Dueli i pazakontë në derbi, Joan Garsia sfidon Levandovskin
E diela rezervon një ndeshje të veçantë në La Liga: derbi mes Barcelonës dhe Espanjolit. Të dyja skuadrat janë në situata krejt të ndryshme, me blaugranat që kryesojnë renditjen në Spanjë dhe Espanjolin që ende në ujëra të turbullta.Por, përtej trajektoreve të ndryshme me të cilat të dy skuadrat kanë nisur sezonin aktual, bie në sy performanca e dy futbollistëve të tyre, të cilët premtojnë një sfidë brenda sfidës. Po flasim për sulmuesin e Barcelonës, Robert Levandovski dhe portierin e Espanjolit, Joan Garsia. Polaku është golashënuesi më i mirë në La Liga pas 11 javëve kampionat me 14 rrjeta. Portieri spanjoll është ai që pret më shumë në këtë sezon në La Liga.
Në moshën 36-vjeçare, Leva po jeton një moment spektakolar. Të dhënat e tij janë mbresëlënëse. Në 14 golat e shënuar numërohen 4 dygolëshë (Valencia, Vijarrealit, Sevilja dhe Real Madri) dhe një tregolësh kundër Alavesh. Ai ka shënuar në tri ndeshje radhazi dhe në gjashtë të fundit ka shënuar 10 gola. Ai është, sot, sulmuesi më në formë në kompeticion. Por, përveç kësaj, ai kryeson edhe në goditjet në portë me 24 të tilla. Në ndeshjen e së dielës, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Montjuiç”, ai do të përballet me Joan Garsian. Portieri në fjalë është ai që ka bërë më shumë pritje në La Liga: 47! Ai është shumë përpara të dytit, që është Hein, me 40 pritje.
Por pavarësisht kontributit të rëndësishëm të tij, Espanjoli është një nga skuadrat me më shumë gola të pësuar në La Liga për momentin. Skuadra e Manolo Gonzalez ka pësuar 19 gola. Më shumë se Espanjoli kanë pësuar Vajadolidi (23) dhe Selta Vigo (20). Cilësia e portierit të bardhebluve, i cili nuk ka luajtur asnjëherë në një derbi, nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane. Arsenali ofroi 20 milionë euro për shërbimet e tij në verën që lamë pas, por Espanjoli refuzoi të negocionte dhe kërkoi, për largimin e tij 30 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"