Durrësi “mace e zezë”, Bismark: Koha që Skënderbeu të reagojë, kemi besim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2024 | 10:36

Durrësi “mace e zezë”, Bismark: Koha që Skënderbeu të reagojë, kemi besim!

Humbjet e fundit në kampionat kanë krijuar një situatë delikate në Korçë aq sa reagimi është mëse i domosdoshëm për bardhekuqtë.

bismark

Sigurisht që pozicioni në renditje nuk është fort i përshtatshëm për objektivat e Skënderbeut në këtë sezon, ndaj duhen pikë. Për këtë korçarët duket se kanë sytë nga transferta e fundit me Teutën, një ndeshje delikate, por që kërkojnë ta kalojnë me maksimumin e pikëve. I këtij mendimi është sulmuesi kryesor i Skënderbeut Çarls Bismark, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” ka theksuar se përtej vështirësisë që ka ky takim, ndeshja ndaj Teutës duhet e fituar për Skënderbeun. Kjo është për faktin se 11 pikë në 12 ndeshje janë pak për atë që kërkon Skënderbeu në këtë sezon.

“Vijmë nga dy humbje dhe me një pozicion jo të mirë në renditje. Kemi mundur të marrim 11 pikë në 12 javë kampionat dhe kjo nuk është një përqindje e mirë e statistikave që kemi grumbulluar deri tani. Duhet një reagim dhe shpresojmë që ky reagim të vijë nga kjo ndeshje. Luajmë në Durrës në një ndeshje të vështirë dhe për këtë duhet që të jemi në maksimumin tonë dhe të luajmë si grup. Kemi besimin se mund të dalim me pikët e plota pasi kemi treguar se luajmë mirë futboll, por nuk kemi mundur të marrim maksimumin. Shpresoj që këtë javë të jetë dita e duhur dhe fati të jetë me ne. Unë kam lënë pas një problem fizik dhe jam gati për të qenë në fushë, por më pas gjithçka vendoset nga trajneri. Kemi besimin se me përqendrim maksimal dhe impenjim nga të gjithë lojtarët do të mund të marrim fitoren që kaq shumë na duhet në këtë moment të sezonit. Është koha që të mendojmë për pikët më shumë se për lojën e bukur pasi në fund janë pikët ato që kanë rëndësi.”-theksoi Bismark në prononcimin e tij për Panorama Sport.

TEUTA: Përtej asaj që tregojnë shifrat e këtij sezoni duket se Teuta është një mace e zezë për korçaret dhe Durrësi një tokë e ndaluar. Nëse do t’i referohemi përballjeve direkte mes dy ekipeve të luajtura në Durrës treguesit flasin qartë për dominim të “Djemve të Detit”. Fitorja e fundit në kampionat e Skënderbeut në Durrës është para shtatë vitesh në sezonin 2017-2018, kohë kur korçarët fitonin me shifrat 1-4 në Durrës. Nga ana tjetër suksesi i fundit i Skënderbeut në Durrës daton në vitin 2021 këtë herë për Kupë me rezultatin 0-2. Në përballjet e tjera në këto vite Teuta ka fituar 7 herë në ndeshjet e luajtura në fushën e vet dhe 5 takime kanë përfunduar në barazim. Ndoshta korçarët kanë kohën për revansh në një ndeshje që vlen shumë për fatet e sezonit. Kjo pasi Skënderbeu ndodhet në zonën e ftohtë të renditjes me 11 pikë.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"