Drejtori i Drejtorisë Juridike tregon pse nuk e shtynë marrëveshjen me 2 vite. Flamurtari, bashkia: Ja e vërteta me kontratën
Bashkia e Vlorës i përgjigjet deklaratave të administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, të bëra në numrin e djeshëm të gazetës. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, drejtori i Drejtorisë Juridike në Bashkinë e Vlorës, Dorian Demiri, sqaron fillimisht se përse shtyrja e kontratës do të bëhet me një vit dhe jo me dy, sa e kërkon Idrizi.
Juristi Demiri thekson se do të ndërmerret ky vendim për shkak se kanë nisur procedurat për privatizimin e klubit Flamurtari. “Edhe vitin e kaluar shtyrja e kontratës së administrimit të Klubit të Futbollit Flamurtari është bërë me një vit, sepse ne kemi nisur procesin e privatizimit. Sot jemi në fazë vlerësimi. Nuk është si vitin e kaluar, por këtë vit kemi avancuar. Kemi bërë prokurimin, si dhe kemi marrë vlerësuesin. Vlerësuesi ka filluar dhe po bën shkresë shkëmbime, qoftë me bashkinë, qoftë me klubin për të marrë informacionet e nevojshme që të nxjerrim edhe vlerën e privatizimit”, ka thënë fillimisht Demiri.
FIRMA
Për Sinan Idrizin, shtyrja e kontratës së Bashkisë së Vlorës me klubin e futbollit Flamurtari duhet të firmosej nga kryebashkiaku Ermal Dredha. Por kreu i Drejtorisë Juridike në Bashkinë e Vlorës, Dorian Demiri thotë se propozimi i projekt-vendimit nga një grup këshilltarësh është një nga dy opsionet që parashikon ligji dhe nuk përbën asnjë problem. Madje, sipas tij kështu ka ndodhur tri herë, në vitet 2018, 2020 dhe 2023. “Në tri herë që kam informacion projekt-vendimi për shtyrjen e kontratës me Klubin e Futbollit “Flamurtari”, ka ardhur nga Këshilli Bashkiak.
Nuk është bërë nga administrata e bashkisë. Në vitet 2018, 2020 dhe 2023, po të shikoni, mund të hyni edhe tek faqja e Bashkisë së Vlorës, tek projekt-vendimet e Këshillit Bashkiak, në të gjitha këto raste kërkesa ka qenë një propozim i një grupi këshilltarësh dhe në fund që është zbardhur vendimi, ka marrë vendimin Këshilli Bashkiak. Por asnjëherë nga administrata. Nuk ka asnjë problem. Edhe vjet në 31 gusht kështu është bërë kjo gjë”, bën të ditur shefi i Drejtorisë Juridike në bashkinë e Vlorës.
PRIVATIZIMI
Drejtori Dorian Demiri komenton edhe privatizimin e klubit. Sipas tij, procedura është në rrugë të mbarë. “Ka filluar e gjithë procedura e privatizimit të klubit. Është kontraktuar një studio, e cila bën vlerësime asetesh, qoftë të luajtshme, qoftë të paluajtshme. Është e njëjta studio që ka marrë edhe Orikumin, ka marrë edhe Flamurtarin. Faktikisht Orikumi ka mbaruar më shpejt, edhe për shkak të volumit të transaksioneve, pasi nuk është se ka shumë, nuk e ka historikun e Flamurtarit. Jemi në fazën që po vlerësohet. Pritet që të vendos edhe klubi në dispozicion disa dokumenta.
Do mbarojë raporti i vlerësimit dhe pastaj do të çohet në Këshillin Bashkiak, siç do kemi Orikumin të enjten. Ne kemi ecur goxha në këtë drejtim. Thjeshtë tani për procedurë dokumentacionesh, sepse vlerësuesi e ka krijuar një ide. Ne si bashki jemi të gatshëm dhe i kemi dhënë gjithçka çfarë ka kërkuar vlerësuesi edhe informacione shtesë që mund t’i duhen. Ka kërkuar edhe informacione nga klubi që do t’ia bëjnë edhe ata gati, sepse normal janë të interesuar edhe ata për ta mbyllur si procedurë”, përfundon Demiri.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"