumë krahasuar me derbin. Mbrojtja është e njëjta, me Bytyçin që zëvendësohet sërish nga Domgjoni, teksa në sulm ka një dyshim mes Zekës, Kekos dhe Bintsukës.
Sakaq, vijojnë të jenë pjesë e ekipit edhe Hadroj e Rrapaj, të cilët me gjasa do të qëndrojnë deri në fund të këtij muaji, për t’iu bashkuar ekipeve ukrainase, me të cilët Partizani ka arritur marrëveshje për shitje. Siç e kemi raportuar, Hadroj është shitur te Polisia Zhytomir për 150 mijë euro, ndërsa Rrapaj te Kolos Kovalivka për 600 mijë euro. Të dyve u është mbajtur 20% e vlerës së kartonit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"