“Do të jem unë numri 9 i së ardhmes”, Turam “injoron” Zhirunë: Tek Interi është dështim po s’more trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2024 | 22:52

“Do të jem unë numri 9 i së ardhmes”, Turam “injoron” Zhirunë: Tek Interi është dështim po s’more trofe

Pasi bëri një sezon spektakolar me Interin, Markus Turam shpreson që të vazhdojë rrugëtimin e tij pozitiv edhe me Francën.

TURAM

Në një intervistë për “AS”, sulmuesi zikaltër flet për hapin cilësor që bëri në merkaton e verës dhe mënyrën se si u përshtat aq shpejt me Lautaron. Ai gjithashtu thotë se Interi luan gjithmonë për të fituar titullin kampion në Itali.

Ju vini në Europian si një lider i Interit dhe kampion i Italisë. A është ky momenti më i mirë i karrierës?

Po. Do të luaj në Europian si një lojtar me shumë besim, pasi e mbylla mjaft mirë sezonin me Interin. Jam një lojtar që kam shumë dëshirë për të ndihmuar kombëtaren, në një turne që e konsideroj vazhdimin e një pune të realizuar me sforco. Kam besim në gjithçka që bëj tani.

Ju e fituat Serinë A si titullar dhe me shifra të kënaqshme me 13 gola dhe 13 asiste. Ne si gazetarë, mund të themi që ju tashmë jeni realitet apo një premtim?

Gazetarët, ashtu si edhe tifozët që shohin futboll kanë opinionin e tyre. E sigurt është që unë si në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje jap më të mirën time për t’u përmirësuar. Nuk e di çfarë etikete më vënë gazetarët, por kam ambicie të mëdha për t’u bërë i rëndësishëm.

E keni vënë re rritjen nga Gladbahu tek Interi?

Po. Është e qartë. Mes Gladbahut, që është një ekip për të cilin kam shumë respekt dhe e falënderoj për gjithçka, dhe Interit është një tjetër histori. Në Milano kam zbuluar shumë gjëra të reja, stadiumi është madhështor dhe ka shumë presion. Dhashë gjithçka që të përmirësohesha menjëherë. Interi është një tjetër dimension sepse e nis gjithmonë sezonin me misionin për të fituar Serinë A.

Në rast se nuk ndodh, atëherë është dështim. Të gjithë lojtarët që vijnë për t’u bërë pjesë e kësaj skuadre e kanë të qartë objektivin. Kam parë një ndryshim edhe në mentalitet, pasi tek Interi çdo ndeshje është ndryshe dhe shumë e rëndësishme. Çdo minutë ka vlerë për të arritur titullin kampion.

Ju e keni nisur në krah dhe tani jeni shndërruar në një numër 9. Mendon që ju ka ndihmuar forca?

Nuk e di nëse ka qenë forca ime që më ka bërë të ndryshoj pozicionin me lehtësi, por unë jam përshtatur shumë shpejt në këtë rol dhe jam lojtar më i mirë. Sigurisht një sulmues mund të ketë forcë, por më e rëndësishmja është aftësia për t’u përshtatur. Inteligjenca gjithashtu është e rëndësishme.

Te Franca luani në një tjetër skemë, ndërsa tek Interi shoqëroheni nga një tjetër sulmues si Lautaro Martinez. Çfarë ndryshimi do të ketë?

Te Gladbahu më ndihmoi shumë skema me një sulmues për t’u përshtatur. Pastaj kur luaj me një tjetër është e rëndësishme ta njoh dhe të flas me të, ashtu siç ndodhi këtë vit me Lautaron. Mendoj se të dyja skemat, qoftë me një sulmues apo me 2 nuk kanë shumë diferencë. I vetmi ndryshim është fakti që tek Interi me 2 sulmues duhet të mbuloj zona të tjera.

A mendon se Mbape është një nga lojtarët më të mirë në botë të momentit?

Po. Nuk e ka dëshmuar vetëm këtë vit. Që kur ka nisur të luajë futboll, të gjithë e dinim talentin që kishte. Javë pas jave, ajo që ka bërë ka qenë në konfirmimin e talentit që kishte që në start. Ai ka qenë vendimtar edhe në ndeshjet e kombëtares, ashtu si në finalen e Botërorit. Është normale ta quash Mbapenë lojtarin më të mirë në botë.

Në finalen e Botërorit të fundit, ju u aktivizuat kur skuadra po humbte 2-0 dhe e ndryshuat fatin e saj. A ishte ajo ndeshje një pikë kthese edhe për ju personalisht?

Botërori i Katarit më dha shumë besim në vetvete. Fakti që të ndihmoja skuadrën time për të bërë gjëra të mëdha në këtë turne të sjell besim dhe qetësi. Për më tepër, motivoheshin për të bërë më mirë sesa kaq.

Babai i juaj, Lilië Turam ka qenë një legjendë e kombëtares. Çfarë do të thotë për ju të luani në një skuadër që babai juaj e ka përfaqësuar shumë mirë?

Edhe pse im atë nuk ka qenë francez në origjinë, e kisha krenari që ta shihja të luante me kombëtaren. Ai ruan rekordin e ndeshjeve me kombëtaren. Ndihem krenar që po vazhdoj të shkruaj historinë me mbiemrin Turam.

Si vendosët ju dhe vëllai për t’u bërë futbollistë?

Që kur ishim të vegjël si unë dhe vëllai u rritëm duke parë futboll. Babai nuk donte të na sforconte për të qenë futbollistë, por ne donim vetë. Ai na shtynte që të studionim dhe të përfundonim shkollën sepse nuk dihej nëse do të bëheshim apo jo profesionistë. Me punë dhe dëshirë ia dolëm.

Zhiru ka thënë se ky Europian është i fundit turne për të me Francën. Ndiheni gati për të qenë ju numri 9 i kombëtares?

Sigurisht që jam gati për të qenë sulmuesi kryesor i kombëtares franceze, por jo që do të jem pasardhësi i Zhirusë. Unë firmosa për Interin në verën e kaluar për të nisur një tjetër dimension dhe për të hapur një kapitull të ri. Kam marrë përgjegjësi të shumta këtë sezon dhe do të jem sulmuesi kryesor i Francës.

Mendoni se në këtë Europian mund të futeni në listën e sulmuesve më të mirë të Europës?

Sigurisht që po. Kur vjen të luash një Europian e nis me shumë ambicie dhe shpresë. Do të ishte gabim nëse do të thosha të kundërtën. Kur luan një Europian nisesh për të bërë gjëra të mëdha. Objektivi është të konfirmoj sezonin e madh që kam bërë me Interin.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"