Duhen edhe 2 qendërmbrojtës te blutë, Dinamo shton kërkimet
Më pak si tri javë kanë mbetur nga starti i kampionatit dhe te Dinamo duhet të shpejtojnë për të afruar sa më shpejt në skuadër lojtarët, të cilët janë të nevojshëm për të kompletuar ekipin.
Shqetësimi kryesor i drejtuesve blu është qendra e mbrojtjes, ku duhen edhe dy lojtarë të tjerë. Për momentin në këtë rol luajnë Hoxha dhe Muzek, por edhe mesfushori Dita përshtatet si qendërmbrojtës. Lezhjani Gjikola ka apsur një dëmtim në kavilje, ndërkohë që në provë është edhe një mbrojtës francez. Stafi teknik kërkon të paktën edhe një lojtar me kualitet për qendrën, jo vetëm për të pasur alternativa gjatë një sezoni të gjatë, por edhe për të rritur konkurrencën.
Klubi i janë propozuar disa mbrojtës qendre të huaj, apo dhe shqiptarë që luajnë në kampionate të tjera, si në Greqi për shembull, por drejtuesit e Dinamos kërkojnë garanci për nivelin e tyre para se të gjejnë gjuhën e përbashkët në aspektin financiar. Ajo që kuptohet lehtë është se puna është intensifikuar për të mbyllur sa më parë çështjen e mbrojtjes, duke afruar edhe dy lojtarë të tjerë në prapavijë.
TË TJERËT – Përveç mbrojtjes, te Dinamo po shohin edhe disa pista të tjera për të kompletuar mesfushën dhe sulmin, edhe pse këto reparte nuk janë në emergjencë. Kryeqytetasit kanë disa lojtarë të huaj në provë dhe duan të marrin ende kohë që të binden, nëse ata vlejnë për të veshur fanellën blu sezonin e ardhshëm apo jo. Në mesfushë po testohen portugezi Nani dhe nigeriani Kingslei dhe mbetet të shihet, nëse ndonjëri prej tyre do të qëndrojë. Sondazhet e merkatos së Dinamos janë të hapura prej kohësh edhe për një qendërsulmues. Koha po kufizohet dhe ndoshta para kthimit të skuadrës nga Italia do të ketë ndonjë goditje te kryeqytetasit, të cilët kanë afruar deri tani tetë lojtarë të rinj.
F.RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"