Drejtori Shkëlqim Muça zbardh planin e shumësportëshit: Ja si u ringrit Partizani
Klubi shumësportësh Partizani, përtej vështirësive të jashtëzakonshme të pas viteve ‘90, mbetet sërish një prej bazave më të rëndësishme të sportit në Shqipëri. Me nisjen e edicionit të ri të lojërave me dorë, por duke u ndalur gjithashtu edhe te sportet e tjera, drejtori i klubit, Shkëlqim Muça, ka analizuar situatën në kampin e kuq, duke shpalosur gjithashtu edhe objektivat.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Muça deklaron se prioritet do të jenë volejbolli dhe basketbolli, ndërsa thekson se kalimi nën administrimin e Bashkisë Tiranë në vitin 2019 ishte shpëtimi për Partizanin.
PRIORITETET – Shefi i Partizanit, Shkëlqim Muça, fillimisht flet për prioritetin e sezonit 2023-2024: “Klubi fokusin kryesor e ka te lojërat me dorë, siç janë volejbolli dhe basketbolli për meshkuj dhe femra. Natyrisht që në vëmendje mbeten edhe sportet e tjera, por prioriteti kryesor i klubit janë lojërat me dorë”, deklaron Muça.
VOLEJBOLL – Më konkretisht, Muça e nis me sportin e volejbollit, teksa tregon objektivat: “Ne jemi aktualisht kampionë në volejboll për femra dhe nënkampionë për meshkuj. Objektivi ynë kryesor këtë sezon është që të ruajmë titullin me femrat dhe të synojmë titullin me meshkujt. E kemi filluar mirë sezonin, te meshkujt kemi bërë tri blerje të reja. Janë tre lojtarë brazilianë, që do të jenë pjesë e skuadrës. Gjithashtu edhe Raul Sabliqi që ka ardhur nga ekipi i Erzenit. Skuadra është shumë më e kompletuar se vjet dhe mendojmë që do të rivalizojmë fort me Tiranën dhe Erzenin. Pra, pretendojmë që të rikthehemi kampionë me meshkujt, pasi prej dy vitesh Tirana na e ka marrë kampionatin, titull që e mbanim për 3 vite me radhë”.
VOLEJBOLL MOSHAT – Rezultate të rëndësishme në volejboll, Partizani regjistron edhe me moshat, të cilat shefi i klubit i komenton kështu: “Natyrisht kemi edhe ekipet e moshave, të rinjtë, apo paratërinjtë. Ishim kampionë me ekipin U-20 vjet në volejboll për djem dhe pretendojmë të dominojmë edhe në këtë sezon. Gjithashtu synojmë të rrisim sa më shumë pjesëmarrjen. Ne përfaqësohemi në volejboll gati me të gjitha moshat, U-16, U18, U-20 për vajza dhe djem. Pra, i plotësojmë të gjitha ekipet zinxhirë, ku përveç atyre të parave kemi të plotësuar edhe sektorin e moshave”.
BASKETBOLL – Gjatë viteve të fundit klubi i kuq ka pasur progres të madh edhe me ekipin e basketbollit të femrave, një skuadër që ka ngritur shpeshherë trofe të rëndësishëm: “Me ekipin e basketbollit të femrave këto 2-3 vitet e fundit kemi pasur gjithmonë duelin Flamurtari-Partizani. Natyrisht që Flamurtari ka qenë një ekip më i konsoliduar, ku edhe vjet tregoi që pavarësisht se ne fituam Ligën Unike, sërish ishin vlonjatet që u shpallën kampione me meritë”, shprehet Muça, i cili më tej zbulon objektivat e Partizanit të femrave: “Objektivi ynë këtë edicion është që t’i bëjmë një luftë të fortë për t’ia marrë titullin Flamurtarit. Kemi bërë ndryshimet e duhura në skuadër, megjithatë edhe kundërshtarët mbeten një ekip i fortë dhe këtë e treguan edhe në Kupën e Federatës. Mendoj se do të jetë një garë e fortë midis Flamurtarit, Partizanit, Tiranës dhe Teutës, e cila këtë vit është futur me objektiva për të qenë në ‘play off’, fazë që vendos edhe titullin”. Ndërkohë, për sa i përket skuadrës së basketbollit të meshkujve, shefi i klubit deklaron: “Për meshkuj synimet tona janë që ta mbyllim në katërshen e parë të kampionatit. Këtë vit nuk pretendojmë të dalim kampionë, sepse skuadrat e tjera janë një hap para nesh, por kërkojmë që të jemi në ‘play off’”.
SHAH – Por te Partizani i shumësportëshit nuk janë vetëm lojërat me dorë, ndërsa Shkëlqim Muça kërkon të evidentojë edhe progresin e bërë me sportin e mendjes, shahun: “Ne kemi shumë objektiva edhe në sportet e tjera. Dua ta nis nga shahu, ku vjet kemi dalë nënkampionë të Shqipërisë, pas Butrintit. Kemi qenë gjithmonë në vendet 4, 5 apo 6, ndërsa vjet kemi lënë mbrapa edhe Tiranën që është një ekip shumë i fortë, si dhe Teutën. Edhe këtë vit pretendojmë që të jemi në të njëjtën pozitë dhe, pse jo, të sulmojmë edhe vendin e parë. Kampionati është në fund të tetorit dhe ne po përgatitemi. Aktualisht po mbahet një Europian në Durrës, si Champions League në shah ku marrin pjesë edhe Partizani me disa ekipe të tjera shqiptare. Natyrisht kemi 2-3 djem, të cilët janë kampionë kombëtarë për të rinj, janë vërtetë lojtarë shumë të talentuar si Aleksandër Xhambulla që është kandidat mjeshtër. Është Klendi Zeneli gjithashtu shumë i talentuar, apo Ajlin Ndreko, një vajzë 12- vjeçare që është kampione kombëtare për të reja në Shqipëri. Pra, kemi ndërtuar një ekip simpatik shahu”.
SHTANGË, ATLETIKË, KARATE… – “Rezultate të rëndësishme Partizani ka shënuar edhe në peshëngritje për femra, ekip që u shpall fitues i Kupës së Shqipërisë. Vajzat e Partizanit vitet e fundit janë katër herë kampione dhe një herë nënkampione. Kemi 5 vajza kampione kombëtare në peshat e tyre”, rrëfen Muça, i cili më pas citon edhe sporte të tjera: “Kemi ekipin e karatesë, me të cilin prej 4-5 vitesh radhazi shpallemi kampionë dhe sigurisht që pretendojmë sërish të jemi në vend të parë. Në atletikë kemi dalë në vend të tretë, por kemi 4 sportistë që janë kampionë kombëtarë në disiplina të ndryshme. Kemi sporte si taekuondoja, noti etj., ndërsa pritet të krijojmë edhe një ekip boksi”.
SPORTISTË ELITARË – Falë rezultateve në sportet individuale, Partizani ka aktualisht 14 sportistë që gëzojnë statusin e elitarëve, për të cilët Muça shprehet kështu: “Përveç ekipit të volejbollit që është kampion, te Partizani e kanë fituar statusin e sportistit të nivelit të lartë 14 sportistë. Në peshëngritje kemi 5 sportistë të nivelit të latë. Në atletikë kemi 4, në karate kemi 4 kampionë kombëtarë dhe një kampion e kemi në xhudo. Pra, janë 14 sportistë të nivelit të lartë në klub”.
SPONSORËT – Pa një ligj të favorshëm sponsorizimi, shefi i klubit Partizani e pranon se afrimi i sponsorëve mbetet një prej problemeve më shqetësuese: “Natyrisht që për të afruar sponsorë është e vështirë, sepse, siç dihet, edhe ligji i sponsorizimit nuk është shumë i favorshëm për sponsorizuesit në sport, por pritet që të rregullohet. Kemi marrë konfirmime edhe nga KOKSHi që po punohet për ligjin e sponsorizimit që të favorizojë bizneset, të cilat mund ta mbështesin sportin, pasi tani është i papërfillshëm. Dihet që sponsorizimi duhet që të jetë i mbështetur edhe me ligj. Megjithatë, ne në sportet e lojërave me dorë, në volejboll dhe basketboll, kemi pasur sponsorë që na kanë ndihmuar për të arritur rezultatet”.
BASHKIA – Klubi shumësportësh Partizani, shtëpia nga ku kanë dalë kampionë dhe legjenda të sportit shqiptar, rrezikoi seriozisht shkrirjen. Klubit iu gllabëruan terrenet sportive, thuajse të gjitha disiplinat u shkrinë, ndërsa numri i sportistëve të mbetur u zvogëlua në mënyrë të frikshme. Për Shkëlqim Muçën, vendimtar në rilindjen e Partizanit ishte kalimi nën administrimin e Bashkisë Tiranë në vitin 2019. “Kemi pasur një buxhet të qëndrueshëm nga Bashkia Tiranë, e cila na ka ndihmuar dhe na mbështet me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë lekësh të vjetër”, deklaron Muça, i cili falënderon në veçanti kryebashkiakun e Tiranës: “Kryetari Erion Veliaj ka qenë shumë i predispozuar që Partizani të ringrihej, sepse ju e dini shumë mirë se klubit iu morën të gjitha ambientet dhe shkoi drejt shkrirjes. Partizani nuk kishte asnjë ambient sportiv dhe me ardhjen në varësi të Bashkisë Tiranë në vitin 2019, kryetari i bashkisë u tregua shumë i gatshëm për të rritur buxhetin e klubit dhe për të na dhënë të gjithë ndihmën e nevojshme që të ngrinim të gjitha sportet”, rrëfen Muça, teksa më pas kujton momentet e vështira gjatë mbërritjes në klub: “Kur unë kam ardhur në klub, Partizani kishte vetëm 2 ekipe, një për femra në volejboll dhe basketbollin e meshkujve në nivele të ulëta, ndërsa sportet e tjera ishin inekzistente me nga 2-3 sportistë. Pra, është Bashkia e Tiranës ajo që ka meritat kryesore për ringritjen e Partizanit, sepse na ka mbështetur. Gjithashtu edhe me ardhjen e drejtorit të sportit në bashki, Gjergji Muzaka, kemi pasur një mbështetje fantastike. Klubi shumësportësh Partizani ka rilindur falë Bashkisë Tiranë. E vetmja mangësi që kemi tani është infrastruktura, pasi ne nuk kemi ambiente. Megjithatë, bashkia është treguar e gatshme për të na mbështetur me buxhet për qiratë. Ekipet tona stërviten në pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’, me bashkinë që na ndihmon për qiranë”, përfundon drejtori i klubit shumësportësh Partizani, Shkëlqim Muça.
ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"