Drejtuesi i klubit matjan, Lleshaj: Burreli në rrugën e duhur, guxojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2024 | 18:13

Drejtuesi i klubit matjan, Lleshaj: Burreli në rrugën e duhur, guxojmë deri në fund

Pas katër javë kampionat, skuadra matjane, renditet në vendin e katërt në klasifikim, me tetë pikë. Sipas kreut të klubit matjan, Marjan Lleshaj, ecuria e skuadrës së tij ka qenë brenda pritshmërive dhe pse me pak kujdes, renditja e tij duhet të ishte më e mirë.

lleshaj burreli

“Duke analizuar ecurinë e skuadrës në tërësi, kemi një nisje pozitive”, shprehet  për “Panorama Sport”, kreu i klubit matjan.

Si e vlerësoni ecurinë e skuadrës tuaj në katër javët e para? 

Skuadra në përgjithësi ka pasur një ecuri pozitive. E them në përgjithësi, se barazimin me Valbonën në shtëpi, në javën e dytë, e konsideroj hap fals pasi me rastet e krijuara skuadra duhet ta kishte zgjidhur ndeshjen që në pjesën e parë. Reagimi i skuadrës erdhi menjëherë me barazimin në transfertën e Peshkopisë, ku skuadra zhvilloi një ndeshje dinjitoze, që ktheu besimin sportdashësve tanë.

Kundër Pogradecit goli i fitores erdhi në limitet e ndeshjes, cili është vlerësimi juaj, pse vuajti skuadra?

Skuadra kundër Pogradecit zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Nëse i referohemi statistikave, skuadra ka sulmuar gjatë gjithë kohës. Kemi krijuar raste të pastra për shënim. Mos shënimi i shpejtë i golit, sikur i futi në stres lojtarët, por në fund u shpërblyem dhe kjo është kartolina më e bukur me rastin e ditëlindjes së ikonës së futbollit matjan, Dali Farruku. Ditën e ndeshjes, ai kishte 67 vjetorin. Dua të përshëndes sportdashësit që na inkurajojnë në çdo ndeshje.

Nëse i bëni skanerin skuadrës tuaj, ku mendoni duhet të përmirësohet?

Si çdo skuadër, dhe ne kemi plus minuset tona dhe vend për riparime ka. Gabimet nëse mund shprehemi kështu, janë brenda një “marzhi”, të pranueshme për çdo skuadër. Nëse bëjmë bilancin, duke krahasuar me ndeshjet e një viti më parë, skuadra ka një progresion dhe kjo më bën optimist për ecurinë e mëtejshme. Fitorja në Vlorë apo barazimi në Peshkopi, këto jashtë fushës tonë, se fitoret janë detyrë shpie për t’i fituar, janë premtuese për një ecuri pozitive në vijim.

Si e shihni ndeshjen e radhës me Kastriotin?

Do të jetë një përballje e vështirë. Tradicionalisht ndeshjet me Kastriotin si në fushën tonë ashtu dhe jashtë saj, janë përcjellë me interes nga dy tifozëritë tona. Parashikoj një sfidë të vështirë dhe realisht është një kundërshtar për t’u vlerësuar. Kam besim te skuadra që do të di të ta thotë mirë fjalën e saj. Si në çdo ndeshje dhe në këtë të radhës, objektivi ynë është: të mos dalim duar bosh.

Besoni se ky grup lojtarësh mund ta rikthejë Burrelin në Superiore?

Kjo skuadër ka mundësi të ecë me këtë ritëm. Ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një. Kampionati është i vështirë. Nuk ka më skuadra të mëdha, të vogla, apo fusha ime e ajo kundërshtare. Nëse e kemi këtë ecuri, dhe në vazhdim ne do të guxojmë. Pozicionimi në vendet e para të renditjes mbetet objektivi primar në këtë kampionat.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"