“Dua tripletën me Interin”, rrëfehet Barela: Nuk do të largohem kurrë! Konte vuri bazat në këtë ekip, Champions-i është ëndërr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2024 | 23:59

“Dua tripletën me Interin”, rrëfehet Barela: Nuk do të largohem kurrë! Konte vuri bazat në këtë ekip, Champions-i është ëndërr

Nikolo Barela ëndërron të bëjë Tripletë me Interin. Mesfushori i kampionëve të Italisë tregon se dëshira për të luajtur një tjetër finale Champions-i dhe për ta fituar atë është shumë e madhe.

barela

Sipas tij, Interi ka gjithçka për të triumfuar, pavarësisht se edhe skuadrat e tjera janë forcuar së tepërmi në këtë sezon dhe duan që të pengojnë zikaltrit për të arritur objektivat. Në një intervistë për “DAZN”, Barela flet edhe për shokët e skuadrës.

Çfarë ka ndryshuar te ju në këto 5 vitet e fundit?

Ka ndryshuar fakti që familja është më e madhe në numër. Në futboll ka ndryshuar mënyra se si e përjetoj, gjithmonë me shumë dëshirë për të fituar, por me më shumë qetësi. Tani mendoj më shumë që të ndihmoj shokët dhe skuadrën sesa për veten. Kur isha më i ri nuk e kisha këtë qasje. Më pëlqen edhe që njerëzit më vlerësojnë. Dua që të argëtohem në fushën e lojës sepse koha po kalon dhe nuk kam edhe shumë vite futboll përpara. Për këtë arsye dua ta shijoj sa më shumë.

Në aspektin e mënyrës së lojës gjithashtu jeni ndryshe…

Po. Më përpara isha i fiksuar për të rikuperuar topat dhe të shënoja gola. Këto gjëra bien më shumë në sy tek tifozët. Por ka shumë punë mbrapa. Këtë e kam mësuar nga shokët e skuadrës. Mësuesi është Mkitarian. Të gjithë e dinë që është i fortë, por askush nuk e di çfarë fshihet pas formës që po kalon ai. Unë jam munduar që të përshtat lojën time me këtë mesfushë, pavarësisht se kush luan. Ka ndeshje ku duhet të jesh më shumë manovrues i topit, në të tjera ku duhet të sulmosh. Por zona që kam unë më bën që të shoh përpara.

E prisnit që Markus Turam të ishte një bomber?

Kur lojtarët janë të fortë, dalin gjithmonë në pah. Ai u përshtat shumë shpejt me skuadrën dhe kjo na befasoi të gjithëve. Ai na ka ndihmuar që të ndryshojmë të gjithë mënyrën e lojës sepse e zgjat skuadrën me topat në thellësi. Vjen gjithashtu edhe për të bërë spondën dhe është një djalë spektakolar. Ai dhe Lautaro si Batman dhe Robin? Nuk e di kush është kush, por janë një dyshe e bukur. Është më e lehtë edhe për të tjerët që të vijnë dhe të japin një dorë. Një kampionat nuk bëhet vetëm me 2 sulmues, prandaj duhet më shumë.

Vazhdoni të keni miqësi me Brozoviçin?

Po vazhdoj të flas ende. Përshëndetemi hera-herës. Tani kemi një grup tjetër të bukur dhe është e vështirë të zgjedh një lojtar. Kemi gjetur një raport të shkëlqyer si në fushën e lojës dhe në dhomat e zhveshjes.

A është një ndeshje direkte ajo mes Lacios dhe Interit?

Të shohësh tani Lacion nuk është surprizë sepse gjithmonë ka qenë skuadër e vështirë për t’u mundur. Ka qenë fushë e vështirë. Dua t’i bëj komplimentet sepse kanë gjetur shkëndijat e duhura për të bërë një sezon fantastik.

Por ne shohim rrugën tonë dhe do të provojmë që të shkojmë sa më larg duke i mundur të gjitha, qoftë Lacio, Juve apo Milan. Pas një kampionati si ai vitit të kaluar nuk është e lehtë që të rigjesh atë mentalitet, por do të vijë momenti që të dominojmë. E rëndësishme është që e dimë sa të fortë jemi. Duhet të rigjejmë kompaktësinë që në fillim duket sikur e humbëm. Në ndeshjet e fundit në kampionat po bëjmë mirë, por është parë edhe në Champions.

Po Atalanta?

Është e fortë dhe nuk më duhet klasifikimi i këtij sezoni për ta kuptuar. Kanë gjetur një vetëbesim dhe tashmë janë skuadër ndërkombëtare. Rrugëtimi në Europë është ai që të jep më shumë besim. Duhen respektuar sepse kanë shumë kualitet, lojtarë cilësorë dhe një trajner të zotin. Por ne do t’i marrim ndeshjet një nga një.

Çfarë mendimi keni për Konten?

Një nga trajnerët më të mirë në botë. E kam nisur rrugëtimin tim tek Interi kur ishte ai dhe mund të them se vendosi bazat. Kur kemi luajtur në San Siro kundër tij ishte e çuditshme dhe e bukur. Futbolli i tillë është, ndryshojnë shpesh skuadrat dhe lojtarët. Pak janë ata që qëndrojnë.

Çfarë ka sjellë Inzagi tek Interi?

Ka edhe ai dorën e tij. Ka bërë përmirësime të dukshme. Ka shtuar diçka që na mungonte dhe tani kemi një ekuilibër perfekt. Vinte nga Lacio ku bëri gjëra të jashtëzakonshme, por Interi është një hap më përpara. Ka treguar se e meriton një skuadër të madhe dhe që është mes më të mirëve në botë. Do të kërkojmë të fitojmë sërish së bashku. Dua thjesht ta falënderoj për mënyrën se si sillet dhe për personin që është. Do të kërkojmë t’i bëjmë ndonjë dhuratë.

Cilat janë ëndrrat e Barelës në aspektin sportiv?

Sportivisht do të doja të fitoja Champions-in. Fakti që e kam humbur një finale dua që të rikthehem sërish. Kemi ndryshuar shumë lojtarë, por objektivi është i njëjtë. Nuk duhet të na shpërqendrojë në rrugën drejt kampionatit që është i rëndësishëm për ne. Ka shumë skuadra që kanë fituar titullin, Kupën dhe Champions-in. Edhe ne mund ta bëjmë. Do të shpresoja të bënim Tripletë për të mbetur në historinë e Interit.

E ardhmja juaj është vetëm tek Interi?

Në futboll mund të ndodhë gjithçka. Unë kam manifestuar gjithmonë idenë dhe dëshirën për të qëndruar tek Interi. Shoh një projekt ambicioz dhe mundësinë për të bërë gjëra të mëdha. Nuk kam parë lojtarë që duan të largohen. Nuk e di në fakt as nëse kam pasur oferta nga ekipe të tjera sepse nuk kam folur me menaxherin tim. Shpresoj që klubi të jetë i kënaqur me mua, por ma kanë demonstruar me fakte. Dua thjesht t’i falënderoj dhe shpresoj që Interi të bëjë akoma më shumë.

Po për Nikolon jashtë fushës së lojës cilat janë ëndrrat?

Mund të them se atë që e kam ëndërruar e kam. Nuk jam një nga ata që kënaqem, por kam një familje të shkëlqyer. Nuk kam shumë pretendime, kështu që më duhet të mendohem shumë për përgjigjen.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"