Dy goditje të tjera në merkato për klubin e Kategorisë së Parë, tani nisin kërkimet për një portier
Vazhdon merkatoja e Turbinës. Pasi siguruan shërbimet e Florian Dacit, Fernando Ndrejajt dhe Malion Lamit, kanë bërë edhe dy “goditje”. Gjyrkan Shehi dhe Mal Mehmeti u janë bashkuar cërrikasve në stërvitje, duke e çuar në 5 numrin e përforcimeve për pjesën e dytë të këtij sezoni.
Për të parin është një rikthim në shtëpi, pasi elbasanasi edhe më herët ka luajtur për llogari të të verdhëve. Përshtatjen nuk do ta ketë aspak të vështirë dhe me të mund të thuhet që blindohet prapavija.
I dyti vjen për të pasuruar mesfushën, pas eksperiencës te Lushnja. Kosovari është pëlqyer nga stafi teknik, ndaj i shtohet organikës.
Hall më vete është kthyer porta. Pas largimit të kapitenit Vokli Laroshi, po kërkohet zëvendësuesi i tij. Portieri ka krijuar një “gropë” të madhe te Turbina dhe kërkimet e deritanishme nuk kanë rezultuar të suksesshme.
Ideja është që nga klubi synohet një gardian me shumë përvojë, që të mos rrinë me kokën pas. Shpresohet shumë që në fillim të javës të mbyllet ky problem, që nuk është aspak i vogël.
Klubi po mendon që të afrojë në skuadër edhe një mesfushor tjetër dhe një sulmues.
Këta dy sektorë kanë nevojë për më shumë cilësi, që të jenë gati për të përballuar garën e ashpër për mbijetesë. Sakaq, skuadra po vazhdon përgatitjet intensive në kryeqytet dhe prioritet po i jep kolaudimit të grupit.
MARIGLEN MIRAKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"