“Do të ishte vetëvrasje po të mos fitojmë në Rrogozhinë”. Nurja: Besa nuk gabon më në shtëpi, kujdes nga Lushnja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2024 | 14:25

“Do të ishte vetëvrasje po të mos fitojmë në Rrogozhinë”. Nurja: Besa nuk gabon më në shtëpi, kujdes nga Lushnja

Besa e mbyll vitin 2024 në shtëpi, ku në dy sfidat e mbetura verdhezinjtë do të presin fillimisht Lushnjën e më pas Apoloninë. Janë dy takime që Besa është e detyruar t’i fitojë, pasi nuk duhet të përsërisë gabimet që ka bërë në shtëpi ku ka barazuar me Vorën, Flamurtarin dhe Pogradecin si dhe në Shijak dhe Lushnjë.nurja besaPikërisht me lushnjarët erdhi barazim i parë sezonal dhe këtë fundjavë Besa do të presë në Rrogozhinë, pikërisht Lushnjën. Një ekip që ka bërë mirë javët e fundit e për këtë, mbrojtësi Joni Nurja e di çfarë kërkohet. “Lushnja është ekipi i parë që ndërpreu serinë e fitoreve tona, duke na mohuar fitoren në “Roza Haxhiu”. Një barazim që mund e duhet ta evitonim, por gjërat kanë ndryshuar dhe Lushnja nuk është më ajo e fazës së parë. Vetë rezultatet flasin për këtë. Ndodh shpesh, që kur vjen një trajner i ri, ekipet të ndryshojnë dhe motivohen më shumë. Kështu ka ndodhur edhe me lushnjarët. Ata janë në gjendje t’i bëjnë keq kujtdo”, u shpreh fillimisht Nurja për “Panorama Sport”.

Po si vjen Besa në këtë ballafaqim? Çfarë ndikimi dhe moral do të ketë fitorja ndaj Kastriotit? Për Joni Nurjen, do të jetë e pafalshme jo vetëm ndaj Lushnjës, por kujtdo që Besa të lërë pikë në shtëpi. “Besoj se janë pikërisht barazimet në shtëpi, që sot jemi 2 pikë pas Vorës, e cila ka marrë 100% të pikëve në shtëpi. Prandaj, nuk do na falem më gabimet në shtëpi. Vijmë pas një fitoreje mes baltës e ujit, ku sakrifikuam dhe do të ishte vetëvrasje po të mos fitojmë në shtëpi në një fushë si ajo e Egnatias, që është për t’u pasur zili. E theksova, Lushnja tanishme është më e fortë dhe më lart psikologjikisht. Çdo ekip jep maksimumin kur luan kundër nesh, pasi të mundësh Besën është vlerë për ta.

E dimë se ndaj nesh, shumica e ekipeve qëndrojnë prapa me forca të shumta. Jo se nuk ua kemi çarë prapavijat e tyre, por kemi gabuar në raste flagrante shënimi dhe e kemi pësuar duke parë dominim tonë dhe ndoshta psikologjinë se kemi kohë të shënojmë. Gara sa vjen e bëhet më e fortë dhe çdo takim duhet vlerësuar njësoj, si kundër Vorës apo Flamurtarit, ashtu edhe Lushnjës, Erzenit, Kukësit e të tjerëve. Vetëm kështu do të mund të fitojmë dhe qëndrojmë ndër ekipet e kreut”, përfundoi mbrojtësi Joni Nurja.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"