Drejtori i Elbasanit sheh çdo gjë të mundshme: Të barabartë ndaj kujtdo, në Korçë ia dalim me tifozët
Elton Guranjaku ishte “truri” i kësaj merkatoje vere për Elbasanin, si njeriu që u kujdes për gjithçka që të krijonte një grup konkurrues në elitë.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, drejtori sportiv i verdhebluve është i kënaqur me afrimet e bëra, edhe pse jo gjithnjë mund të sigurohet çdo tratativë që të mbyllet me sukses. Guranjaku është i kujdesshëm për ta cilësuar Elbasanin pretendent pa nisur kampionati, por është i bindur se nuk kanë asgjë më pak sesa rivalët e tjerë që janë konsoliduar prej vitesh në Superiore. Në fund, ai pohon se në Korçë do të shkojnë për të fituar, ndonëse ka një vlerësim për kundërshtarin.
Sa i kënaqur jeni me merkaton e bërë deri me tani?
Në merkato nuk mund të jesh kurrë 100% i kënaqur, por mund të them se 90% erdhën lojtarë që kanë një karrierë mjaft të mirë dhe që do të na ndihmojnë për arritjet e objektivave të klubit. Për këtë duhet të falënderoj dhe bashkëpunimin që kam patur si me presidentin Kujtim Llupa dhe me administratorin Marenglen Çoku, pasi janë munduar të plotësojnë çdo gjë, si në kushtet stërvitore, po ashtu dhe për transferimet në këtë sezon merkato.
Mendoni se ia keni plotësuar dëshirat trajnerit?
Me trajnerin bashkë me stafin, kemi punuar gjatë gjithë kohës për të gjetur elementët më të mirë dhe ata lojtare që për mënyrën e lojës së tij të përshtaten sa më mirë. Trajnerët janë gjithmonë në kërkim të më të mirës dhe personalisht mendoj se deri në 31 gusht do të bëjmë gjithçka që të jemi sa më të kompletuar në çdo repart.
Keni ndonjë peng nga kjo merkato, ndonjë tratativë që ka dështuar?
Peng nuk mund të them, pasi në skuadër kemi lojtarët më të mirë të mundshëm. Por, në një merkato aq aktive sa kemi patur këtë sezon, është normale që të dështosh diku dhe t’ia dalësh në të tjera. Është pjesë e lojës edhe kjo.
Sa besim keni që me grupin e formuar do të jeni pretendentë?
Kjo fjala “pretendentë” do pak kohën e saj. Mos harrojmë se vijmë nga Kategoria e Parë dhe shumë ekipe janë të konsoliduar prej vitesh aty në Superligë. Ne kemi një staf teknik të ri, me lojtarë të sapoardhur dhe të gjithë këto duan kohën e tyre të përshtaten me njëri-tjetrin. Por, mund të them që me grupin e lojtarëve që kemi dhe me punën që trajneri Bordin dhe stafi tij po bëjnë, mund të luajmë me çdo ekip në Superligë si të barabartë.
Ndeshja e parë në Korçë, çfarë synoni?
Skënderbeu është një skuadër e fortë, mos harrojmë sezonin e kaluar ishte pjesë “Final 4”. Është një transfertë e vështirë, por që jemi të përgatitur për të shkuar për fitore. Kemi një skuadër që do luajmë për fitore me çdo skuadër, sepse pas vetes kemi edhe një tifozeri që na ndjek kudo.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"