“Dua të bëj karrierë të suksesshme në Turqi”, rrëfehet Hoti: Partizani i ri, i duhet kohë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2024 | 21:48

“Dua të bëj karrierë të suksesshme në Turqi”, rrëfehet Hoti: Partizani i ri, i duhet kohë

Engjëll Hoti është një nga lojtarët më të talentuar të viteve të fundit në Superiore dhe i vetmi që ka arritur të fitojë dy tituj radhazi me Tiranën dhe Partizanin, ku kishte edhe një rol më të rëndësishëm dhe la më shumë shenjë.

hoti

Këtë verë ai u transferua te Umraniespor në Ligën e Parë turke, ku e ka nisur mjaft mbarë. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” Hoti flet për eksperiencën e re, por edhe situatën që po kalojnë dy ish-klubet e tij.

Engjëll, e keni nisur shumë mirë sezonin me 1 gol dhe 1 asist. Si po ndiheni në aventurën e re me Umraniespor?

Kam arritur të ambientohem mirë dhe shpejt këtu në ekipin e ri në Turqi. Arrita të kontribuoj me gol dhe asist në ndeshjen me Ankaragyçy, duke ndihmuar ekipin të fitojë ndeshjen. Tashmë do të fokusohem të bëj akoma më mirë në ndeshjet e tjera, sepse ky është vetëm fillimi dhe ritmi duhet të vijë në rritje. Në ekip jam ndjerë shumë mirë, djemtë më kanë afruar shumë dhe ambienti është shumë i mirë.

Përse u larguat nga Polonia dhe çfarë ju shtyu të zgjidhnit Turqinë?

Erdha në Turqi sepse në vitet e fundit e kemi parë të gjithë se këtu është bërë treg shumë i mirë. Po investohet shumë në futboll. Kjo ka qenë arsyeja përse kam ardhur, të mundohem të bëj një emër të mirë këtu dhe të vijoj ngjitje në karrierë.

Ku luhet futboll më cilësor mes vendeve ku ti je aktivizuar?

Ajo që mund të them deri më tani është se në Poloni ka qenë liga më e fortë taktikisht dhe fizikisht, por këtu në Turqi ka më shumë cilësi individuale. Edhe në Shqipëri e Kosovë ka individualitete, por janë larg këtyre dy vendeve. Infrastruktura në këto dy vende ka ende nevojë të madhe për t’u përmirësuar.

Si ju duket Partizani i këtij sezoni? Ku ju pëlqejnë dhe ku kanë probleme?

Partizani është përfshirë nga shumë largime dhe mendoj se si ekip i ri, duhet kohë për tu përmirësuar për të arritur në ritmin e pritshëm dhe për të gjetur bashkëpunimin e duhur mes lojtarëve. Ka ardhur gjithashtu trajner, kështu që duhet kohë.

Si mendon se ndikojnë lëvizjet kaq të shumta të trajnerëve?

Ndërrimet e shpeshta të trajnerëve nuk ndikojnë mirë të lojtarët, sepse nis gjithçka nga e para. Duhet të përshtatesh me skema të reja, stërvitje tjetër dhe mënyrë tjetër pune. Çdo trajner ka karakteristikat e veta. Nga ana tjetër mund të jetë fat i mirë për disa lojtarë, sepse mund t’i vijë mundësia për të luajtur më shumë. Sa më shumë të qëndrojë një trajner në një klub, aq më shumë mundësi ka për të korrur sukses në mënyrë të vazhdueshme.

Sa e ka dëmtuar Partizanin ikja e Magetit dhe kush është lideri i Partizanit të këtij sezoni?

Maget është një humbje e madhe për Partizanin. Ai ka qenë lojtari lidhës mes mbrojtjes dhe mesfushës. Nuk ka qenë shumë komunikues ndoshta me fjalë, por ka qenë shumë prezent me lëvizjet dhe fizikun e tij. Sa i përket liderit të këtij sezoni, ka lojtarë të rëndësishëm që akoma janë aty. Është Alban Hoxha, Hadroj, Cara, Rrapaj gjithashtu. Tashmë u mbetet të përshtaten me trajnerin e ri, i cili ka dorën e vet për të caktuar edhe liderët. Ai që fiton më shumë besimin e trajnerit, bëhet edhe lider i ekipit.

Po Tirana çfarë përshtypjeje ju ka lënë? Ata kanë ndërruar thuajse gjithë ekipin…

Tirana ka bërë shumë lëvizje. Nga ekipi kampion në mos gaboj vetëm Përgjoni ka mbetur aty. Ka marrë shumë lojtarë të rinj, ka nisur një projekt i ri, që duhet parë në vazhdim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"